Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Dhembja e shpines dhe pesha

Pershendetje. Kam 7 jave qe nga lindja e bebes dhembja ne shpine me ka filluar pas lindjes, dhembje te forte kam gjate gjidhenjes, gjithashtu kam shtu 30 kg gjate shtatzenise, si mund te evitoj dhembjen, ose a mundem me praktiku ushtrime fizike, e per shkak te peshes a mund te perdor sauna? Ju faleminderit!

Bukurie (14 vite më parë)

MD Mimoza Keta - obstetre - gjinekologe
Gjinekologja përgjigjet
MD Mimoza Keta

Gjatë shtatzënisë, gruaja deri në lindje shton mesatarisht në peshë nga 11.5 deri në 16 kg. Kur gruaja e nis shtatzëninë nën peshë, deri në lindje mund të shtojë edhe deri në 18-19 kg. Nëse e nis shtatzëninë në gjendjen e mbi peshës apo të obezitetit, shtesa në peshë deri në lindje shkon deri në 11.5 kg. Siç vërehet shtesa në peshë gjatë shtatzënisë deri në lindje, varet nga indeksi i masës trupor të gruas. Me lindjen e bebit, pamja fizike e gruas mbetet e ndryshuar, dhe në përgjithësi paraqitet me shtesë në peshë e krahasuar me gjendjen para shtatzënisë. Me kalimin e ditëve dhe javëve pas lindjes, është e mundur rikthimi i peshës së paralindjes.

Shtesa në peshë që përshkruan ti Bukurie, është mjaft e madhe. Kjo masë, patjetër bëhet shkak edhe për dhëmbjet që tregon sidomos ato të shpinës. Për të kontrolluar masën trupore, janë të rekomanduara të gjitha rrugët që të çojnë në uljen e saj pas lindjes.

Rruga e parë është kontrolli mbi sasinë e masës ushqimore, që konsumon gruaja. Një konsultë me mjekun dietolog, për të përcaktuar dietën që duhet të përdorë specifikisht çdo grua, është shumë e domosdoshme. Domosdoshmëria shtohet edhe për shkak të periudhës së laktacionit, sepse duhen ruajtur sasitë dhe vlerat ushqimore të ushqyerjes së fëmijës me gji.

Edhe ushtrimet gjimnastikore, janë rrugë efektive për kontrollin e masës trupore. Nuk ka rëndësi realizimi i tyre në palestër, apo në kushtet e shtëpisë. E rëndësishme është që duhet të kryhen ato ushtrime të cilat nuk janë të mërzitëshme, të lodhëshme dhe që kërkojnë impenjim jo normal të kohës apo gjëndjes shpirtërore. Ushtrimet gjimnastikore në ujë, janë më të rekomanduara për rastet e kontrollit të peshës pas lindjes. Edhe saunat nuk janë të kundërindikuara, prandaj përdorimi i tyre është i rekomanduar për të kontrolluar masën trupore të gruas pas lindjes.

Për të evituar dhëmbjet e shpinës dhe të gjymtyrëve për shkak të masës trupore të madhe, pa ndikuar në cilësinë apo sasinë e qumështit të gjirit, unë rekomandoj përdorimin e medikamentit osteopan.

Megjithëse ekzistojnë shumë rrugë dhe mënyra për të kontrolluar masën trupore, gratë në përgjithësi kanë problem me peshën e tyre. Eksperienca tregon se pa vullnet dhe këmbëngulje të fortë, masa trupore nuk është e mundur të kontrollohet pavarësisht rrugëve që rekomandon mjeksia e sotme. Rregullimi i masës trupore, çon edhe në eliminimin e dhëmbjeve të shpinës apo gjymtyrëve.

/komuniteti