Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Vlerat e historisë

Vlerat e historisë

Një histori e plotë do të përmbajë:

1. Çdo të dhënë në lidhje me shtatzanitë e mëparshme.

2. Historinë e shtatzanisë së tanishme

3. Historinë e plotë shëndetësore individuale.

4. Të dhëna për ilaçet e mundshme që merrni, apo për alergjitë që mund të keni.

5. Historinë shëndetësore familjare.

6. Gjendjen social-ekonomike të familjes ku jetoni.

Çfarë është e rëndësishme të dihet për shtatëzanitë e mëparshme?

 

1. Përcaktimi i numrit total të shtatzanive (lindje, aborte apo shtatzani jashtë mitrës). Ky informacion mund të japë të dhëna të rëndësishme, si për shembull:

• Nëse keni lindur më shumë se pesë fëmijë, duhet të dërgoheni në spital për të lindur sepse në momentin e lindjes mund të paraqiten rreziqe, si hemorragjia.

• Nëse keni bërë më shumë se tre aborte gjate tremujorit të parë të shtatzanisë, kjo flet për mundësinë e anomalive të trashëguara të çiftit. Abortet e bëra gjatë tremujorit të dytë flasin për pamundësi të mbajtjes së shtatzanisë nga dëmtime të lindura apo të fituara të qafës së mitrës.

• Nëse ka pasur më parë një shtatzani jashtë mitrës, duhet të siguroheni që shtatzania e tanishme është brenda mitrës.

 

2. Pesha e bebeve të lindura më parë, mosha e shtatzanisë në lindjet e mëparshme, mënyra e lindjeve të mëparshme sipas radhës si dhe të gjitha vdekjet e bebeve para apo pas lindjes. Personeli shëndetësor duhet të dijë:

• Nëse keni pasur lindje fëmijësh me peshë të vogël (hipotrofe), që të kërkohet shkaku.

• Nëse keni lindur fëmijë të tjerë para kohe, për të marrë masat në kohën e duhur, që këtë herë të mos ndodhë.

• Nëse keni lindur bebe me peshë mbi 4 kg, gjë e cila mund të sugjerojë një diabet tuajin dhe vështirësi në lindje.

• Mënyrën e lindjeve të mëparshme: nëse keni lindur me forceps apo me vacuum (lindje me aparat ku kërkohet ndërhyrja e mjekut) duhet të dërgoheni në një qendër të specializuar, nëse keni lindur më parë me operacion, duhet të gjendet shkaku përse është bërë dhe të vendoset për mënyrën e lindjes në fund të shtatzanisë së tanishme.

• Nëse ka pasur një apo më shumë vdekje të bebeve gjatë lindjes, keto ju vendosin në një shkallë të lartë rreziku për lindjen e tanishme. Duhen bërë përpjekjet për të gjetur shkaqet e vdekjeve të shkuara, të gjenden faktorët të cilët mund të ndikojnë edhe në shtatzaninë e tanishme. Nëse nuk gjenden shkaqe, rreziku I përsëritjes është i lartë.

 

3. Problemet e mëparshme gjatë aktivitetit të lindjes si dhe tensioni ilartë në shtatzanitë e mëparshme.

• Nëse keni pasur tension të lartë gjatë shtatzanive të mëparshme, ju duhet të kontrolloheni më shpesh se numri i rekomanduar i vizitave dhe sapo te shfaqni një problem, (sado të vogël në dukje) të dërgoheni në një qendër të specializuar. I njëjti qëndrim mbahet edhe në rastet kur keni pasur hemoragji vaginale para se të lindni.

• Duhet të sigurohemi për mbarëvajtjen e fazës së parë të aktivitetit të lindjes dhe të fazës së fundit të tij, si dhe për mbarëvajtjen e periudhës placentare, hemoragjitë e mundshme, apo kyretazh (pastrim i hapësirës së mitrës me kyretë) mbas lindjes. Të gjitha këto duhet të dihen, sepse problemet në shtatzanitë e mëparshme kanë shumë mundësi të ripërsëriten edhe në shtatzaninë e tanishme. Pra e thënë më qartë, kur keni bërë një ose më shumë herë lindje para kohe, jeni në rrezik të lartë për ta bërë përsëri.

Për çfarë do të pyeteni në marrjen e anamnezës së shtatëzanisë?

