Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Zhvillimi i hershëm i trurit

Fëmija duhet të qëndrojë në mjedise të larmishme ku bisedohet, lexohet, dëgjohet muzikë, luhet...

Si prind, ju jeni të vetëdijshëm se veprimet tuaja ndikojnë mbi fëmijën. Ju qeshni dhe ai jua kthen, ju e lavdëroni, ai gëzon, ju e qortoni, ai trishtohet. Ju jeni qendra e botës së fëmijës tuaj.

Studimet tregojnë se në 3 vitet e para të jetës, truri i fëmijës rritet dhe zhvillohet më shumë se në çdo moment tjetër të jetës. Pikërisht në këtë periudhë krijohen modelet e para të të menduarit dhe të përgjigjeve të vetëdijshme.

Çfarë do të thotë kjo për prindin?

Kjo do të thotë se ju mund të ndikoni në zhvillimin e përshtatshëm të fëmijës tuaj, të siguroni mirërritjen shoqërore, fizike e të nxisni aftësitë njohëse të tij. Vitet e para lenë gjurmë të përjetshme.

Për vite me radhë besohej se truri i fëmijës është një përsëritje e asaj çfarë ka trashëguar nga prindërit. Për shembull, nëqoftëse mamaja është një artiste, atëhere edhe fëmija ka të njëjtat prirje si dhe nëna e kështu ka mundësi më të madhe për t`u bërë edhe ai artist.

Por studimet e tashme kanë treguar se edhe mjedisi ka një ndikim po aq të rëndësishëm sa edhe trashëgimia gjenetike.

Së fundi, shkencëtarët kanë provuar se përvojat e fëmijës në ditët, muajt dhe vitet e para kanë ndikim shumë të madh në zhvillimin e trurit.

Sipas këtyre studimeve, për t`u zhvilluar dhe për të shprehur tërë aftësitë që ka trashëguar, fëmija ka nevojë për disa elementë thelbësorë:

• Të ndihet se është i veçantë, që e duan dhe e vlerësojnë

• Të ndihet i sigurtë

• Të njohë mjedisin ku jeton

• Ka nevojë për dikë që ta drejtojë, që t`i tregojë udhën

• Të njohë dhe provojë në ekuilibër të plotë liritë dhe kufizimet e tij. Duhet të dijë se çfarë i lejohet dhe çfarë jo.

• Duhet të qëndrojë në mjedise të larmishme ku bisedohet, lexohet, dëgjohet muzikë, luhet etj.

Shpesh ne mendojmë se fëmija nuk kupton dhe se gjithçka zhvillohet shumë thjesht, por në fakt truri i të voglit është dy herë më shumë aktiv se sa truri i një të rrituri. Studiuesit mendojnë se gjithçka duhet të përqëndrohet në 3 vitet e para të jetës. Kjo periudhë përcaktohet nga ata si periudhë kritike. Gjatë kësaj periudhe truri i fëmijës ka aftësi maksimale për të nxënë, për të mësuar. Por jo vetëm kaq. Pikërisht në këtë periudhë vendosen bazat e të menduarit, e të përgjigjurit dhe e të zgjidhurit të problemeve. Për shembull, keni vënë re se sa e lehtë është për një fëmijë që të kapë fjalë nga një gjuhë e huaj dhe sa e vështirë është e njëjta gjë për një të rritur.

Çfarë kuptimi ka kjo për ju si prind?

Kjo do të thotë se ju vetë dhe mjedisi që do të krijoni përreth fëmijës tuaj do të ndikojë në mënyrën se si ai do të mendojë, si do të kontrollojë emocionet e tij, si do të bashkëveprojë me të tjerët. dhe si do të rritet fizikisht. Duke krijuar një mjedis të përshtatshëm, kuptohet se ju krijoni mundësi për një zhvillim normal të trurit të tij.

Pyetja e natyrshme që lind në këtë rast është: si është ky mjedis i përshtatshëm?

Mjedis i përshtatshëm është ai që në qendër të vet ka fëmijën, që i krijon atij mundësinë për të mësuar dhe që zhvillon interesat dhe personalitetin e fëmijës. Fatmirësisht përbërësit e një mjedisi të mire përfshijnë disa gjëra kryesore, që shumë prindër dëshirojnë të sigurojnë për fëmijët e tyre: ushqim të përshtatshëm; mjedis familjar tëngrohtë dhe të përgjegjshëm; kohë të mjaftueshme për gaz dhe hare; këmbëngulje në vlerat pozitive të jetës; çiltërsinë dhe përfshirje në bisedat familjare; libra të bukur për t`u treguar e lexuar; muzikë për të nxitur veprimtarinë e trurit; dhe lirinë e mjaftueshme për të eksploruar dhe mësuar nga gjërat që e rrethojnë.

