Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Sëmundja e shekullit

Diana është një prej disa qindra personave të prekur me virusin HIV në Shqipëri. 32-vjeçarja ka plot 10 vjet që mbart sëmundjen.

Drama e saj nuk do të ishte e vetme, kur zbuloi se në trupin e saj mbartej virusi vdekjeprurës. Pas diagnozës së bashkëshortit, ajo zbuloi se edhe më i vogli i fëmijëve të saj ishte gjithashtu i infektuar.

“Para pak vitesh u diagnostikuam, unë burri dhe djali i vogël. Unë kam 3 fëmijë. I fundit ishte pozitiv”, shprehet Diana.

Pasardhësi i fundit i çiftit, sot një 5-vjeçar i pafajshëm që jeton me HIV, ishte viktimë e mosnjohjes që erdhi në jetë nga dy prindër të infektuar. Këtu historia i kaloi kufijtë e një drame personale. Një familje e tërë që jeton me SIDA.

“Nuk mund ta përshkruash me fjalë sesi ndjehesh në ato momente kur merr vesh diçka të tillë. Fillimi ishte traumë”, tregon Diana.

Përpos vuajtjeve personale dhe dhimbjes për humbjen e bashkëshortit pak kohë më parë, Diana ruan një peng, të cilin nuk mund ta ç’bëjë më kurrë gjatë gjithë jetës: “Sikur ta dija se isha pozitive, do ndërpritja shtatëzaninë ose do të trajtohesha me antiretroviral për të mos ia transmetuar fëmijës.”

Edhe pse streha e kësaj gruaje, është shndërruar në një vatër ku bashkëjetojnë me Hiv-in edhe dy fëmijët e tjerë të shëndetshëm, ajo nuk ndjen kërncënim për shëndetin e tyre: “Nuk kishim informacion në fillim, por tani bashkëjetesa është normale me fëmijët që nuk janë të sëmurë sepse unë e di që kjo e imja, nuk është sëmundje që ngjitet lehtë. Bashkëjetojmë normalisht sepse i dimë rrugët nga ku mund të merret SIDA dhe nuk kemi frikë.

Pas dramës familjare, vjen moskuptimi i shoqërisë për këta njerëz, që ndonëse të prekur pafajësisht ngjallin shumë paragjykime.

“Nuk mendoj se vlej më pak se një që nuk është i sëmurë. Shumë njerëz nuk thellohen, por të paragjykojnë dhe nuk të vlerësojnë për atë që je por për atë që ke, për sëmundjen”, shpjegon Diana.

Për t’u bërë pritë të gjitha këtyre sjelljeve të një shoqërie, ku mosnjohja është thelbi i reagimeve të tyre, Diana dhe të vegjëlit e saj bëjnë një jetë fasadë: “Ndjehem e paragjykuar. Tek rrethi im jo, por tek të tjerët po sepse nuk kanë informacion. Dhe kjo është lufta më e madhe që duhet bërë.”

E vetme, kjo nënë 32- vjeçare ka shumë beteja përpara: luftën me paragjykimet dhe dëshirën për të mos u përjashtuar; e nga ana tjetër sfidën për të përballuar një jetë me Sida-n për veten dhe të voglin e saj.

“Duket pak abstrakte, por sfida më e madhe për mua është jeta dhe të bëj jetë të shëndetëshme e cilësore me fëmijët e mi”, shton Diana.

Por, Diana dhe të prekurit e tjerë nga Hiv-i në Shqipëri kanë një sfidë edhe më të madhe në shoqërinë ku bëjnë pjesë. Stigmën, diskriminimin. Pengesa, të cilat i detyrojnë këta njerëz të sillen ende si hije në shoqëri, për të mos vuajtur përjashtimin e përhershëm./top-channel/

/komuniteti