Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Informacioni mbi përbërjen e tumorit të vezoreve ndryshon luftën ndaj tij

27.01.2012 - Kanceri i vezoreve quhet edhe “vrasësi i heshtur”, sepse në kohën kur simptomat shfaqen dhe bëhet diagnoza, zakonisht është tepër vonë për t’u kuruar. Gjatë vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara u diagnostikuan 22 mijë gra me këtë sëmundje. 14 mijë prej tyre humbën jetën.

Në rang botëror mendohet të ketë më tepër se 200 mijë raste të reja çdo vit. Dhe prognoza e tyre gjithmonë ofron shpresa të pakta:

Kur Sheila Connor u diagnostikua me kancer të vezoreve në vitin 2007, sëmundja ishte në fazat e saj të përparuara. Zonja Connor iu nënshtrua një operacioni dhe kimioterapisë. Por kanceri kthehej sërish: 4 herë brenda 4 vjetëve.

Zonja Connor ka provuar shumë lloje ilaçesh. Disa sillnin përmirësime të përkohshme. Disa i përkeqësonin sëmundjen. Kohët e fundit ajo vendosi të ndërpresë mjekimin dhe është e pasigurt për të ardhmen. Kjo është diçka që ndosh shpesh, thotë Laura Shawver, një studiuese e kancerit që merret me përgatitjen e barnave, e cila i ka mbijetuar kancerit të vezoreve prej pesë vjetësh.

“Gratë kalojnë faza të kimioterapisë njëra pas tjetrës në mënyrë të vazhdueshme. Ato bëjnë një jetë jo të mirë dhe në fund ato dorëzohen para sëmundjes gjithsesi”.

Kanceri i vezoreve shfaqet sërish pas trajtimit në 75 për qind të rasteve. Zonja Shawver thotë se është një sëmundje e vështirë për t’u mjekuar pasi tumoret janë shumë të ndryshëm nga njëri tjetri, dhe secili përgjigjet shumë ndryshe ndaj ilaçeve të disponueshme.

Zonja Shawver krijoi Shoqatën Clarity për të trajtuar këtë problem. Kjo organizatë jo-fitimprurëse u jep pacientëve informacione mbi përbërjen molekulare të tumorit të tyre. Shoqata krahason tumorin e vezoreve të një pacienti me atë të të tjerëve që ka në sistemin e saj të të dhënave. Gjithashtu ajo përdor shenja biologjike të cilat tregojnë se si ai tumor mund të reagojë ndaj një ilaçi të caktuar të kimioterapisë, i përdorur për të ndalur rritjen e qelizave në lloje të tjera kanceri.

“Ne po përpiqemi të ndihmojmë në ato zgjedhje. Nëse ato zgjedhje nuk i përshtaten individit, ne mundohemi të ndihmojmë në gjetjen e një terapie që përshtatet dhe që ndryshon situatën në të mirë të pacientit”.

Krijimi i një profili molekular për kancerin është një procedurë standarde për lloje të tjera kanceri. Për kancerin e vezoreve është bërë e mundur vetëm kohët e fundit, prej Shoqatës Clarity. Ndërkohë që kjo procedurë nuk ekzistonte kur zonjë Sheila Connor pati rishfaqjen e parë të tumorit, ajo thotë se teknika do të ndihmojë të tjerët të marrin vendime të informuara.

“Nëse e di pak a shumë që do të reagoje keq ndaj një ilaçi, mund të vendoset të përdoret një ilaç tjetër dhe nëse as ai nuk do të funksiononte, atëherë duhet vendosur një formë tjetër mjekimi.”

Kjo është mënyra se si studiuesja Laura Shawver kërkon të ndryshojë traditën e trajtimit të kancerit të vezoreve: një pacient pas tjetrit. Ajo thotë se kjo teknikë jo vetëm që mund të përmirësonte jetën e grave me përsëritje të kancerit të vezoreve, por ajo mund edhe të çojë në krijimin e ilaçeve të reja për këtë sëmundje shpesh vdekjeprurëse./voa/

/komuniteti