Le të shohim shkurt disa prej elementëve që ndikojnë mbi shëndetin e fëmijës dhe se si kontribuon secili prej tyre në zhvillimin e trurit të fëmijës:

Të folurit. Komunikimi me fytyrën e prindit ose të afërmve të tjerë që kujdesen për të, ndihmon shumë në zhvillimin e të folurit; po ashtu edhe të lexuarit e librave fëmijës.

Identifikimi i hershëm i çrregullimeve të zhvillimit. Shumë sëmundje dhe probleme të zhvillimit mund të trajtohen me sukses nëqoftëse zbulohen herët. Për shembull, edhe ata fëmijë që kanë një cen ose dëmtim të trurit, që i bën të paaftë nga ana mendore ose fizike, mund të përfitojnë jashtë mase nëse referohen dhe ndiqen ashtu si duhet nga struktura të specializuara për këtë qëllim (p.sh Qendra Kombëtare e Zhvillimit Mendor).

Mjedis rrethues nxitës. Të jetuarit në një mjedis të sigurt dhe që gjen zgjidhje për probleme të ndryshme, zhvillon të mësuarin.

Harmonia familjare. Rritja e fëmijës në një mjedis familjar ku njerëzit duhen, përkrahin dhe respektojnë njëri tjetrin, nxit respektin dhe besimin ndaj vetes, gjëra që kanë një ndikim shumë të madh në jetën e fëmijës. Gjithmonë e më tepër po zbulohen fakte se sa shumë ndikon mjedisi në zhvillimin e fëmijës. Kjo na bën të kuptojmë rolin e rëndësishëm që ka prindi dhe mjedisi shoqëror dhe familjar në zhvillimin e trurit të fëmijës. Kështu sjelljet dhe përgjigjet tuaja si prind kundrejt fëmijës kanë ndikim kritik në formimin e ardhshëm të fëmijës.

Si mund të ndërtojmë një mjedis pozitiv apo të përshtatshëm në shtëpi dhe në komunitet?

Kujdes të përshtatshëm para lindjes. Zhvillimi i trurit fillon që në bark të nënës, prandaj dhe kujdesi për shtatzaninë ndihmon për zhvillimin e shëndetshëm të trurit të fëmijës. Filloni të kujdeseni për shtatzaninë sa më herët. Bëni vizita të rregullta gjatë shtatzanisë dhe ndiqni këshillat e mjekut. Kujdesuni për ushqyerjen dhe shmangni pijet alkoolike, duhanin etj. Kështu ju keni hedhur disa hapa në kontributin për shëndetin e ardhshëm të fëmijës tuaj.

Mos e izoloni fëmijën tuaj. Të rritësh një fëmijë është e vështirë. Shpesh nevojitet mbështetja e të afërmve, e miqve të familjes dhe pediatrit tuaj. Mos ngurroni të shprehni dhe shkëmbeni përvojat dhe brengat me ta.

Bashkëveproni sa të jetë e mundur më shumë. Flitini, tregojini, lexojini, dëgjoni muzikën që ju pëlqen, vizatoni, luani së bashku. Këto ju lejojnë t`i kushtoni më shumë kohë fëmijës tuaj dhe të njihni më mirë mendimet dhe interest e të voglit. Njëkohësisht, kjo e bën fëmijën të ndihet i rëndësishëm dhe i veçantë. Kjo është një mënyrë për të formuar thesarin e fjalëve të fëmijës në të ardhmen.

Dhurojini fëmijës shumë dashuri dhe vëmendje. Kjo e bën fëmijën të ndjehet mirë. Të zhvillojë ndjenjën e sigurisë dhe të respektit për veten dhe të tjerët.

Bazohuni në synime dhe rregulla të qëndrueshme. Kini kujdes që dhe pjesëtarët e tjerë tëfamiljes apo kujdestarët e mundshëm të fëmijës të zbatojnë të njëjtat rregulla që ju keni menduar për edukimin e fëmijës tuaj. Një gjë e tillë e ndihmon të voglin të mësohet me këto rregulla dhe të mos të ndihet keq nga zbatimi i tyre. Moszbatimi i njëzëshëm i rregullave dhe mosrespektimi i pikësynimeve prindërore nga pjesëtarët e tjerë të familjes, shkakton turbullim tek i vogli.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë