Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Gruaja shtatzënë dhe mjeku obstetër-gjinekolog

Cilat mund të jenë disa nga shenjat, që tregojnë për fillimin e shtatzënisë?

Ka disa shenja, që e bëjnë gruan të dyshojë për fillimin e shtatzënisë.

Enjtja e gjinjve. Për shkak të ndryshimeve hormonale që shkakton ngjizja/fertilizimi, gjinjtë bëhen të ndjeshëm, të dhëmbshëm dhe të fryrë. Kjo mund të jetë shenja e parë që ndjen gruaja, në fillimin e shtatzënisë.

Lodhja, gjumësia. Lodhja dhe gjumësia, janë shoqëruese në fillimet e shtatzënisë. Kjo gjendje mund të jetë shkak i rritjes së progesteronit, si pasojë edhe e fertilizimit.

Gjakrrjedhja me sasi të vogël. Përafërsisht në kohën kur priten që të vijnë menstruacionet e rradhës, vërehet gjakrrjedhje vaginale në sasi të vogël dhe ndonjëherë edhe në sasi të mëdha. Shkaku i gjakrrjedhjes, mendohet se vjen nga implantimi i vezës në muret e mitrës. Sasia e vogël me kohëzgjatje deri në 2 ditë, nuk duhet ta shqetësojnë gruan sepse edhe kjo mund të konsiderohet si shenjë e fillimit të shtatzënisë. Kur gjakrrjedhja shoqërohet me dhëmbje, në shumicën e rasteve është konstatuar se shtatzënia është implantuar jashtë mitre. Prandaj, në rastet e gjakrrjedhjes, sidomos kur ekziston mendimi për fillimin e shtatzënisë, është i rëndësishëm kontrolli mjeksor.

Rritje e ndjeshmërisë ndaj aromave, apo ndjenja e të vjellit. Rritja e ndjeshmërisë ndaj aromave apo ndjenja e të vjellit, shfaqet më shpesh në shtatzëninë e parë. Nuk përjashtohen edhe rastet, që këto ndjeshmëri të shfaqen edhe në shtatzënitë e tjera të rradhës.

Ndjenja e fryrjes së barkut. Edhe ndjenja e fryrjes së barkut, vjen si shkak i ndryshimeve hormonale në shtatzëni. Megjithëse është pothuaj e njëjta ndjenjë me ndjenjën para ardhjes së menstruacioneve, e shoqëruar me shenjat e tjera, mund të jetë pasojë e fillimit të shtatzënisë.

Urinimi i shpeshtë. Gjatë shtatzënisë, rritet sasia e lëngjeve në organizmin e gruas. Lëngjet e tepërta si dhe presioni që shkakton mitra në fshigzën e urinës, është një nga arsyet e kërkesës për shkarkim e ujrave të tepërt.

Mosardhja e menstruacioneve në kohën e pritshme. Në rastet kur shtatzënia është e dëshiruar, me vonesën më të parë të mosardhjes së menstruacioneve, gratë bëjnë testin e shtatzënisë për ta konfirmuar atë. Kjo është e vërtetë, mosardhja e menstruacioneve të rradhës në kohën e pritshme, është një nga shenjat më domethënëse të fillimit të shtatzënisë.

Rritja e temperaturës së trupit. Midis shenjave të mësipërme, rrit dyshimin mbi fillimin e shtatzënisë edhe rritja e temperaturës së trupit për një periudhë prej rreth 20 ditë pas fertilizimit. Duhet konsideruar e rëndësishme, kur temperatura qëndron vazhdimisht në nivele konstante relativisht të larta.

Testi pozitiv i shtatzënisë. Prania e gjitha shenjave të mësipërme, nuk janë tregues i mjaftueshëm për të saktësuar fillimin e shtatzënisë. Testi i shtatzënisë i kryer rreth 1 javë pas ditës kur pritej ardhja e menstruacioneve të radhës, është shumë i besueshëm për të verifikuar atë. Pavarësisht nga rezultati i testit të shtatzënisë, gruaja duhet të kontaktoj mjekun gjinekolog për të vlerësuar gjendjen e saj shëndetsore.

