Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Vetë kontrolli i gjirit

Vetë kontrolli i gjirit zgjat vetëm pak minuta, nuk kushton fare por ju mbron jetën!

Vetë kontrolli i gjirit, është një nga mënyrat e kapjes së hershme të kancerit të gjirit.

Vetë kontrolli i gjirit, bëhet duke kontrolluar gjirin nëpërmjet prekjes me duar për të vërejtur nëse ka ndonjë ndryshim të pazakontë tek ta. Duke kontrolluar gjinjtë rregullisht, ju do të mësoni se si është pamja normale e tyre. Kjo gjë do t’ju ndihmojë të vini re menjëherë ndonjë ndryshim që mund të ndodhë në gji dhe të shkoni sa më shpejt tek mjeku.

Gjëndrat në gji mund të shikohen apo të zbulohen shumë thjeshtë nga vetë gruaja, por kanë shumë rëndësi nëse zbulohen në kohë.

Shumë raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë grate, të cilat nëpërmjet prekjes së gjirit kanë vërejtur ndryshime të cilat i kanë detyruar të shkojnë tek mjeku. Vetë kontrolli i gjirit ka rëndësinë e vet, gjithmonë nëse realizohet në mënyrë korrekte. Prandaj është e këshillueshme që vetë kontrolli i gjirit në fillim të mësohet nga mjeku.

Kur bëhet vetë kontrolli i gjirit?

Vetë kontrolli i gjirit duhet të bëhet një herë në muaj, duke filluar qysh nga mosha 20 vjeçare. Por në çfarëdo moshe që të jeni, duhet ta ktheni në zakon kontrollin mujor të gjirit. Kontrolli i gjirit këshillohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, 3-4 ditë mbas tyre. Kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund tu ngatërojnë. Për gratë në menopauzë vetë kontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji. Kjo bëhet me qëllim, që ju ta keni më të lehtë për tu kujtuar. Duke i kontrolluar gjinjtë çdo muaj, ju do të bëheni familjar me ta, do të njihni se si janë ata zakonisht dhe kështu do të vini re menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në ta.

Si bëhet vetë kontrolli i gjirit?

Është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim, kur është duke bërë dush, kur është duke ndenjur shtrirë, apo duke qëndruar përpara pasqyrës. Me dorë, lehtë me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me rrallë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë.

Indet e gjirit përfshijnë një sipërfaqe më të madhe se gjinjtë, prandaj, kontrollo, prek dhe shiko të gjithë sipërfaqen e gjirit duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat.

Filloni që tani të ndiqni hapat e mëposhtme:

1. Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosni duart në mes dhe merrni frymë me energji. Ky veprim tendos muskujt e kraharorit duke dhënë një mundësi për t’i parë më mirë gjinjtë.

Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?

2. Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosni duart pas kokës. Kthejeni trupin majtas. Kthejeni trupin djathtas.

Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?

3. Kontrolloni me majat e gishtave të dorës së djathtë gjirin e majtë dhe me majat e gishtave të dorës së majtë gjirin e djathtë, duke shkuar deri tek sqetullat.

Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?

4. Kontrolloni me të prekur sqetullën e djathtë, pastaj dhe sqetullën e majtë.

Vini re: Mos ka ndonjë kokërr nën sqetull?

Çfarë ndryshimesh në gji duhet t’ju tërheqin vëmëndjen?

Ju duhet të shkoni menjëherë tek mjeku nëse vini re shenja jo normale si:

• Zmadhim apo forcim të gjirit, që nuk është normale për ju. Zakonisht, shumë gra para periodave kanë gjoks të fortë dhe të dhimbshëm, por kjo është një gjë normale.

• Gjëndra apo mahisje në gji.

• Rrudhosje apo gropësim të lëkurës së gjirit.

• Njëri gji është më i ulët se tjetri në mënyrë të pazakontë.

• Tërheqje nga brënda e thithkave të gjirit ose rrjedhje lëngu apo gjaku prej tyre.

• Dhe çdo gjë tjetër, që nuk ju duket normal.

Por, jo të gjitha gjëndrat që mund të dalin në gji janë kancer, 9 nga 10 të tilla nuk kthehen në kanceroze. Megjithatë pa frikë apo ankth, drejtohuni sa më shpejt të jetë e mundur tek mjeku nëse vini re ndonjë ndryshim jo normal tek gjinjtë tuaj. Vetëm mjeku mund të bëjë dallimin.

Përpiquni ta bëni zakon bërjen e vetë kontrollit të gjirit një herë në muaj!

Vetë kontrolli i gjirit zgjat vetëm pak minuta, nuk kushton fare por ju mbron jetën!

Vetë kontrolli mujor i gjirit, është vetëm një pjesë e kujdesit për gjirin. Çdo femër e moshës 20 deri 40 vjeç duhet të kryejë edhe një EKO të gjirit çdo 2-3 vjet. Çdo femër e moshës mbi 40 vjeç, përveç vetë ekaminimit mujor të gjirit duhet të kryejë edhe një mamografi çdo 2-3 vjet.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Tetor 2011

Botuar në nr.10 të Revistës Shëndeti Riprodhues, organ i Institutit të Shëndetit Publik, Shqiptar

Loresa (5 vite më parë)
Une jam 18 vjeqare dhe desha te te pyes per zhvillimin e gjirir, nuk i kam te zhvilluara as sa duhet per nje mosh timen,shume shume pak me jan zhvilluar qka me kishe rekomanduare. Ju faleminderit!
Vlora (6 vite më parë)
Jam nene gjidhenese, e kam femiun 2 muajsh, dhe deshta me ju pyet, a eshte normale qe kam dhimbje ne gjinje, sidomos kur e nij percjelljen e qumeshtit? A guxoj me be EKO te gjirit? Faleminderit Vlora.

/komuniteti