Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Gruaja shtatzënë e prekur nga SIDA

\"Mjeku im e di që jam HIV pozitiv dhe nuk më prek me dorë. Më bën thjesht një eko dhe kaq”

02.12.2011 - Asnjë mjek nuk pranon të ndjekë shtatzaninë e një gruaje. Është gati të sjellë në jetë fëmijën e tretë, por gjinekologët refuzojnë ta prekin me dorë. Arsyeja: ajo është e prekur me SIDA.

“Mjeku im e di që jam Hiv pozitiv dhe nuk më prek me dorë. Më bën thjesht një eko dhe kaq”, shprehet gruaja.

Kushti kryesor për të shmangur transmetimin e virusit tek fëmija është lindja me operacion. Por, në këto rrethana situata është pa pazgjidhje: “S’e ka marrë njeri përsipër lindjen time. Jam e mërzitur dhe në ankth.”

E reja ka pak që e ka mësuar lajmin fatal se është bartëse e një virusi vdekjeprurës, i cili për fat të keq ka prekur gjithë familjen.

“Jam 35 vjeç dhe kam 5 vjet që e kam mësuar që jam e prekur nga SIDA. Kam edhe dy fëmijë, të cilët janë gjithashtu të infektuar së bashku me bashkëshortin”, thekson gruaja.

Cifti as që e kishte imagjinuar se lidhja e tyre do të qe fatale për pasardhësit. Lajmi erdhi shumë vonë: “E mësuam nga djali që ishte vazhdimisht me temperaturë. E sollëm në Tiranë ku i bënë analizat dhe aty kuptuam se si ishte situata që askush tjetër nuk e di.”

Por, rastësi është edhe ardhja e bebes së tretë të çiftit Hiv pozitiv, të cilët tanimë duhet të pranojnë vetëdijshëm kushtet me të cilat do të sillet në jetë.

“Shtatzania ishte rastësi. Shkuam ta hiqnim fëmijën dhe mjekët nuk pranuan kur morën vesh se jam Hiv pozitiv. Pastaj vendosa ta mbaj”, tregon 35-vjeçarja.

Kjo grua dhe familja e saj jeton në një qytezë veriore të Shqipërisë. Sekreti i familjes përballë paragjykimeve është njëra anë e dramës, ana tjetër mohuese e realitetit kërcënon me jetë nënën dhe krijesën e saj të pafajshme që po dënohet pa ardhur ende në jetë./top-channel/

/komuniteti