Kur duhet bërë paraqitja e parë tek mjeku, për të vërtetuar fillimin e shtatzënisë?

Prania edhe vetëm e një shenje, e veçanërisht ndërprerja e gjakrrjedhjes si shkak i menstruacioneve, duhet ta drejtojë gruan në konsultë me mjekun gjinekolog. Ndërsa testi pozitiv i shtatzënisë, e drejton gruan tek mjeku gjinekolog për të marrë konfirmimin e saktë të fillimit të shtatzënisë si dhe për të kryer vizitë gjinekologjike dhe ekzaminime të rëndësishme të cilat vlejnë për të patur ecuri normale të saj.

Me vizitë gjinekologjike dhe ekzaminime ekografike/ultrazë/ultrasonografi, mjeku konfirmon shtatzëninë dhe vlerëson moshës së saj. Gjithashtu me vizitë gjinekologjike, ai kontrollon dhe vlerëson qafën e mitrës dhe përjashton keqformimet e aparatit gjenital të gruas. Mjeku vlerëson sekrecionet vaginale dhe mundësisht kryen marrjen e materialit biologjik nga qafa e mitrës për të bërë analizën laboratorike. Gjithashtu mjeku vlerëson presionin/tensionin arterial. Kryen edhe matjen e peshës si dhe përmasat trupore të nënës së ardhshme.

Për të realizuar këto kontrolle dhe analiza, mjeku mund të realizojë vizitë manuale. Këtu fillon marrëdhënia speciale grua-mjek, e cila duhet të bazohet në besim reciprok të vazhdueshëm deri në lindjen e fëmijës.

Marrja e anamnezës nga mjeku, është një nga qëllimet e kësaj vizite. Edhe mbi bazën e saj, mjeku do të dijë se si të interpretojë vizitën gjinekologjike dhe ekzaminimet laboratorike.

Gruaja shtatzënë, që në vizitën e parë, pajiset me një fletore të parapregatitur, në të cilën rregjistrohet e gjithë historia e shtatzënisë nga kontrolli i parë shëndetsor e deri në lindjen e fëmijës.

Sa vizita mjeksore, duhet të kryhen gjatë shtatzënisë?

Për shtatzënitë normale, rekomandohet që kontrollet mjeksore të kryhen çdo muaj deri në muajin e shtatë. Në muajin e tetë, kontrollet mjeksore shtohen dhe bëhen çdo dy javë dhe në muajin e nëntë, këshillohet që kontrollet mjeksore të kryhen çdo javë. Në rast të problemeve të paparashikuara shëndetsore si të nënës ashtu edhe të embrionit/fetusit, numri i kontrolleve edhe mund të shpeshtohet.

Sa ekzaminime me ekografi/ultrazë, mund të kryhen gjatë shtatzënisë?

Praktika të ndryshme mjeksore, kërkojnë numër të ndryshëm ekzaminimesh rutinë me ekografi. Konsideroj se janë të mjaftueshëm, tre ekzaminime rutinë me ekografi.

Ekografia e parë: bëhet rreth javëve 8-12 të shtatzënisë, kryesisht me ekzaminim transvaginal (me sondë vaginale).

Me këtë ekzaminim mund të vlerësohet mosha e përafërt e embrionit/fetusit, zhvillimi i tij me të rrahurat e zemrës fetale dhe lëvizjet aktive apo dhe shtatzënia e dyfishtë, vlerësohen keqformimet e papajtueshme me jetën, vlerësohen keqformimet e fibromiozave uterine apo të cisteve të ovareve, vlerësohen me shenja të tërthorta sëmundjet kromozonike të fetusit. Për këtë qëllim, matet e ashtëquajtura translucensa nucale (NT).

Ekografia e dytë: bëhet rreth javës së 20-22 të shtatzënisë, kryesisht me ekzaminim nga barku (me sondë abdominale). Ky ekzaminim quhet edhe “ekografia morfologjike”.

