Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Njerëzit dhe Trajtimi që Po Shpëtojnë Jetë Foshnjash

Edona Buçinca kishte ardhur në Klinikën e Gjinekologjisë para njëmbëdhjetë muajsh në gjendje të rëndë, ajo lindi djalin e saj Erikun në javën e 32 të shtatzënisë. 

“Fëmija ka lind me peshë 1 kilogram e 400 ka qenë në gjendje të rëndë, edhe gjendja ime ka qenë shumë e rëndë”, kujton Edona. 

Pas lindjes, Eriku i vogël ishte vendosur në Klinikën e Neonatologjisë, aty ku morri trajtimin me surfaktantë, medikament ky që jepet direkt në rrugët e frymëmarrjes te foshnjat premature dhe përshpejton pjekurinë e mushkërive. 

Sot, Eriku përkundër vështirësive që përjetoi, gëzon shëndet të plotë dhe pret të mbushë një vit jetë. 

Shëndeti i nënës dhe fëmijës ka qenë dhe mbetet njëra ndër sfidat më të mëdha të sistemit shëndetësor në Kosovë, ndërkohë që sipas autoriteteve shëndetësore të vendit, vitet e fundit kanë shfaqur një përmirësim të ndjeshëm të situatës. 

Vitin 2014 regjistroi numrin zero të vdekjeve maternale - të nënave gjatë lindjes dhe deri në dyzet ditë pas lindjes. 

Ndërsa numri i vdekjeve perinatale - të foshnjave në periudhën para dhe pas lindjes - ka shënuar rënie të vazhdueshme, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. 

Ndërsa vdekje maternale - të nënave gjatë lindjes dhe deri në dyzet ditë pas lindjes - nuk ka pasur fare gjatë vitit 2014 në Kosovë.

Një tjetër nënë e re e cila pret të shkojë në shtëpi me fëmijën e saj, është Brikena Murati.

Ajo tregon sesa është përmirësuar shëndeti i fëmijës së saj për kohën që është trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë me surfaktantë.

“Bebja ime ka lind 1 kg e 370, dhe që pesë javë e kemi arritur peshën 1 kg e 710”, thotë Murati. 

Por ky medikament nuk është në listën e barnave esenciale në Kosovë. Këtë medikament, foshnjave të lindura para kohe po ua siguron Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, rezultat i së cilës është rënia e numrit të vdekjeve të foshnjave të lindura para kohe.

Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Mynavere Hoxha, thotë se që nga viti 2006 filloi një projekt i quajtur Aleanca Kosovë-Dartmouth për foshnja të shëndosha, dhe nga ajo rrodhi edhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

“Që nga viti 2006 ne furnizohemi me rreth 300 doza në vit surfaktantë dhe asnjëherë nuk kemi mbetë pa të, i cili është bar që nuk ndodhet në listën esenciale të barnave në Kosovë. Pastaj jemi furnizuar edhe me Sipapa (pajisje e cila ofron presion pozitiv në rrugët e frymëmarrjes të foshnjave e porsalindura)”, thotë Hoxha.

Hoxha thotë se përmes këtij aksioni janë dhënë donacion nga një firmë edhe pesë inkubatorë të rinj dhe është bërë sistemi i instalimit të oksigjenit në Klinikë. 

“Përveç këtyre që i përmenda ne kemi pasur përfitim edhe pajisjen e njësisë për përcaktimin e hemogramit në gjak dhe CRP (analizë e gjakut),e cila është një lehtësim i madh sepse e marrim analizën te shtrati i pacientëve, marrim informatën aty për aty dhe nuk kemi nevojë për ta bartur gjakun diku jashtë, ndaj rreziku për infeksione është më i vogël”, thotë Hoxha.

Por ky Aksion nuk merret vetëm me shëndetin e foshnjave. Gratë shtatëzane kanë mundësinë që të përgatiten fizikisht dhe psiqikisht për procesin e lindjes përmes trajnimeve që Aksioni për Nëna dhe Fëmijë u ofron atyre.

Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, tha se para dy vjetëve për herë të parë ka filluar puna me gratë shtatzëna.

Fillimisht është bërë trajnimi i tyre nga stafi i Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, pastaj është trajnuar stafi i Klinikës së Gjinekologjisë, dhe tash vetë stafi është përfshirë në trajnimin e grave mbi teknikat e lindjes, dhe përgatitjen e tyre fizike e psiqike.

Sipas Paçaradës, këto gra kanë qenë komplet të papërgatitura për procesin e lindjes. Ajo tregon se çka kanë mësuar ato gjatë trajnimeve.

“Duke filluar me ju shpjegu anatominë e organeve dhe duke i njoftuar me një proces të lindjes për të cilin ato as fizikisht as psiqikisht nuk kanë qenë të përgatitura. Ne kemi siguruar hapësirë për Aksionin Nëna dhe Fëmija, ndërkohë ata i kanë angazhuar edhe personelin tonë në ato trajnime”, thotë ajo.

Ajo tregon përfitimet nga këto trajnime.

“Gratë të cilat kanë ardhur për të lindë në Klinikë që më parë kanë qenë të njoftuara me personelin e Klinikës, sidomos ata të sallës së lindjes dhe kanë qenë të njoftuara me anë të ligjëratave dhe trajnimeve me procesin e lindjes, ashtu që kanë ardhë më të relaksuara”, thotë Paçarada.

Këto trajnime i kanë marrë gratë që kanë qenë të hospitalizuara në klinikë dhe gratë të cilat kanë ardhur nga shtëpia për t’u trajnuar në ambientet e QKUK-së.

Ilir Hoxha, Këshilltar në Fondacion, tregon se puna e vazhdueshme e aksionit ka rezultuar me rezultate të mira të financimit.

“E kam përshtypjen që po hyjmë në vitin e dytë ku ka ngritje pozitive qoftë në financimin prej sektorit privat, qoftë prej organizatave ndërkombëtare, apo prej diasporës, apo kontributet e vullnetit të mirë, të cilat janë kryesisht në furnizime mjekësorë si surfaktantë ose pajisje të ndryshme”, thotë Hoxha

Hoxha tregoi se në cilat institucione shëndetësore po i shtrin aktivitetet e veta ky aksion.

“Klinika Gjinekologjike në Prishtinë ka treguar interes për një gjë të tillë i ka qel dyert për Aksionin dhe është ofruar një gjë e tillë e njëjta ka ndodhur edhe në Ferizaj, të njëjtën kohë përderisa aksioni i shtrin aktivitetet në institucione të tilla, në të njëjtën kohë ai punon në ngritjen e fondeve që kjo të mundësohet edhe në qendrat e tjera”, tha Hoxha.

Në vitin 2000, vdekshmëria e foshnjave në Njësinë e Neonatologjisë, ka qenë 31 promilë, që do të thotë se 31 foshnje të porsalindura kanë vdekur, për çdo 1000 të porsalindur të lindur të gjallë, duke i llogaritur foshnjat prej 22 javë të moshës së shtatzënësisë, ose me peshë mbi 500 gr.

Për herë të parë në historinë e Klinikës së Neonatologjisë, vdekshmëria neonatale shënon shifrën prej 9.1 promil, që përafërsisht është në të njëjtin nivel me shtetet e rajonit.

Sipas Aksionit, vdekshmëria e nënave dhe fëmijëve lidhet ngushtë me varfërinë dhe mungesën e edukimit dhe mjeteve mjekësore. Ata kanë qëllimin që këto çështje të adresohen dhe shkalla e vdekshmërisë të bjerë.

 

Burimi: Kallxo.com

/komuniteti