Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Lëvizjet

Në një dy javët e para lëvizjet e bebit janë të çrregullta, të paqëllimshme. Atij mund t’i dridhen mjekra dhe duart. Çdo zhurmë e fortë shkakton dridhje dhe mund të bëhet shkak për të qara.

Në se këto lëvizje janë shumë të theksuara dhe shqetësuese, ju duhet ta shtrëngoni në krahë ose ta mbështillni.

Nga fundi i muajit të parë, sistemi nervor i bebit zhvillohet dhe kontrolli i muskujve përmirësohet. Lëvizjet e duarve dhe këmbëve do te bëhen më të buta dhe do të duket sikur është duke i dhënë biçikletës. Kur e vendosni barkas, do të bëjë lëvizje zvarritëse me këmbë, madje mund të shtyjë me duar.

Muskujt e qafës do të zhvillohen me shpejtësi, duke i dhënë mundësi të kontrollojë më mirë lëvizjet nga fundi i muajit. I shtrirë barkas, bebi mund të ngrejë dhe të kthejë kokën në anën tjetër. Por nuk do të jetë në gjëndje të mbajë kokën mirë deri në fund të muajit të tretë, prandaj duhet të tregoheni të kujdesshëm kur e mbani në krahë.

Gjatë javëve të para lëvizjet e gishtave janë të kufizuara, por bebi mund t’i përkulë, t’i afrojë te goja dhe t’i afrojë në fushën e tij të shikimit. Në fakt, gjatë kësaj periudhe do t’i vështrojë gjatë duart, sa herë që do t’ia kapë syri.

/komuniteti