• Pyetja e parë që do t’ju bëhet kur dyshoni se jeni shtatzënë dhe shkoni të kontrolloheni, është se kur ka qenë dita e parë e periodave të fundit, në mënyrë që të saktësohet mosha e shtatzanisë dhe të përcaktohet data e përafërt e lindjes.

• Kërkohen probleme të ndryshme mjekësore që mund të keni pasur në fillim të shtatzanisë si: sëmundje me temperaturë të lartë, shenja të infeksionit urinar apo çfarëdolloj hemorragjie vaginale.

• Kujdes i duhet kushtuar shenjave të vogla që mund të keni gjatë kësaj shtatzanie si: të përziera apo të vjella, dhimbje stomaku apo kapsllëk, fryrje të kyçeve të këmbëve ose duarve.

• Do të pyeteni nëse shtatzania është e planifikuar dhe e dëshiruar apo jo dhe nëse keni pasur ndonjë periudhë infertiliteti (pra jeni përpjekur të mbeteni shtatzënë, por nuk keni arritur), prej sa vjetësh jeni e martuar dhe sa kohë ka që dëshironi një fëmijë.

Përse është e rëndësishme historia e kaluar mjekësore?

Disa gjendje shëndetësore mund të përkeqësohen gjatë shtatzanisë, për shembull nëse keni sëmundje të zemrës, mund të rëndoheni gjatë shtatzanisë, apo një tension i lartë mund të çojë deri në atë që në gjuhën mjekësore quhet preeklampsi apo eklampsi, gjë që do të thotë gjendje shumë e rrezikshme për jetën tuaj.

Prandaj ju do të pyeteni nëse keni pasur ndonjëherë ndonjë nga problemet e mëposhtme:

• Tension të lartë.

• Diabet.

• Sëmundje reumatizmale apo sëmundje të tjera të zemrës.

• Epilepsi (sëmundje toke).

• Astmë.

• Tuberkuloz.

• Sëmundje psikike.

• Sëmundje të tjera të përgjithshme.

Përse është e rëndësishme pyetja për ilaçet e marra apo alergjitë?

Sepse nëpërmjet marrjes së ilaçeve të përdorura nga ju kuptohen sëmundjet që keni kaluar, nëse nuk kanë dalë në pah deri në atë moment; gjithashtu, disa ilaçe janë mjaft të dëmshme për bebin dhe mund të rrezikojnë edhe jetën e tij.

Edhe alergjitë janë të rëndësishme sepse në rast se do të jepen ilaçe, mjeku duhet të jetë i sigurt që ato nuk shkaktojnë alergji, të cila rrezikojnë jetën tuaj.

Cilat janë operacionet e kryera më parë, të cilat duhet t’i tregohen patjetër mjekut?

Operacionet e kryera në aparatin gjenital si: lindje të mëparshme me operacion, heqja e mishit të huaj në mitër, ndërhyrje të kryera në qafën e mitrës, riparimet e rrugëve të komunikimit urogjenital, ndërhyrjet kirurgjikale në zemër, të cilat kërkojnë medoemos edhe asistencën e mjekut specialist të zemrës në çdo hap të shtatzanisë, deri mbas lindjes.

Përse është e rëndësishme historia familjare?

Në rastet kur keni familjarë me sëmundje si diabeti apo hipertensioni, kur keni në familje lindje me dy ose më shumë fëmijë njëherësh (binjakë ose trinjakë), kur keni raste që kanë kaluar hemorragji të rëndë mbas lindjes, apo persona me prapambetje mendore, rritet mjaft rreziku i shtatzanisë për ju dhe fëmijën.

Përse informacioni për gjendjen tuaj social-ekonomike është i rëndësishëm?

• Sepse nëse pini duhan apo alkool, bebi mund të lindë i vogël për moshën e shtatzanisë dhe me keqformime.

• Sepse nëse ju kanë braktisur, keni nevojë për ndihmë të veçantë të organizmave përkatëse për veten dhe për bebin.

• Sepse gjendja e keqe ekonomike rrit rrezikun për tuberkuloz, kequshqyerja rrit rrezikun për lindjen e një fëmijë të vogël në peshë dhe keqtrajtimi fizik shkakton lindje para kohe apo trauma të tjera obstetrikale, si shkëputja para kohe e placentës.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë