Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

ASTRIA, metoda e re mjekësore për egzaminimin e keqformimeve të foshnjave edhe në Shqipëri

Ekzaminim nuk ka kosto për gratë shtatzana, aplikohet vetëm pranë maternitetit Koco Gliozheni, ndërkohë që investimi është mundësuar me fonde të MSH.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili pranishëm në demostrimin e kësaj metode në ambjentet e maternitetit “Koco Gliozheni” tha se "nëpërmjet këtij sistemi informacioni, krejtësisht i ri, integrohen të dhënat shkencore dhe ndjekja mjekësore e nivelit të lartë, e po kështu, edhe mënyra sesi trajtohet një pacient dhe ç'ndodh me të qoftë nga ana mjekësore, qoftë dhe ajo menaxheriale, duke përllogaritur se sa i kushton sistemit çdo pacient i trajtuar në të".Ky sistem pritet të integrohet edhe në qendrat e tjera më të rëndësishme në vend, çka përbën sfidë për MSH. Specifika e këtij softi, për problemet e obstetrikë gjinekologjisë, lidhet me vdekshmërinë foshnjore dhe amtare, pasi ndihmon shumë në parandalimin e disa vdekjeve foshnjore të panevojshme, u shpreh ministri i shëndetësisë , duke e konsideruar aplikimin e kësaj metode mjekësore arritje të madhe.

"Përfundimisht, futemi në aplikimin e sistemeve të integruara informatike që ndihmojnë në cilësinë e diagnozës mjekësore, sepse mundësojnë dhe konsultimin nga profesorë e specialistë brenda dhe jashtë vendit", theksoi ministri Vasili. Kjo metodë mjekësore, sipas tij, bën të mundur njohjen e historisë së sëmundjes së pacientit që nga momenti i hyrjes në sistem dhe më vonë, duke e pasur të skeduar elektronikisht.

“Azhornimi i këtij softi me të dhëna mjekësore në çdo tre muaj e bën dhe një bibliotekë shkencore të rëndësishme për të konsultuar dhe cilësinë e diagnozën”, theksoi Vasili, duke nënvizuar se "me këtë metodë futemi në një nivel shërbimi të ngjashëm me atë që ofrohet në maternitetet si motra në perëndim dhe flasim me të njëjtën gjuhë shkencore dhe menaxheriale me ta.”

“Bëhet fjalë për rrezikun dhe keqformime fetale të bebit në tremujorin e parë të shtazanisë dhe kur është në kohë për t’u marrë çdo lloj vendimi, brenda limiteve kur mund të ndërpritet shtazania", sqaroi sot drejtoresha e këtij materniteti, Rubena Moisiu, gjatë një demonstrimi të kësaj proçedure.

"Ky ekzaminim mjekësor bën të mundur që të jesh në korent të çdo problemi që ka pacientja, të çdo lloj medikamenti dhe shërbimi që ajo merr në institucion dhe nëse ka diçka të gabuar krijohet mundësi për të ndërhyrë në kohë", tha Moisiu. Sipas saj, "nga ana tjetër, kjo metodë krijon mundësi për parandalimin e lindjeve me keqformime, çka do të thotë kapje që në fillimet e shtatzanisë të fëmijëve me të meta, pa qenë e nevojshme të shkojë deri në fund".

Sipas drejtoreshës së maternitetit Rubena Moisiu, sistemi Astraia u krijua dhe filloi të përhapet në botë në vitin 1999. Tashmë, ajo aplikohet në 50 qëndra studimi në 35 shtete. Projekti ka filluar të zbatohet në maternitetin e ri në vitin 2009, ndërsa pasurohet çdo tre muaj me të dhënat më te reja shkencore. "Edhe në botë nuk aplikohet në të gjitha spitalet kjo metodë, ndaj jemi ndër spitalet më të përparuar", tha ajo.

Vendi i parë që e ka futur në përdorim këtë metodë ka qenë Anglia dhe më pas Gjermania.

Astraia, një metodë e re bashkëkohore mjekësore, që lejon përllogaritjen e rrezikut për çdo shtatzani, tashmë aplikohet edhe në Shqipëri, pranë Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik "Koço Gliozheni" në Tiranë.

Ç’është astraia? Kjo është një metodë që të lejon të llogarisësh rrezikun për çdo shtatzani që ekzaminohet në maternitet. Nëpërmjet një ekzaminimi ekografik të thjeshtë të kryer nga mjekët, me anë të kësaj metode dhe përmasave që hedh në ekran, del grafiku dhe pika nëse kjo shtazani është në rrisk për të pasur një bebe daun, apo një anomali tjetër. "Këtu merr një vendim nëse ke rrezik, për të kryer ekzaminime të mëtejshme të nënës dhe bebit për të vërtetuar këtë rrezik apo për ta larguar", sqaron Moisiu. Nëse del brenda kufijve të normës, atëherë kjo nënë është e qetë se bebi i saj nuk ka asnjë problem.

Përpos kësaj, kjo metodë lejon regjistrimin e të gjitha të dhënave për çdo paciente që hyn në këtë instucion që nga momenti i pranimit deri në momentin e daljes. "Duke hedhur të dhënat në kompjuter në të gjitha klinikat brenda spitalit, çdo mjek në sallën e lindjes është në gjendje të kuptojë se kush është pacientja që ka hyrë, ç’ekzaminim ka bërë përpara, si ka dalë analiza e gjakut, etj, dhe çfarë ka nevojë të bëjë tani", pohon drejtoresha e maternitetit "Koço Gliozheni".

Sipas saj, sistemi të jep mundësinë e vetëkontrollit, si dhe te kontrollit nga drejtuesit e institucionit. Po kështu, me të bëhet konsultimi i rasteve në distancë edhe me klinika jashtë vendit. Ndërkohë, kur të gjitha spitalet në vend të jenë të lidhura në rrjet, mund të konsultohen rastet në distancë dhe të merret informacion për çdo pacient.

Sistemi, sipas Moisiut, krijon mundësi edhe të përpunimit të të dhënave statistikore, të përdorshme për punë kërkimore shkencore.

/komuniteti