Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Si e shfrytëzojnë fëmijët informacionin vizual për t’iu përshtatur mjedisit rrethues?

Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë të re për të mësuar se si fëmijët e shfrytëzojnë informacionin vizual për t’iu përshtatur mjedisit rrethues. Megjithëse ka pasur teknologji dhe pajisje mjekësore prej vitesh, asnjëherë më parë këto pajisje nuk kanë qenë kaq të vogla sa të analizojnë se si fëmijët e vegjël e shohin mjedisin rreth tyre.

Studimet e fundit tregojnë se përdorimi i kësaj teknologjie jep rezultate të rëndësishme në fushën e analizimit të zhvillimit perceptues, njohës dhe social të fëmijës.

Imagjinoni sikur po e shihni botën përmes syve të një fëmije. Si orientohet ai në mjedisin ku ndodhet? Studiuesit në Universitetin e Nju Jorkut, nën drejtimin e Dr. Karen Adolph, kanë zbuluar një metodë të re për të analizuar këtë proces.

“Ky projekt studion shqisat pamore, zhvillimin e tyre normal. Janë bërë shumë kërkime lidhur me shikimin në rrethana artificiale. Megjithatë, pas mbi 100 vjet studimesh, ende nuk dinim se ku i drejton njeriu sytë në jetën e përditshme dhe përse?”

Fin është 8 muajshe. Ajo është përfshirë në eksperiment dhe do të mbajë në kokë një pajisje që ndjek lëvizjet e syrit. Pajisja ka 2 kamera, njëra që ndjek pamjen që ka para syve fëmija, ndërsa tjetra që ndjek lëvizjen e bebes së syrit. Një kompiuter analizon të dyja pamjet që xhirojnë kamerat për të përcaktuar se çfarë po sheh Fin. Pajisja peshon rreth 45 gramë.

Xhejson Bebkok është themelues i kompanisë Positive Science me seli në Nju Jork, e cila ka zhvilluar pajisjen gjatë dekadës së fundit. Ai ka punuar për ta shndërruar pajisjen në një trajtë sa më të vogël dhe të lehtë që të përdoret nga foshnjet.

“Tani që kamerat dhe ndjesorët janë kaq të vegjël, mund të kapim imazhe që kanë të njëjtën madhësi sa gishti i vogël i dorës. Tani mund të ndërthurim teknologji që deri dje na dukeshin të pamundura”.

Metoda e ekipit është të analizojë së pari shikimin e fëmijës, kur është i lirë të lëvizë e të luajë. Ajo që zbuluan përmes kësaj teknike, e la ekipin të shtangur. Xhon Françak është studiuesi kryesor i projektit.

“Kur e filluam projektin menduam se fëmijët do t’i kishin gjithë kohën sytë tek nëna, pasi kjo është ideja e përgjithshme që ekziton në fushën e analizimit të zhvillimit social të fëmijës”.

Por në një dhomë të mbushur me lodra dhe me pengesa që duhet të kalojë duke u ngjitur apo duke u zvarritur, fëmija shihte nga nëna vetëm gjysmën e kohës. Edhe nëse i kishin sytë nga nëna, fëmijët shihnin tek fytyra e saj vetëm 15 për qind të kohës.

“Nëse fëmijët nuk e ndjekin nënën me sy aq shumë sa mendohej më parë, kjo ndryshon mënyrën si duhet të analizojmë procesin e zhvillimit të fëmijëve duke mësuar nga të tjerët”.

Por fëmijët gjithmonë i hedhin një shikim të drejtpërdrejtë objektit që duan të marrin në dorë. Një tjetër zbulim interesant është se megjithëse 75 për qind të kohës fëmijët i hedhin vështrim të drejtëpërdrejtë pengesave që kanë përpara, kur duan t’i kalojnë ato, ky s’është një proces i domosdoshëm, pasi fëmijët mund të analizojnë shumë mirë informacionin nga shikimi periferik.

Shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë metoda të reja për të realizuar studime bazë, por ata shtojnë se teknologjia ekzistuese mund të gjejë zbatim në një numër fushash.

“Në të ardhmen mund të gjejë zbatim në fushën e kurimit të problemeve të zhvillimit tek fëmijët, apo studimet mjekësore”.

Këta studiues sapo kanë filluar ta kuptojnë procesin e orientimit të fëmijëve të vegjël në mjedisin rrethues. Ata thonë se studimet e ardhshme mund t’i ndihmojnë mjekët të identifikojnë terapi për fëmijët me autizëm apo probleme në lëvizje.

 

VOA

/komuniteti