Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Si jetoj me djalin e droguar

25.04.2012 - Një nënë që jeton prej dhjetë vitesh me djalin e droguar u rrëfye në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’ duke zbuluar dramën e saj.

“Për herë të parë e kuptova që djali im përdorte drogë kur pashë një shiringë në momentin që po fusja rrobat në lavatriçe. Nuk dinim ku të kërkonim ndihmë, u traumatizuam. Fillimisht ai nuk e pranonte, por unë e kuptova sepse kërkonte lekë vazhdimisht”, shprehet gruaja që nuk preferoi të identifikohej.

Më tej, nëna e 27-vjeçarit tregoi hapat që ndërmori për ta larguar të birin nga rruga e drogës: “E shtrova në spital ku ndenji 10 ditë, por pas një muaji gjendja ishte e njëjtë. Ka qenë një nga dramat më të këqia në familje. Kur nuk merrte dozën e heroinës bëhej agresiv e pasi e merrte dozën bëhej i dhimbshëm.”

“Mërzitet shumë, nuk ushqehet, nuk i flitet... Kur merr ilaçet normalizohet, por tani që po ia ulin dozën e mjekimit është sërish agresiv. Unë mundohem t’i flas, por ai nuk më duron më”, shton nëna.

“Bashkëshorti u sëmur që kur e mori vesh që merrte drogë. Nuk e përballoi dot. Kaloi paralizë cerebrale dhe vazhdon të jetë i sëmurë”, tregon gruaja, e cila burgun nuk e ka shikuar kurrë si mundësi rehabilitimi.

“Burgun nuk e kam menduar ndonjëherë. Shpresoj që mjekimet të bëjnë efekt. Këtë që më ka ndodhur mua nuk ia uroj asnjë nëne në botë”, përfundon nëna.

Droga, statistikat në Shqipëri

Është quajtur ferri mbi tokë dhe nëse biem dakord me këtë atëherë në këtë ferr jetojnë rreth 5 mijë shqiptarë.

Megjithëse nuk ka studime që përcaktojnë numrin e saktë të përdoruesve, shifrat janë alarmante. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, 40-60 mijë shqiptarë e kanë provuar të paktën një herë drogën. Ulja e moshës së përdoruesve gjithmonë e më shumë kërcënon çdo ditë familjet shqiptare.

Një studim i kryer para pak kohësh mbi sjelljet e rrezikshme të të rinjve nga Instituti i Shëndetit Publik tregoi se 7.4% e personave të moshës 15-18 vjeç kanë provuar marijuanën, 4.2% ekstazinë, 1.2% heroinën dhe 3.2% kokainën.

Përdorimi i drogave të paligjshme rezulton më i lartë në kryeqytet krahasuar me pjesën tjetër të vendit dhe është disa herë më I lartë për meshkujt se sa për femrat./tch/

/komuniteti