Me këtë ekzaminim mund të vlerësohet zhvillimi i organeve të brendshme të fetusit, shenjat e drejtëpërdrejta ose të dyshuara për keqformime mbi sasinë e lëngut amniotik dhe organeve të tjera, rrahjet e zemrës fetale, trashësia e lëkurës prapa qafës fetale si tregues i dyshuar për ç’rregullime të mundshme kromozotike, fluksi i gjakut që merr fetusi nga nëna me anë të kordonit të kërthizës, sasia e lëngut amniotik, pozicioni dhe struktura e placentës, trashësia e kordonit të kërthizës, gjinia e fetusit kur pozicioni fetal është i favorshëm.

Ekografia e tretë: bëhet rreth javës së 30-34 të shtatzënisë për të rivlerësuar zhvillimin fetal dhe vënë në dukje problemet e mos evidentuara më parë. Në këtë ekzaminim, kryhen kontrolle që gjinekologu vlerëson si të domosdoshme.

Vizitat e tjera me ekografi janë të domosdoshme të kryhen, vetëm kur mjeku specialist gjinekolog arsyeton kryerjen e tyre.

Kryerja e ekografive, nuk dëmton fetusin gjatë periudhës së shtatzënisë. Nuk ka të dhëna të deritanishme, për efekte anësore apo pasoja të mëvonshme tek fëmija juaj i ardhshëm. Gjithashtu ekografia, nuk ka pasoja për shëndetin e nënës në përgjithësi apo pasoja në shëndetin e saj riprodhues.

Cilat janë disa nga arsyet që gruaja shtatzënë, duhet të kontaktoj mjekun?

 Mosha e gruas shtatzënë. Është e vlerësuar që periudha më e përshtatshme për të patur ecuri konforte të shtatzënisë, është periudha për rreth moshës nga 17-të vjeç deri në 35-së vjeç. Kjo do të thotë që gratë shtatzëna nën dhe mbi moshën e përshkruar, duhet të kenë kontakte më të shpeshta me mjekun.

 Përmasat trupore. Gjatësia e nënës nën 145 cm ose ngushtim i kockave të legenit, i lindur apo i fituar, si dhe shtesa e peshës së nënës mbi 13 kg gjatë shtatzënisë ose humbje e peshës së saj gjatë shtatzënisë.

 Keqformime të vërtetuara të mitrës apo të qafës së mitrës ose pamundësia e qafës së mitrës për të mbajtur fetusin, si dhe prania e fibromiomave të ditura më parë apo të diagnostikuara gjatë vizitës së parë para lindjes.

 Kur gruaja ka kryer ndërhyrje të mëparshme kirurgjikale të çdo lloji, sidomos në organet gjenitale.

 Të vjella e shpeshta, ankesa gjatë urinimit, rrjedhje dhe hemorragji vaginale gjatë shtatzënisë.

 Dhimbje barku, të çfarëdo lloj natyre qofshin ato.

 Prania e vazhdueshme e faktorëve stresues dhe problemeve psikologjike apo e gjendjes depresive mbas lindjeve të mëparshme.

 Probleme të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj gruas shtatzënë.

 Histori familjare për keqformime gjenetike apo të trashëguara, në linjën vertikale të familjes së saj ashtu dhe të familjes së bashkëshortit.

 Kur ka pasur sëmundje të zemrës të diagnostikuara më parë, tension të lartë të gjakut, sëmundje të veshkave, të mushkërive, diabetit, sëmundje të gjakut, të tiroides, epilepsisë, sëmundje të mëlçisë, përdorim të duhanit, drogës apo pijeve alkoolike.

 Ekspozimi ndaj lëndëve dëmtuese si; radiacioni, lëndë kimike, gazra helmues apo infeksione virale dhe bakteriale.

 Periudha e shkurtër midis dy lindjeve, për më pak se një vit.

 Lindje të mëparshme të fëmijëve me peshë të madhe, mbi 4000 gram, lindje të shumta mbi katër fëmijë, lindje të mëparshme para kohe, lindje të vështira të mëparshme si p.sh. nga asfiksia, lindje të mëparshme të fëmijëve me keqformime të lindura.

