Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/Java e 19 e shtatëzanisë

Si po rritet fëmija juaj

Urime - ju keni arritur tashmë në gjysmën e udhës tuaj. Kjo është një kohë vendimtare për zhvillimin e fushave ndijore të fëmijës tuaj që do të ndodhë në disa fusha të specializuara të trurit. Nëse fëmija juaj është një vajzë, ajo tashmë ka 6 milion vezë në vezoret e saj...ky numër do të zvogëlohet në 1 milion në kohën kur ajo të lindë.

Zhvillimi i fetusit – java e 19 e shtatëzanisë

Ju jeni në gjysmë të rrugës! Pjesa e sipërme e mitrës tuaj tashmë arrin lartësinë e kërthizës tuaj dhe do të rritet me 1 cm çdo javë. Përmasat e fetusit tani shkojnë rreth 14.2 centimetra i gjatë nga maja e kokës deri në fund të vitheve të tij dhe pesha e tij është rreth 240 gram.

Fetusi tashmë ka filluar të gelltisë lëngun amniotik, dhe veshkat e tij vazhdojnë të prodhojnë urinë. Gjithashtu kanë filluar të mbijnë flokët mbi lëkurën e kokës së tij.

Zhvillimi ndijor arrin kulmin e zhvillimit të tij gjatë kësaj jave. Qelizat nervore që i shërbejnë secilës ndjesi - shijimit, nuhatjes, dëgjimit, shikimit, dhe prekjes - tani janë duke u zhvilluar në fushat e tyre të specializuara të trurit. Prodhimi i qelizave nervore ngadalësohet dhe qelizat nervore ekzistuese rriten dhe krijojnë lidhje më komplekse. Nëse jeni duke pritur një vajzë, ajo tashmë ka përafërsisht 6 milion vezë në vezoret e saj. Në kohën kur ajo të lindë, ajo do të ketë rreth një milion të tilla.

Ju mund të keni ndjerë tashmë goditjet dhe rrotullimet e fëmijës tuaj. Ndonjëherë, ju mund të keni vënë re se ai ka qënë kaq i lëvizshëm sa që ju nuk keni mundur të flini. Dhjetë javët e ardhshme, do të jenë më aktivet për fëmijën tuaj, deri në kohën kur mitra juaj të jetë e mbushur. Nga dy, ju së shpejti do të bëheni tre, që do të thotë shumë ndryshime, kështu që hidhini një sy seksionit tonë mbi seksin dhe marrëdhëniet.

Si po ndryshon jeta juaj

Mitra juaj është rritur shumë brenda barkut tuaj – pjesa e sipërme e saj tashmë ndoshta arrin deri në lartësinë e kërthizës tuaj. Tani e tutje ajo do të rritet me rreth një cm në çdo javë. Ju gjithashtu mund të ndjeni disa dhimbje në pjesën e poshtme të barkut tuaj. Nuk ka asgjë për t'u alarmuar rreth kësaj – është thjesht tërheqja e muskujve dhe ligamenteve tuaj që mbajnë mitrën tuaj.

Shumica e grave shtatzëna ndihen të shqetësuara për faktin se ato nuk do të jenë në gjendje të përballojnë dhimbjet e lindjes. Disa femra preferojnë lindjen çezariane (lindjen me operacion) për të shmangur krejtësisht këtë problem, por kjo nuk është domosdoshmërisht një ide e mirë pasi rreziqet e lindjes çezariane janë shumë më të larta se ato të lindjes normale dhe gjithsesi aty do të ketë dhimbje, edhe pse pas lindjes. Ekzistojnë shumë forma efektive për qetësimin e dhimbjeve të lindjes në repartet e maternitetit. Ju mund të provoni fillimisht disa metoda natyrale për lehtësimin e dhimbjeve, siç është për shembull lindja në pishinat e lindjes, të cilat mund të ndihmojnë gratë të përballojnë dhimbjet e lindjes pa përdorur asnjë ilaç. Sa më shumë mënyra të tilla të zbuloni, aq më shumë në kontroll dhe aq më pak të shqetësuara do të ndiheni.

Kur jeni shtatzënë, gjumi i qetë e i mirë mund të jetë i vështirë, veçanërisht nëse keni urth apo dispepsi (mostretje). Nëse ndodh kjo gjë, atëherë ushqimi do të jetë gjëja e fundit në mendjen tuaj, por disa gra shtatzëna zgjohen gjatë natës të uritura dhe duhet të hanë patjetër diçka para se të kthehen për të fjetur. Një tjetër shkak i ndërprerjes së gjumit tuaj gjatë natës, mund të jetë bërryli i partnerit tuaj që ju prek anash, sepse shtatzania mund të shkaktojë kongjestionin (ngjeshjen) e hundës tuaj, gjë që rezulton në gërrhitje. Ndiqni këshillat tona për një gjumë të mirë gjatë natës.

Fakte për tu marrë në konsideratë

Hani banane! Ato janë një burim i shkëlqyer i vitaminës B, mjaft e rëndësishme për sistemin nervor të fëmijës tuaj. Ndiqni këshillat tona për marrjen e sa më shumë frutave dhe perimeve në dietën tuaj.

Lexoni apo këndoni për fëmijën tuaj, tani ai mund t’ju dëgjojë. Kjo është një mënyrë e mirë për babain që edhe ai të përfshihet në shtatëzani.

Përcaktoni detajet e pushimit tuaj të lindjes me shefin tuaj.

 

/komuniteti