Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Sindromi Uremik Hemolitik

31.05.2011 - I gjithë sistemi shëndetësor shqiptar është në gadishmëri maksimale pas alarmit për shpërthim të Sindromit Uremik hemolitik në Germaninë Veriore dhe disa vende të tjera të Europës.

Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, z. Petrit Vasili në një dalje për median theksoi se Shqipëria deri tani nuk ka asnjë rast të evidentuar apo të dyshuar me këtë sindromë.

Porosi e veçantë e gjithë sistemit është evidentimi dhe mos neglizhimi i çdo shenje që ka lidhje me këtë sindromë. Në të njëjtën kohë z.Vasili u ka bërë thirrje qytetarëve (pjesës së biznesit dhe turistëve në veçanti që operojnë në këto vende) për një vëmendje të shtuar dhe respektim rigoroz të masave higjeno-sanitare.

Sipas mekanizmit të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, janë lajmëruar organet kompetente të vendeve anëtare të OBSH rreth një shpërthimi të Sindromit Uremik-hemolitik në Gjermani.

Rastet e para janë konstatuar në javën e dytë të majit. Sipas burimeve kompetente në Gjermani, ECDC dhe OBSH, njoftohet që në Gjermani kanë vdekur 10 persona dhe janë konfirmuar rreth 1200 raste me Sindrom Uremik-hemolitik. Shumica e rasteve (87%) janë persona të moshës së re dhe të mesme.

Raste janë konstatuar edhe në Suedi, Danimarkë, Hollandë dhe Britaninë e Madhe, në persona me histori udhëtimi në Gjermani.

Studimet paraprake ka dëshmuar një bashkëshoqërim midis sëmundjes dhe konsumit të trangujve, domateve dhe sallatës me fletë të papërpunuar.

Sindromi Uremik-hemolitik është një komplikacion i infektimit nga E. Coli enterohemoragjik. (E. coli: serotip O104 prodhues i shiga toxin 2)

Kuadri klinik: insufiçiencë renale, anemi hemolitike dhe trombocitopeni

Paraprihet nga diare, shpeshherë me gjak.

Transmetimi: direkt apo indirekt nga kafshët tek njeriu. Rezervuare janë bagëtitë, dhitë dhe ruminate të tjerë.

Rruga e transmetimit është fekalo-orale, kontakt me kafshët e infektuara (ose feçet), konsum i ujit apo ushqimeve të kontaminuara.

Periudha e inkubacionit është 10 ditë. Periudha midis shfaqjes së simptomave Gastro - intestinale dhe Sindromit Uremik - hemolitik është rreth 1 (një) javë.

Masat

Masa higjieno-sanitare të përgjithshme: larje e duarve, ambjente gatimi dhe konsumi të ushqimeve të pastra, etj.

Ushqime të lara me ujë të bollshëm, të rrjedhshëm para konsumit. Gatimi në nxehtësi inaktivizon patogjenin.

Paraqitje tek mjeku në rast kthimi nga udhëtimi në vendet e prekura me simptoma të tilla si diare me gjak, dhimbje barku me ose pa temperaturë, prekje të veshkave.

Nivel dyshimi i rritur nga çdo mjek i familjes për detektimin dhe referimin në kohë të rasteve si mësipër.

Gadishmëri e shërbimeve të sëmundjeve infektive, pediatrisë, shërbimeve të terapisë intensive (reanimacionit) dhe urgjencës për trajtimin e çdo rasti me SUH.

Bashkërendim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit sipas njoftimeve në kuadër të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit./moh.gov.al/

/komuniteti