 Dy ose me shumë aborte spontane të mëparshme.

 Fëmijë të lindur të vdekur apo që kanë vdekur menjëherë mbas lindjes, në shtatzënitë e mëparshme.

 Paraqitje jo normale të fëmijës, në lindjet e mëparshme apo lindje të mëparshme me operacion apo forceps.

 Pakësimi i lëvizjeve fetale, më pak se 12-të lëvizje në 24 orë.

 Fillimi i kontraksioneve uterine, para se të fillojë aktiviteti i lindjes.

 Shkëputja e tapës mukoide apo rrjedhje të ujrave, para se të fillojë aktiviteti i lindjes.

 Tejkalimi i datës së parashikuar për lindje, i përcaktuar nga dita e parë e menstruacioneve të fundit përpara fillimit të shtatzënisë dhe i korrektuar me ekografi, më shumë se një javë.

Për çfarë arsye, duhet të kryhen vizitat vaginale gjatë shtatzënisë?

Gjatë shtatzënisë, për shkaqe të argumentuara, mjeku mund të kërkojë kryerjen e disa vizitave vaginale. Vizitat vaginale nuk kryhen, vetëm në rastet kur shtatzënia e mëparshme ka paraqitur hemorragji para lindjes dhe/ose kur kanë plasur membranat dhe/ose kur ka rrjedhje të ujrave amniotike.

Vizitat vaginale, kryhen për të përcaktuar dhe vlerësuar:

 Pamundësinë e qafës së mitrës për të mbajtur shtatzëninë deri në fund të saj dhe rrezikun e lindjes para kohe.

 Mundësinë e rrezikut për abort.

 Gjendjen e qafës së mitrës, para se të stimulohet artificialisht aktiviteti i lindjes në fund të shtatzënisë.

 Pjesën paraqitëse/pozicionin e fetusit, para se të fillojë aktiviteti i lindjes.

 Vlerësuar gjendjen e rrugëve të lindjes.

Për çfarë arsye, duhet të kryhen ekzaminimet laboratorike gjatë shtatzënisë?

Gjatë shtatzënisë, për shkaqe të argumentuara, mjeku mund të kërkojë kryerjen e disa ekzaminimeve laboratorike si:

 Hemograma, analiza e gjakut komplet.

 Teste urinare për albuminë, glukozë dhe prani bakteriale.

 Vlerësimin e shkallës së pastërtisë vaginale.

 Grupin e gjakut, faktorin Rh dhe teste serologjike për arsye të specifikuara.

 Pap-testin, edhe kur qafa e mitrës duket normale me sy të lirë.

Çfarë duhet vlerësuar, gjatë shtatzënisë?

Çdo ditë deri në lindje të fëmijës, për të vlerësuar se shtatzënia po ecën në rrugë normale, momentet më të rëndësishme janë:

Lëvizjet e fetusit. Diku midis javës 18-të dhe javës së 22-të, fillojnë të ndihen lëvizjet e fetusit. Në shtatzëninë e parë, lëvizjet fetale ndihen nga java e 20-të deri në javën e 22-të. Në shtatzënitë e tjera, lëvizjet fetale ndihen nga java e 18-të deri në javën e 20-të. Lëvizjet e fetusit, tregojnë se zhvillimi i tij është normal. Në 3 mujorin e tretë, është e mundur të shikohet apo preket këmba dhe dora, mbi barkun e nënës. Gjithashtu nëna duhet të dijë që numri i lëvizjeve të fetusit vlerësohet si normale, kur ato rregjistrohen mbi 12 të tilla, gjatë kohës zgjuar.

Rrahjet e zemrës fetale. Rrahjet e zemrës, janë tregues i mirërritjes fetale. Me ekografi, ato mund të ndigjohen dhe shikohen nga java e 5-të apo e 6-të e shtatzënisë. Normalisht numërohen nga 120-të deri 160-të rrahje në minutë. Kur numri i rrahjeve të zemrës fetale është më i vogël se 120-të rrahje në minute apo kur numri i rrahjeve të zemrës fetale është më shumë se 160-të rrahje në minute, duhet kërkuar ndihma e mjekut gjinekolog.

