Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Shenjat e fillimit të lindjes

E nderuara doktoreshë, cilat janë simptomet që një shtatzënë duhet ti di, që e ka kohën e lindjes apo më mirë të them çfarë lloj dhimbjesh janë ato si kishit mundur të mi përshkruanit? Ju flm.

Teuta (14 vite më parë)

MD Mimoza Keta - obstetre - gjinekologe
Gjinekologja përgjigjet
MD Mimoza Keta

Shenjat që tregojnë se bebi po vjen, janë; shkëputja e tapës mukoide, plasja e ujrave dhe kontraksionet.

Tapa mukoide gjatë shtatzënisë, luan rolin e bllokimit të qafës së mitrës. Shkëputja e saj mund të ndodhë si shenjë e parë e fillimit të proçesit të lindjes, ose mund të vijë pas shenjave të tjera. Plasja e ujrave, ndodh nga çarja e membranave dhe bën të rrjedhin ujrat ku fetusi ka jetuar prej 9 muaj në organizmin e nënës. Rrjedhja mund të jetë e vrullshme ose në sasi të vogël. Duhet patur parasysh që në këtë moment është mirë që çdo grua shtatzënë të drejtohet pranë shtëpive të lindjes. Kontraksionet mund të quhen si shenja e tretë e fillimit të lindjes. Ato paraqiten si sforcime të dhimbshme çdo 20-30 minuta dhe janë shenja që tregon se fëmija ka nisur rrugën e daljes. Fillimisht kontraksionet fillojnë të lehta dhe të çrregullta, me kohëzgjatje prej disa sekondash. Më vonë bëhen më të shpeshta dhe me ritmike. Kur hapja e qafës së mitrës shkon në 2-3 cm, kontraksionet përshpejtohen më shumë duke arritur maksimumin e tyre në fund të dilatacionit çdo 2 minuta me kohëzgjatje rreth 50 sek.

E rëndësishme për çdo grua shtatzënë është, që në momentin që vëren edhe vetëm një nga shenjat e mësipërme duhet t’i drejtohet mjekut që ndjek shtatzëninë ose shtëpisë së lindjes.

Çfarë rekomandohet për këtë periudhë?

Ecja dhe lëvizje të lehta në kohën midis dy kontraksioneve. Gjatë kontraksionit gruaja të qëndrojë ulur ose shtrirë, në pozicione të përshtatshme lehtësuese. Urinimi të jetë sa më i shpeshtë. Midis dy kontraksioneve, frymëmarrja të jetë sa më e thellë, ndërsa gjatë kontraksionit frymëmarrja të jetë sa më lehtë. Kur ka mbaruar hapja e qafës së mitrës, që quhet periudha e dilatacionit, fillon periudha e ekspulsionit. Kjo periudhë konsiderohet normale rreth një orë, tek gratë që kanë fëmijën e parë dhe 20-30 minuta tek gratë që kanë me më shumë se një lindje. Në këtë periudhe, ndihmohet dalja e fëmijës nga nëna me shtyrje të lehta dhe të ngadalta. Periudha placentare, fillon pas lindjes së bebit. Ajo përfshin daljen e placentës, kordonin umbelikal dhe membranës fetale. Në këtë periudhë nëna vazhdon të shtyjë, për të ndihmuar daljen e pjesëve të placentës.

/komuniteti