Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Pak lindje

Gjithnjë e më pak lindje ka në Kosovë, sociologët dhe psikologët e lidhin këtë me mungesën e kushteve për të mbajtur më shumë fëmijë dhe destimulimin që vjen nga shteti. Për shkak të erërave të reja të globalizimit, çiftet e reja nuk duan të kenë më shumë se një apo dy fëmijë.

Në Kosovë nataliteti është në rënie. Arsyet pse është më i ulët se më përpara, shpegohet nga një varg faktorësh. Por, kryesorja është se nënat në Kosovë nuk kanë të drejta as elementare për lindjen e një fëmije, andaj edhe shumë nga to zgjedhin që të kenë një apo më së shumti dy fëmijë në jetën e tyre. Aida Periqi, nga Prishtina, nënë e një vajze, thotë se nuk do të mund të lindë edhe një fëmijë me shumë, sepse në Kosovë ende nuk janë krijuar kushtet për lindjen e më shumë fëmijëve. “Jemi duke jetuar në gjendje të rëndë ekonomike, ani pse unë bashkë me bashkëshortin punojmë, por që deshirojmë që kësaj vajze t’ia sigurojmë të gjitha gjërat në jetë. Krahasuar me vitet e kaluara, nënat tona kanë lindur shumë fëmijë, por sot nuk mund të bësh këtë për arsye se as pushim të mjaftueshëm të lehonisë nuk kemi”, tha Aida. Të njejtin mendim e ka edhe çifti Mejreme dhe Abaz Gashi. Mejremja ende pa u bërë nënën thotë se nuk do të lind më shumë se një femijë pasi që edhe atij është e pamundur t’i garantohet një e ardhme e mirë dhe që t’i plotësohen të gjitha nevojat. “Nuk i kemi as gjërat më elementare të siguruara nga shteti për lindjen dhe rritjen e fëmijëve”, shprehet ajo.

Shteti nuk stimulon

Psikologia Djellza Alihajdari thotë se edhe ato familje që qëndrojnë mirë ekonomikisht, prapë nuk kanë më shumë se 1 fëmijë.

“Po të marrim shembull periudhat më të hershme, familjet tona, gjyshet e stërgjyshet tona, nuk kanë pasur kushte “të lakmueshme”, por megjithatë, harmonia që ka ekzistuar në familje, me 5-6 fëmijë, rrallë diku e gjejmë, shprehet ajo. Alihajdari thotë se edhe ata fëmijë rriten dhe sigurisht, probabiliteti do jetë shumë më i madh qe kjo familje me më shumë fëmijë, të sigurojë më shumë të ardhura sesa ajo familje me të ardhura normale mesatare me 1 fëmijë, që nguron e frikësohet të ketë edhe një fëmijë shtesë, se mos vallë, do t’u cenohej liria, zbavitja. “Kjo është etapa që po quhet etapë e modernizuar. Arsyet janë të shumta, s’ka shumë rëndësi cili është më primari, me rëndësi që janë arsye shumë shqetësuese, për shtetin tonë”.

Alihajdari thotë se kjo tregon që shteti nuk bën as gjënë më të vogël për mirëqenien e qytetarëve. Ajo më tej pyet se ku mund të gjejë stimulim një çift për të bërë fëmijë, ta zëmë një familje me të ardhura mesatare. Që kur lind fëmija, sipas saj, të gjitha shpenzimet në maternitet duhet t’i heqë vetë çifti. “nëse prindërit janë të punësuar kush do kujdeset për foshnjen, s’ka pushim të lehonisë më shumë se 3 muaj. E dërgon fëmijën në kopsht e njëri prindër duhet të punojë një muaj për ta paguar kopshtin”, shprehet ajo.

Ajo mendon se shumë faktorë të tjerë që janë shqetësues kanë të bëjnë me shtetin. Alihajdari është e bindur se vitet e ardhshme do të bëjnë që nataliteti të ketë rënie dhe më shumë. “Shteti ynë egoist nuk lodhet të marrë masa dhe mburret se ne kemi popullatën më të re në Evropë, por pas 40 apo 50 viteve si do të jetë”, pyet psikologia.

Erërat e globalizimit

Ferdi Kamberi, sociolog, thotë se duke marrë parasysh faktin që bota gjithnjë e më shumë po globalizohet, po ndërveprohet, në këtë kapitalizëm të egër, krahas shumë zhvillimeve dhe procesi i natalitetit është duke rënë, kjo vërehet në shumë shtete, madje Kina e ka të sanksionuar këtë fenomen, gjë që nuk mund të kesh më shumë se një fëmijë në atë shtet. “E tëra lidhet me faktin që nuk ka kushte adekuate për t’i plotësuar fëmijës pasi ta sjellësh në jetë. Si do që të jetë, nëse flasim për Kosovën, duhet thënë se kohëve të fundit përveç trendit të ri të bashkëjetesës, që ka filluar me të madhe nga të rinjtë, shohim që shumica e çifteve kur është puna te fëmijët nuk dëshirojnë më shumë se një, eventualisht dy. Dhe përgjegja për këtë menjëhere është, “Nuk i kemi rendet për t’i mbajtur”, thotë Kamberi. Ai nënvizoi se aktualisht sot është se shumica e të rinjëve duke u nisur nga shumë faktorë nuk dëshirojnë të kenë më shumë se një ose dy, në mënyrë që ata fëmijë ta kenë edukimin e nevojshëm dhe kushte ekonomike normale. Ai numëron se shkaqet e mosdashjes së shumë fëmijëve nga çiftet e ndryshme në shoqërinë tonë mund të jenë të shumta. Në radhë të parë përmend mospërgatitjen adekuate për krijimin e një familjeje me shumë fëmijë, më pas shkaqet ekonomike, varfëria e madhe, papunësia tejet e lartë etj. pasi që një numër i madh i të rinjëve kanë përgatitjet e larta akademike-shkencore dhe akoma nuk janë të punësuar.

 

Kosova Sot

/komuniteti