Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Muaji i parë – rritja dhe zhvillimi

Djemtë peshojnë pak më shumë se vajzat, rreth 400 g dhe janë pak më të gjatë rreth 1.25 cm

Në fillim duket sikur fëmija nuk bën gjë tjetër, veçse ha, fle, qan dhe mbush panolinat. Në fund të muajit të parë ai do të jetë shumë më i gjallë dhe komunikues. Gradualisht do fillojë të lëvizë trupin e tij më lehtësisht, sidomos kur fut duart në gojë. Ju tashmë e kuptoni që ju dëgjon kur I flisni, ju shikon kur i flisni dhe lëviz trupin për t’u përgjigjur ose për të tërhequr vëmendjen. Por përpara se të eksplorojmë aftësitë e tij, le të shohim ndryshimet që do të ndodhin në paraqitjen e tij fizike gjatë muajit të parë.

Rritja dhe pamja fizike

Kur fëmija juaj lindi, pesha përfshinte dhe tepricat e lëngjeve, të cilat humbin në ditët e para. Shumë bebe humbin një të dhjetën e peshës, pastaj e rimarrin në pesë ditë, kështu afërsisht mbas dhjetë ditësh do të kenë peshën e lindjes.

Shumë bebe rriten shumë shpejt mbasi rimarrin peshën e lindjes, sidomos gjatë shpërthimeve të rritjes që ndodhin rreth ditës së 7-10-të dhe përsëri midis tre dhe gjashtë javëve. I porsalinduri në kohë shton afërsisht 20-30 gram në ditë dhe për një muaj peshon afërsisht 4 kilogram. Ai rritet 2.5 deri 4 cm gjatë muajit të parë.

Djemtë peshojnë pak më shumë se vajzat, rreth 400 g dhe janë pak më të gjatë rreth 1.25 cm.

Pediatri juaj do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë rritjes së kokës, sepse ajo tregon rritjen e trurit. Kafka do të rritet shumë gjatë katër muajve të parë, më shumë se kurrë gjatë jetës. Perimetri i kafkës së një të porsalinduri është afërsisht 35 cm dhe pas një muaji arrin në 37.75 cm. Djemtë janë pak më të mëdhenj se vajzat, koka e djemve është më e madhe: diferenca është më pak se 1 cm.

Gjatë javëve të para trupi i të porsalindurit, i mësuar gjatë nëntë muajve të rrijë mbledhur në barkun e nënës, do të fillojë të drejtohet. Ai fillon të shtrijë këmbët dhe duart dhe shpesh harkon kurrizin. Këmbët dhe duart mund të vazhdojnë të rrotullohen, këmbët nga brenda. Këto janë normale deri në muajin e 5-6-të dhe zakonisht korrigjohen gradualisht. Nëqoftëse do të vazhdojnë më gjatë duhen konsultuar me pediatrin, por këto janë raste shumë të rralla.

Nëqoftëse bebi juaj ka lindur me rrugë vaginale, kafka duket e deformuar mbas lindjes por shpejt do të marrë formën normale. Çdo deformim i kokës do të ikë mbas një ose dy javëve. Njollat e kuqe rreth syve do të ikin mbas tri javëve.

Një problem tjetër janë “aknet e bebit’’ Këto janë si puçrra të vogla që dalin në fytyrë, zakonisht në javën e 4-5 të jetës. Mendohet se ato shkaktohen nga stimulimi i gjëndrrave yndyrore nga hormone e nënës që kalojnë nga placenta gjatë shtatzanisë. Në këto kushte duhet patur kujdes nga ilaçet e përdorura për larjen e rrobave dhe të mbeturinave të qumështit në fytyrë. Nëse bebi juaj ka akne, përdorni një picetë të pastër të butë nën kokë dhe pastrojani një here në ditë fytyrën butësisht me sapun të butë, për të hequr mbetjet e qumështit ose të ilaçit. Lëkura e fëmijës tuaj ndryshon ngjyrën nga rozë në blu.

Duart dhe këmbët mund të kenë një ngjyrë më blu se pjesët e tjera të trupit. Kjo ndodh se enët e gjakut në këto zona janë më të ndjeshme nga ndryshimet e temperaturës të ftohtit. Pra tek duart dhe këmbët që janë të zbuluara kalon më pak gjak, duke bërë që të duken më të zbehta apo blu, por nëse ne do të lëviznim duart dhe këmbët, do të shihnim se ato shpejt bëhen rozë përsëri.

Raporti me mjedisin

• Të ushqyerit është mjeti kryesor i komunikimit me mjedisin.

• Po të preket në këndin e buzëve me gishtin e dorës (ose çfarëdolloj mjeti tjetër), koka dhe goja kthehen nga ana që e prekim.

• Po t’i preken buzët ose t’i futet gishti në gojë, fillon të thithë.

• Është ende i paaftë për të pasur një kontroll të mirë të qafës dhe kokës, e cila bie në njërën ose tjetrën anë kur mbahet në krahë (në pozicion vertikal, në këmbë).

• Reagon ndaj zhurmave si për shembull përplasja e derës, tingulli i ziles, zhurma e çelësave etj.

• I dëgjon tingujt që zgjasin mbi 4 – 5 sekonda.

• Dëgjon kryesisht tingujt ritmikë që përsëriten dhe jo ata të veçuarit; kjo është arsyeja që fëmijëve u këndohen ninullat (tinguj ritmikë e monotonë).

• Ende është i paaftë të kërkojë ose të ndjekë aktivisht me sy dhe për një kohë të gjatë objektet, por nëse para syve shfaqet një send i ndritshëm, arrin ta fiksojë me sy dhe ta ndjekë me sy deri diku.

• Parapëlqen fytyrën e njerëzve.

Lindiza (6 vite më parë)
Deshta te ju tregoj, foshnjes sime kur mi ndodh e njejta gje me lemzen e kam lexu ne nje reviste se duhet jep 2 pika limon te shtrydhur, shume pak dhe patjeter i kalon lemza.
Monika (6 vite më parë)
Te dashur pediatra kam nje pyetje per te bere. Bebja ime ka lindur dy jave me pare por e zene lemza shume sa qe i zgjat nga 20 deri ne 30 minuta dhe une ne kete rast nuk di se cfare duhet ti bej. I jap pak uje por nuk i kalon sa qe i dalin lot prej sysh. Ne kete rast si duhet te veproj per ti pushuar lemzen? Ju faleminderit. Pres pergjigjen tuaj.

/komuniteti