Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Pushimi i lehonisë 6 + 6 muaj

Prishtinë, 8 tetor – Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale do ta kalojë për votim në Kuvend Projektligjin e Punës, javën që vjen. Nënkryetarja e këtij komisioni, Rita Hajzeraj, i ka thënë “Kohës Ditore” se anëtarët e Komisionit do të punojnë edhe dy ditë në plotësimet dhe ndryshimet e bëra në nenin 48 të këtij projektligji para se ai të përcillet përfundimisht për seancat e radhës së Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka theksuar se është arritur mirëkuptim që neni 48 të saktësojë se pushimi i lehonisë duhet të jetë 6 muaj me pagesë dhe 6 muaj të tjerë pa pagesë ose me punë në gjysmë orari. Aktualisht Projektligji parasheh që pushimi i lehonave duhet të jetë 12 javë me pagesë dhe 12 javë të tjera pa pagesë, varësisht nga gjendja shëndetësore e nënës.

“Vonesa në miratimin e ligjit është bërë me arsyetimin e debateve publike dhe me marrjen e mendimeve për nenin 48, që ligji të jetë sa më transparent. Tashmë jemi në përfundim, i kemi edhe dy ditë punë dhe besoj që javën e ardhshme ligji do të kalojë për votim në Kuvend”, ka thënë deputetja Hajzeraj. “Besoj që edhe ministria do t’i pranojë arsyetimet tona, sepse kemi ofruar argumente dhe alternativa të mjaftueshme për aprovimin e këtij ligji”, thekson ajo.

Sipas saj, anëtarët e Komisionit Parlamentar kanë insistuar që të paktën gruaja të mos e humbë vendin e punës për një vit.

“Gjashtë muaj do të ketë pushim me pagesë dhe gjashtë muaj të tjerë do të punohet me gjysmë orari të punës. Ligji për institucionet parashkollore parasheh që asnjë fëmijë nën moshën 1-vjeçare nuk guxon të pranohet në çerdhe. Ky ka qenë problemi kryesor në miratimin e Ligjit të punës”, ka thënë Hajzeraj.

Në raportin e progresit të Komisionit Evropian mospërgatitja e Ligjit të punës ka qenë njëra nga kritikat kryesore për Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale.

“Ka ndryshuar qëndrimi për këtë projektligj. Raporti i progresit ka kritikuar pse nuk është kaluar ky ligj deri më tani, ndërsa me ndryshimet e fundit në projektligj janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore”, thekson ajo.

Nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale nuk jepen shumë shpresa për ndryshimet në sferën e punësisë pas miratimit të ligjit. Fadil Racaj, drejtor i Departamentit ligjor në MPMS, ka thënë se vështirë është të ndalohen dukuritë negative, sidomos punësimi në të zezë edhe pas miratimit të Ligjit të punës.

“Inspektorati i cili ka për detyre zbatimin e drejtë të këtij ligji ka pak kuadro. Edhe ato kuadro nuk janë aq profesionale”, ka thënë Racaj.

Për miratimin e ligjit, sipas tij, ka pasur pengesa në pikëpamje buxhetore, por edhe mosmarrëveshje për disa nga nenet.

“Gjatë kalimit nga Qeveria në Kuvend ka pasur interesim të jashtëzakonshëm për këtë dokument më shumë sesa për Kushtetutën”, ka thënë ai.

Racaj thotë se gjatë debateve të bëra me qëllim të gjetjes së formulës për ndryshimet në projektligj, ka pasur ide të paformuluara dhe të cilat sipas tij nuk kanë asnjë lidhje me legjislacionin e sektorit të punësisë. Ai ka thënë se në këtë aspekt ka munguar debati social.

 

koha.net

/komuniteti