Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Të jetosh me sindromën “Down”

16.03.2012 - Xhoana është 8 vjeç, por zhvillimin e ka për një fëmijë 5-vjeçar. Ajo është një nga nxënëset më të dashura në shkollën speciale “Luigj Gurakuqi”, e cila është një institucion për fëmijë me aftësi të kufizuar mendore.

Psikologia e shkollës, Eriselda Metaj na tregon se Xhoana është përmirësuar shumë që kur filloi klasën e parë. Ecën mirë me mësimet pavarësisht vështirësive që paraqet diagnoza e saj dhe ka prirje të theksuara për muzikë.

“Do muzikën dhe pëlqen të bukurën. Ka prirje të theksuara për artin në përgjithësi”, shprehet Metaj.

Por për mamanë e saj, Dritën, vajza duhet të shkojë në një shkollë publike, gjë e cila do ta ndihmonte per ta integruar në shoqëri. Xhoana tashmë është në klasë të tretë.

“Njeh numrat, shkronjat teke, por duhet të mësonte më shumë deri tani”, thekson nëna e 8-vjeçares.

Për nënën këto nuk janë të mjaftueshme. Është e bindur se në një shkollë publike Xhoana do kishte përparuar më shumë. Edhe për vete shkollën kjo është një sfidë.

“Krenaria e shkollës është që ne të përgatisim nxënës që mund t’i çojmë në shkolla publike”, thotë psikologia e shkollës “Luigj Gurakuqi”.

Pavarësisht asaj që familja dëshiron të arrijë për këta fëmijë, mjedisi nuk është dashamirës.

“S’dua të më thonë për vajzën “është gjynah”. Dua të futet në lojë, por prindërit u thonë fëmijëve të tyre të mos luajnë me të se është e sëmurë. Më shumë më vret kjo se fëmija”, shprehet nëna e Xhoanës.

Belkisa, 2-vjeçarja me sindromën “Down”

Belkisa ishte fëmija që pritej me padurim në një familje që kishte dy vajza të rritura sepse një bebe do e shtonte akoma edhe më shumë gëzimin. Por, lajmi se e porsaardhura në jetë kishte sindromën “Down” tronditi gjithçka.

“Më erdhi si bombë. Thoja pse të më ndodhë diçka e tillë, çfarë i kam bërë Zotit pyesja veten”, shprehet nëna e Belkisës. Dilemat e momentit i rrëzoi shumë shpejt dashuria dhe përkushtimi. Belkisa është tani 2 vjeç. I është nënshtruar një operacioni pasi kishte vrimë në zemër e megjithatë deri më tani historia e saj mund të cilësohet si histori suksesi.

“Kur më ka thënë për herë të parë “mami” unë vetëm qaja”, kujton nëna e 2-vjeçares.

Ajo pothuaj nuk ka dallim nga moshataret e saj e kjo falë kujdesit që është shumë herë më i madh se sa për një fëmijë të zakonshëm.

“Që të ketë ecuri nuk duhet vetëm puna në shtëpi e prindërve. Belkisa vazhdon terapinë në Kombinat, duhet të nisë një kurs noti sepse të gjitha këto ndihmojnë në zhvillimin e saj. Por këto nuk përballohen me rrogat e shtetit. Unë do të investoj për vajzën time, mund të kërkoj edhe borxh apo kredi, por shteti mungon në këtë drejtim”, thekson nëna e Belkisës.

“Për momentin më frikëson rritja. Kur takoj njerëz në rrugë më pyesin: Si e ke vajzën se kemi marrë vesh që është budallaqe.” Si mund t’i përgjigjesh një pyetjeje të tillë”, shton mamaja e vogëlushes.

Por, pavarësisht kësaj dhe lodhjes, asgjë nuk e step Enkelejdën nga synimi për ta bërë vajzën e saj dikushi në jetë.

“Unë do e bëj si të gjithë fëmijët e tjerë, të fillojë një shkollë 8-vjeçare, të mesme dhe të lartë. Do bëj maksimumin”, përfundon nëna./tch/

/komuniteti