Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Sëmundjet parazitare në shtatzëni

Pasojat nga malarja në shtatzëni janë të rënda si për nënën ashtu edhe për fetusin

Trajtimi i infeksioneve parazitare gjatë shtatzënisë, paraqet probleme të vështira për shkak të shpeshtësisë që ato paraqesin. Ka vende ku rreth 44 % të grave shtatzëna bartin infeksion parazitar, dhe specifikisht rreth 24 % e tyre paraqesin infeksione helmintike. Megjithatë incidencë paraqitet në shifra të ndryshme në vende të ndryshme. Mesatarisht ajo mund të vlerësohet në 22/100000 raste.

Parandalimi i infeksioneve parazitare

Parandalimi është gjithmonë metoda e preferuar për të eliminuar ose ulur sëmundjet parazitare. Kur punohet në zona endemike për sëmundjet parazitare, ndërrmeren hapa të ndryshme që ndihmojnë në uljen e rrezikut të infeksionit. Rekomandime speciale duhen dhënë për gratë shtatzëna. Gruaja shtatzënë, që vjen nga zona me rrezik të lartë për malarjen ose tripanosomiazën, duhet marrë në konsideratë për t`u testuar jo vetëm para por edhe pas lindjes.

Trajtimi i infeksioneve parazitare

Është e vështirë të jepen rekomandime terapeutike përfundimtare, kur nuk bëhet prova të kontrollit për agjentët antiparazitare në gratë shtatzëna. Sidoqoftë, shumë rekomandime janë opinione të bazuara në eksperienca dhe më rrallë të bazuara në provat klinike. Gjëja më e rëndësishme për të bërë trajtim korekt për infeksionet parazitare tek gratë shtatzëna është individualizimi i shkaktarëve të infeksionit. Simptomat e sëmundjes janë zakonisht në funksion të parazitit dhe të gjendjes të ushqyerjes së bujtësit. Disa infeksione parazitare mund të mos kërkojnë trajtim të menjëhershëm. Për këto infeksione, trajtimi mund të pres që të fillohet sa më gjatë të jetë e mundur në dekursin e shtatzënisë ose mund të pritet deri pas lindjes. Kjo do të bëjë që të minimizohet rreziku i ekspozimit fetal ndaj medikamenteve.

Malarja, toksoplazma dhe tripanosomia afrikane, kërkojnë ndonjëherë trajtim të menjëhershëm për shkak të rëndësisë që paraqesin këto sëmundje si për nënën ashtu edhe për fetusin. Në raste të tjera të infeksioneve parazitare trajtimi bazohet në rrethanat specifike individuale dhe në shumicën e rasteve ai mund të shtyhet deri në shtatzëninë e vonshme apo pas lindjes.

Infeksionet nga protozoarët

Amebiaza intestinale

Amebiaza intestinale shkaktohet nga një protozoar që quhet entomoeba estolitika. Afërsisht 10 % e popullsisë në botë, paraqet një infeksion të tillë. Ekzistojnë disa studime për kolitin amoebik gjatë shtatzënisë. Nuk janë raportuar efekte të amebiazës mbi fetusin ose placentën.

Gjithashtu nuk janë raportuar raste, për transmetim kongenital. Sidoqoftë, një vonesë e rritjes intrauterine mund të lidhet me amebiazën tek gratë e keq ushqyera. Për arsye të vështirësisë që paraqesin laboratorët për të diagnostifikuar entomoeba estolitike nga enomoeba dispar, trajtimi mund të jetë i gabuar. Gjatë shtatzënisë, kur infeksioni mbetet asimptomatik, atëherë trajtimi i tij mund të shtyhet deri në tremujorin e tretë të shtatzënisë ose deri pas lindjes. Trajtimi i zgjedhur në rastet e infeksioneve simptomatike të moderuara apo të renda, intestinale apo ekstraintestinale, është metronidazoli. Përdorimi i tij gjatë shtatzënisë, sidomos në tremujorin e dytë dhe të tretë nuk ka demonstruar rrezik të lartë për teratogenicidet. Zakonisht metronidazoli nuk rekomandohet në tremujorin e parë të shtatzënisë.

Balantidium coli

Balantidium coli është një tjetër protozoar, ciliar, që mund të infektojë rrallë edhe njeriun. Është gjetur lidhje midis këtij protozoari me derrin dhe me kafshë të tjera. Ky parazit mund të shkaktojë infeksion kolonik human, që është i ngjashëm me atë të amebiazës, dhe shkakton ulçeracion të mukozës intestinale. Simptomat përfshijnë dhimbje abdominale, krampe, nauze dhe diarre të ujshme dhe me gjak. Rekomandimi për trajtim në linjën e parë të terapisë është tetraciklina që zakonisht nuk rekomandohet në shtatzëni. Alternativë është iodoquinol ose metronidazoli. Rekomandimet në literaturë, tregojnë që trajtime të tilla gjatë shtatzënisë duhet të jenë të individualizuara. Metronidazoli preferohet të administrohet pas tremujorit të parë të shtatzënisë.

