Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kondilomat gjatë shtatzanisë

Çfarë janë kondilomat?

Kondilomat barten përmes kontakteve seksuale

Kondilomat apo lythat gjenital janë sëmundje gjenitale bartëse, të cilën e shkaktojnë tipet e caktuara VHP (virusi human papiloma). VHP ka mbi 100 variacione dhe secila nga këto nuk shkakton kondiloma, por zakonisht vetëm disa nga më të përhapurat. Megjithatë, katër lloje të këtij virusi janë shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës, prandaj menjëherë pas zbulimit të virusit duhet filluar me mjekimin.

Si barten kondilomat?

Kondilomat barten përmes kontakteve seksuale. Megjithatë, është e rëndësishme për tu theksuar që edhe nëse përdorni kondomë, mund të infektoheni sepse barten edhe përmes kontaktit direkt me sekretin dhe lëkurën e sëmurë. Mjafton vetëm prekja me lëkurën e infektuar apo kontakti me sekrecionet trupore gjatë marrëdhënjeve seksuale. Për këtë, kjo sëmundje mban vendin e parë për nga numri i sëmundjeve infektive në botë.

Si duken kondilomat?

Kondilomat zakonisht duken si pika të vogla me ngjyrë të kuqe, roze, dhe të bardhë, të ngjashme me lythat. Gjenden në zonën e jashtme të gjenitaleve por mund të gjenden edhe në pjesën e brendshme të vaginës. Për këtë PAPA testi (testi Papanikolau) është i nevojshëm për gratë e të gjitha grupmoshave, që të shmangen komplikimet, të cilat mund të shfaqen nëse sëmundja nuk shërohet në mënyrë adekuate.

Si shërohen kondilomat në shtatzani?

Nëse jeni diagnostifikuar me kondiloma në shtatzani, mjeku juaj do të përcjellë gjendjen tuaj me kujdes. Terapia e përshkruar për kondilomat gjatë shtatzanisë, është e ndryshme nga terapia e grave të cilat nuk janë shtatzëna. Më së miri është që të konsultoheni me gjinekologun tuaj, që të ju udhëzojë për planin e terapisë i cili është efikas dhe njëkohësisht i sigurtë për ju dhe foshnjen tuaj.

A mund të ndikojnë negativisht kondilomat në shtatzani?

Kondilomat mund të përkeqsohen dukshëm gjatë kohës së shtatzanisë, me faktin që sistemi imunitar është më i dobët se zakonisht, dhe gruaja është më e ekspozuar ndaj infeksioneve dhe viruseve. Pra, ato mund të rriten dhe të zgjerohen. Megjithatë, në shumicën e rasteve, lythat gjenital nuk ndikojnë në shtatzani. Nuk egzistojnë fakte që kondilomat gjatë kohës së shtatzanisë rrisin rrezikun për abort, lindje të parakohshme, preeklampsi apo ndonjë komplikim tjetër të mundshëm.

A mund të ndikojnë negativisht kondilomat tek foshnja?

Nëse keni kondiloma, gjatë lindjes egziston një rrezik i vogël që VHP të bartet tek foshnja përmes lindjes vaginale. Fatmirësisht, edhe nëse virusi bartet, shumica e foshnjave nuk kanë kurrfarë pasojash. Në raste të rralla, tek foshnjat me kondiloma, mund të zhvillohen lythat në fyt.

A mund të kem probleme gjatë lindjes shkaku i kondilomave?

Në disa raste, lythat gjenital mund të shkaktojnë probleme gjatë kohës së shtatzanisë, sepse mund të rriten dhe të rrjedhin gjak. Rritja e kondilomave mund të vështirësojë urinimin, dhe nëse gjenden në vaginë, mund ta bëjnë vaginën më pak elastike dhe mund ta bllokojnë kanalin e lindjes. Nëse vie gjer tek kjo, atëherë zgjidhja është lindja me prerje cezariane.

A ndikojnë kondilomat e mëparshme në shtatzani?

Nëse më parë keni patur kondiloma të cilat i keni shëruar, nuk keni arsye për brengosje. Ka pak gjasa që kondilomat të paraqiten përsëri gjatë kohës së shtatzanisë. Por gjithsesi duhet ti tregoni gjinekologut tuaj për këtë.