Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Variçet dhe ushqimi gjatë shtatzënisë së hershme

Pershendetje doktor, jam Eni 31 vjec, ne pritje te femijes se dyte.


Jam gati 8 javeshe dhe i vetmi shqetesim per momentin eshte shfaqja e dukshme e nje variçeje ne kemben e majte, ne brendesi te gjurit. Çfare duhet te bej ne kete rast?


Dhe nje pyetje qe po e mendoj pikerisht tani. Çfare duhet te ha, sepse kam nisur nje shtatzeni me me teper peshe, sec isha realisht para pushimeve.

Eni (13 vite më parë)

Dr. Mr. Sci Memli Morina - obstetër - gjinekolog
Gjinekologja përgjigjet
Dr. Mr. Sci Memli Morina

Pershendetje Eni,

Venat varikoze zakonisht shihen në këmbë. Poashtu mund të shfaqen edhe në vulvë (në hyrje të vaginës). Zakonisht tërhiqen pas lindjes.

· Përpiquni që të mos qëndroni në këmbë për një kohë të gjatë.

· Mos u ulni me këmbë të kryqëzuara.

· Përpiquni të mos shtoni shumë peshë, sepse kjo e rrit presionin.

· Përpiquni që sa më shpesh të uleni me këmbë të ngritura

· Fleni me këmbë të ngritura në nivel më të lartë se trupi; nën këmbë futni jastekë, libra të trashë ose ndonjë tullë.

Bëni ushtrime trupore, ecni në ajër të pastër dhe notoni.

Ushqimi i shëndetshëm është pjesë e mënyrës së shëndoshë së të jetuarit. Kjo vlen për krejt jetën, por sidomos nëse planifikoni që të mbeteni shtatzënë ose nëse tashmë jeni shtatzënë.

Nëse hani ushqim të shëndetshëm gjatë shtatzënisë, kjo i ndihmon bebes suaj që të rritet dhe të zhvillohet. Nuk keni nevojë për dietë speciale për të krijuar baraspeshën me të gjitha materiet ushqyese për të cilat keni nevojë ju dhe bebja juaj. Krejt çfarë duhet të bëni është që të hani ushqim të llojllojshëm dhe t’i eliminoni disa ushqime nga dieta.

Tash kur jeni shtatzënë nuk keni nevojë që “të hani për dy veta”. Rëndësi ka cilësia dhe jo sasia. Me disa përjashtime ju mund të hani të gjitha ushqimet që ju pëlqejnë. Kur themi se duhet të hani ushqim të shëndetshëm nuk do të thotë se duhet t’i evitoni ushqimet që ju pëlqejnë. Shpesh mjafton që vetëm të ndryshoni sasinë e ushqimeve të ndryshme që i hani.

Hani shumë fruta dhe perime sepse kanë vitamina, minerale dhe fibra të cilat e ndihmojnë tretjen dhe e parandalojnë kapsllëkun. Buka, patatet, orizi, pastat dhe cerealet janë shumë të rëndësishme dhe bashkë me perimet duhet të jenë pjesa kryesore e çdo shujte.

Çdo ditë duhet të hani mish pa dhjam, peshk, mish pule, vezë dhe djath.

Qumështi, djathi dhe jogurti përmbajnë kalcium dhe materie tjera ushqyese të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e bebes. Nëse keni mundësi merrni këto produkte me përqindje më të ulët të yndyrës.

Përpiquni të hani sa më pak ëmbëlsira dhe pije me sheqer (kola për shembull). Sheqeri ka kalori dhe nuk ka materie tjera ushqyese për të cilat ka nevojë organizmi. Përveq kësaj sheqeri dëmton dhëmbët tuaj.

Mos hani ushqime të yndyrshme. Shumë prej nesh hamë më shumë yndyrna se ç’kemi nevojë. Yndyra ka shumë kalori, ju bën të shtoni në peshë dhe rrit rrezikun për sëmundje të zemrës.

Keni kujdes me pijet të cilat kanë kafeinë si kafeja, çaji dhe kola sepse ekziston rreziku që sasia e tepërt e kafeinës të ndikojë në peshën e bebes. Këto pije zëvendësoni me kafe ose çaj pa kafeinë. Pini lëngje frutash dhe ujë mineral.

/komuniteti