Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Diabeti tek fëmijët

Diabeti tek femijet sjell mjaft nderlikime, megjithate ka menyra se si mund te mbahet nën kontroll me ane te dietave te rekomanduara.

Shumë pacientë me diabet sheqeri të tipit 1 zhvillojnë atë që njihet si ketoacidoza diabetike, që shkaktohet nga mungesa e theksuar e insulinës. Përveç simptomave të zakonshme, humbja në peshë e pacientit, përshpejtohet nga urinimi i shpeshtë dhe të vjellat që shkaktojnë humbje të theksuara të lëngjeve të trupit. Fëmija ankon edhe për dhimbje barku, e cila çon ndonjëherë në diagnozën e gabuar për problem kirurgjikal.

Është i rëndësishëm edukimi i pacientit dhe familjes lidhur me matjen e glicemisë me glukometër, administrimin e insulinës dhe planifikimin dietetik menjëherë pas kalimit të ketoacidoza diabetike. Fakti që në jetën e përditshme pacienti do të jetë më shumë aktiv se në spital, vlerat e glicemive do të rezultojnë më të ulëta se ato spitalore për të njëjtat doza të insulinës dhe të njëjta skemë dietetike.

Në të gjitha regjimet, glicemia duhet matur e pakta 4 herë në ditë dhe dozat e insulinës duhen rregulluar në lidhje me këto vlera të matura të glicemisë. Insulina zakonisht nuk duhet të jepet jashtë skemës kohore, me përjashtim të rastit kur vlerat e glicemisë janë shumë të larta (më shumë se 350mg/dl) ose kur janë shfaqur trupat ketonik në urinë.

Insulina injektohet nën lëkurë dhe jo intramuskulare. Vendi i injektimit duhet të ndryshohet rregullisht, dhe insulina injektohet zakonisht në zonën e krahut, në kofshë, në bark shpinë, vithe. Flakonet e insulinës duhen ruajtur në temperaturë të dhomës ku mund të qëndrojë stabël për rreth 30 ditë.

Rekomandohet që dieta duhet të konsistojë në 45-60% të totalit të kalorive në karbohidrate; 30% në yndyra (më pak se 10% të tyre yndyra të ngopura); dhe 10-20% të kalorive në proteina. Totali i kalorive ditore të rekomanduara varion në varësi të moshës dhe të përmasave të fëmijës.

Ekzistojnë 4 (katër) parime bazë mbi kujdesin ndaj diabetit, me ndihmën e të cilave sëmundja mund të kontrollohet mirë dhe me të edhe kualiteti i jetës të përmirësohet.

Ato janë: ushqimi i duhur, aktiviteti fizik, edukimi dhe kontrolli periodik i nivelit të glukozës. Përveç insulinës dhe aktivitetit fizik, ushqimi i duhur dhe korrekt ka rol kyç në mjekim.

Përbërësit e rekomandueshëm në ushqimin e të sëmurëve dhe mënyra e përgatitjes së tyre, janë zakonisht ato ushqime që për shkak të vlerave ushqyese e kalorike, numërohen në të ashtuquajturat "ushqime të shëndetshme". Prandaj, ushqimi diabetik mund të jetë një zgjedhje e mirë edhe për persona të shëndetshëm, pra për të gjithë familjen.

Karakteristikat e të ushqyerit të shëndetshëm janë:

- shpërndarja proporcionale e vlerave kalorike dhe përbërësve ushqimor të paktën në 3-5 vakte gjatë ditës,

- së paku 3 vakte kryesore (mëngjes, drekë, darkë) dhe 2-3 "mes-vakte" (mëngjes herët, mëngjes vonë, darkë e vonë), - mos kapërceni vaktet kryesore,

- mos bashkoni vaktet, p.sh: 2 në 1, sepse kjo patjetër do të shprehet negativisht në nivelin e glukozës në gjak.

Tek fëmijët është e vështirë të arrihet një dietë e tillë. Fëmija nuk dëshiron të hajë në kohë të caktuar, nuk i do perimet, shpesh i bashkon vaktet ose thjeshtë nuk ka oreks dhe ne jemi të pafuqishëm, sepse nuk mund ta detyrojmë.

Në të tilla situata pompa më insulinë është zgjedhje ideale, sepse fëmija mund të hajë çfarë të dojë dhe kur të dojë. Kjo mënyrë e trajtimit përfundimisht toleron shkapërcimin e vakteve, mundëson edhe agjërim gjithë ditën. Pikërisht, për shkak të lirive të tilla, ia vlen të theksohet përsëri rëndësia e veçantë që ka të ushqyerit e ekuilibruar dhe të rregullt me vlera të mjaftueshme kalorike, që ka shumë rëndësi për fëmijët gjatë rritjes dhe zhvillimit.

Megjithëse diabeti është një sëmundje kronike që ende sot e kësaj dite nuk i dihet shkaku, duke iu falënderuar avancimit të teknologjisë dhe arritjeve të mëdha në mjekim dhe vetëkontrollim të sëmundjes, përmirësohet kualiteti i jetës, zvogëlohet dhe shmanget rreziku i komplikacioneve kronike.

Megjithatë, kontributi më i madh është padyshim koordinimi i përshtatshëm dhe i drejtë midis të gjithë anëtarëve të stafit mjekësor, pacientëve të vegjël dhe prindërve të tyre, si dhe edukimi e motivimi i tyre.

/komuniteti