Kur lindja nuk realizohet deri në fund të javës së 40-të, gruaja duhet të paraqitet tek mjeku gjinekolog.

Për rastet e tjera që konsiderohen të rënda, duhet të kërkohen vlerësime mjeksore për ecurinë e shtatzënisë.

Kur do lindë fëmija?

Kjo është pyetja e parë që bën gruaja, sapo konfirmon që ka filluar një shtatzëni.

Përgjigja merret, kur dihet dhe vendoset një ditë referuese. Si ditë më të përshtatshme janë; dita e fekondimit të vezës, ose dita e parë e fillimit të menstruacioneve të fundit. Mund të merren edhe ditë të tjera, por nuk janë të sigurta ose janë tepër të komplikuara për t’u konsideruar. Siguria e ditës së fertilizimit rrallë herë është e qartë, për shkak se çiftet kryejë raporte seksuale të vazhdueshme dhe të pa mbrojtura. Për të përcaktuar ditën e lindjes, mjekut i duhet një ditë referuese më e saktë dhe më thjeshtë për t’u vendosur. Si e tillë, edhe për shkak se mbahet mënd shumë mirë nga gruaja, rekomandohet dita e parë e fillimit të menstruacioneve të fundit.

Ndjekja çdo javë e shtatzënisë është ndarja më e vogël kohore, që përdoren nga mjekët, sepse edhe ndryshimet normale të ecurisë së saj janë të dukshme dhe reale. Mbi këtë marrëveshje, konsiderohet që kohëzgjatja normale e shtatzënisë, është 40-të javë nga dita e parë e menstruacioneve të fundit.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Prill 2011

gyltene (8 muaj më parë)
lindjen e par e kom pas me operacjon a do ta keme edhe ket me opercjon apo normal?
Dana 1 (2 vite më parë)
Pershendetje. Un jam ne vajze shatzene ne javen e 8. Dje bera eko dhe degjuam rrahjet e bebit qe ishin 162 rrahje ne minute, pra 2 me shume se cthoni ju. Ndersa gjatesia ishte 1.44 cm . Mjeku me tha qe eshte normal. A mund te me shpjegoni edhe ju ne menyre qe te jem me e qete ?
r star otr (2 vite më parë)
pershendetje zonje,,,,,,,jam nje goce e re...nuk kuptoj shume nga shtatzenia por te sugjeroj te mos degjosh shume fjalet e njerezve por te konsultohesh me mjekun ne qofte se deshiron qe ai femije te mbijetoje...di vetm nje gje qe e kam degjuar nga mjeket .qe ne raste te tilla nuk duhen perdorur antibiotike vetem nese gjendja jote shendetesore eshte shume e rende por prape vetm me keshillimin e mjekut.............shpresoj qe cdo gje te shkoje mire...........me respekt....caoo
nena e brengosur (2 vite më parë)
Jam 39 vjeq kam nji vajz 9 vjeq kam pasur dy aborte ne javen e nent si kam hy mbas dy vjete te abortit te dyt jam shtazan jam ne javen e dymbedhjet por kam nji shtatzani te mir pa problem po kam nji hall kam nni grip qe per 10 dite skam mundur te jem e sheruar me kaloj gripi po tash kam nji kollitje katastrofale sa qe me dheb gjdo pjes e trupit nga kollitja e tepert me gjitha e kam provuar ta largoj po kot dmth pa terapi mjeksore se kam frig mos i bej dem te voglit tim pytja ime eshte a mund te ndikoj kjo kollitje e mqllkuar ne bebin tim kjo me mundon kam frig shum ju lutem nji sqarim se ktu ne gjermani ku jetoj une e shof se nuk e kishin edhe fort perkujdesin e nenes shtattzen siq eshte ne shtetin.ton ks

/komuniteti