Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Depresioni mund të paraqitet edhe tek fëmijët e moshës tre vjeç

Fëmijëria e hershme është periudha e cila mendohet si periudhë pa brenga dhe e lumtur, por sipas hulumtimeve të fundit thuhet se depresioni mund të paraqitet edhe tek parashkollorët madje edhe tek fëmijët e moshës tre vjeç.

Profesori i Psikiatrisë nga Univerziteti i Uashingtonit në Sent Luis, Xhoan Lubi, e cila studion depresionin që njëzet vite, thotë që ekspertët me vite kanë menduar që fëmijët nuk janë të zhvilluar sa duhet për të ndjerë depresionin.

Rreth viteve 80’ shkencëtaret e kanë kuptuar që edhe gjashtë vjeçarët mund të kenë depresion klinik. Në dhjetë vitet e fundit, profesoresha Lubi dhe kolegët e saj kanë zbuluar që kjo gjendje mentale serioze mund të paraqitet edhe tek fëmijët e moshës tre vjeçare.

Megjithatë, prindërit sigurisht do të çuditen dhe do pyesin çfarë mund të jetë shkaku që mund të shkaktojë depresion tek tre vjeçaret. Profesoresha Lubi thekson që arsyeja nuk duhet të jetë gjithmonë situata stresuese apo ndonjë ngjarje negative, me faktin që kjo është një çrregullim i trurit.

 

Si ta kuptoni depresionin tek parashkollorët

Simptomet e depresionit tek fëmijët dallojnë nga ato të të rriturve. Vogëlushët depresiv nuk iu bëjnë probleme prindërve, madje mund të konsiderohen si fëmijë të urtë, përderisa shkaku i kësaj sjelljeje është më serioz. Ndjenja e fajit mund të jetë një simptom që diçka nuk është në rregull, sidomos nëse fëmiu është i mërzitur dhe mendon që ai është fajtor kur ndodh diçka e keqe.

Përveç kësaj, pamundësia për t`u kënaqur me lojërat e fëmijëve mund të jetë një shenjë vërejtjeje. Duhet kushtuar vëmendje edhe ndryshimit të apetitit, gjumit dhe aktiviteteve ditore, në krahasim me moshatarët.

Nëse këto simptome janë prezente gjatë një deri në dy javë duhet kërkuar ndihma e ekspertëve. Në anën tjetër egziston edhe mundësia që simptomet nuk janë gjithmonë prezente, madje mund të ndodh që fëmiu ka oscilacione në ndryshimin e disponimit.

 

Si shërohet depresioni në moshën parashkollore?

Nëse prindi nuk vëren ndryshime në sjelljen e fëmiut apo dyshon që fëmiu është depresiv, si fillim duhet vizituar pediatri. Konsultohuni me mjekun në lidhje me dyshimet tuaja, dhe nëse ështënevoja vizitoni specialistin.

Është e ditur që të rriturve iu jepen antidepresiv për këto lloj problemesh, por kjo nuk bën kursesi për fëmijët.

Shkencëtarët thonë që për fëmijët duhet një psikoterapi, më saktësisht kjo terapi nënkupton një interakcion në mes të prindërve dhe fëmiut.

Profesoresha Lubi thekson që prindërit, fëmijët e të cilëve kanë çrregullime në të sjellur duhet të punojnë me fëmiun që të përmirësojnë sjelljen sociale dhe të zvogëlojnë sjelljen negative, ndërsa në fazë të testimit janë verzionet terapeutike të cilat fokusohen në angazhimin e prindërve se si të përmirësojnë zhvillimin emocional të fëmiut.

Hulumtuesit pohojnë që njohja e hershme dhe terapia adekuate janë kyçe për problemin e depresionit tek fëmijët dhe injorimi apo neglizhimi i këtij problemi në çfarëdo moshe është jashtëzakonisht i rrezikshëm.

/komuniteti