Plastocystis hominis

Ky protozoar gjendet njëkohësisht si tek bujtësit asimptomatik ashtu edhe tek ata simptomatik me diarre dhe komplikacione gastrointestinale. Diagnostifikimi varet nga identifikimi i këtij mikroorganizmi në emersionet vajore në mikroskop. Kur trajtimi është i domosdoshëm, mund të përdoret metronidazol ose iodoquinol. Metronidazoli preferohet të administrohet pas trumujorit të parë të shtatzënisë.

Giardiasis (giardia lamblia infection)

Ky infeksion është i përhapur në të gjithë botën dhe bëhet shkak për sëmundje intestinale që mund të paraqiten asimptomatike dhe ndonjëherë me simptoma të rënda të diarresë dhe absorbimit të keq të ushqimit. Infeksioni takohet në zonat me popullsi shumë të dendur si rezultat i kontaminimit të ujrave. Cistet e giardia lamblia zhvillohen në formën e trofozoideve, që qëndrojnë në pjesën proksimale të zorrës së trashë. Bujtësit mund të jenë asimptomatik ose të paraqesin simptoma të ndryshme që përfshijnë diarrenë, nauzenë, fryrjen e barkut, dhimbjen e barkut ose diskonfort abdominal, absorbimin e keqë ushqimeve, humbje në peshë dhe dehidratim. Diagnoza mund të jetë e vështirë në infekisonet e shkallës së lehtë por në raste të rënda mund të vendoset me gjetjen e organizmit shkaktar. Giardia, nuk ka efekt direkt mbi fetusin, por tek një nënë e dehidratuar dhe me keq ushqyerje, mund të ketë pasoja mbi fetusin gjatë shtatzënisë. Sidoqoftë terapia primare përmbledh kujdesin për të rregulluar gjendjen ushqyese të nënës duke dhënë likide dhe elektrolite për të rregulluar dehidratimin. Nëse trajtimi është i nevojshëm mund të përdoret paromomycina. Nëse ky mjekim nuk do të jetë i suksesshëm, atëherë mund të përdoret metronidazoli. Metronidazoli preferohet të administrohet pas trumujorit të parë të shtatzënisë.

Trichomoniasis (trichomonas vaginalis infection)

Trikomoniza vaginale shkaktohet nga një protozoarë , flagjelat, që quhet trikomonas vaginalis. Incidenca është rreth 3 milion raste/botë të reja në vit. Menaxhimi optimal për infeksionin e trikomoniazës gjatë shtatzënisë, nuk është i qartë. Ky infeksion është i lidhur me ecurinë fetale gjatë shtatzënisë, duke rritur rrezikun për vonesë të rritjes intrauterine, rrezik lindje parakohe dhe lindje parakohe. Trajtimi në rastet e infeksioneve asimptomatike mund të shtyhet deri në tremujorin e tretë të shtatzënisë apo pas lindjes. Infeksionet simptomatike të rënda mund të trajtohen me ovula clotrimazol, ndërsa trajtimi standard për trikomoniazën është metronidazoli që nuk rekomandohet gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë, por mund të përdoret në tremujorin e dytë ose të tretë, në formën e ovulave vaginale. Edhe të gjithë partnerët seksualë, rekomandohen të marrin mjekim me qëllim që të parandalohet riinfeksioni.

Parazitët e gjakut dhe të indeve

Malarja

Malarja është infeksion i shkaktuar nga plasmodium spp. Është infeksion që transmetohet nga pickimi i femrës anopheles mosquito, por mundet gjithashtu të transmetohet nëpërmjet transfuzioneve të gjakut ose nga kontaminimi i shiringave dhe ageve. Shtatzënia lidhjet me rritjen e ndjeshmërisë ndaj malarjes, që është më e madhe në tremujorin e dytë dhe të tretë të shtatzënisë, por që mund të vazhdojë edhe pas lindjes. Malarja që ndodh gjatë shtatzënisë, kërkon patjetër terapi. Toksiciteti i medikamenteve që merren për malarjen, përgjithësisht nuk merret parasysh në krahasim me rrezikun që paraqet malarja e patrajtuar, në drejtim të nënës dhe fëmijës. Pasojat në shtatzëni janë të rënda si për nënën ashtu edhe për fetusin. Hemoliza, vendosja e parazitit në eritrocite, është mjaft e rëndë. Malarja në gruan shtatzënë, lidhet me rritjen e ndjeshmërisë për të zhvilluar sindromën e detresit respirator akut, koagulimit intravaskular të diseminuar dhe insuficiencën renale akute. Primiparët kanë rrezik më të lartë në krahasim me pluriparët. Efektet fetale të malarjes së nënës përmbledhin prematuritetin, abortin, lindjen parakohe dhe vonesën në rritjen intrauterine. Të posalindurit zakonisht paraqiten me temperaturë, anemi, hepatosplenomegali, mund të paraqesin verdhëz, diarre dhe trombocitopeni./bebaime.com/

 

Mimoza Keta, MD

Arjan Alikaj, D. Sh. M.