Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Bronhioliti Akut

Infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes janë shumë të shpeshta te fëmijët sidomos te foshnjet, deri në moshën dy vjeçare

Infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes janë shumë të shpeshta te fëmijët sidomos te foshnjet, deri në moshën dy vjeçare. Shkaktarët kryesorë të këtyre infeksioneve janë viruset, sidomos virusi respirator sincicial (RSV), por nuk përjashtohen edhe viruset e tjera të cilat ndonjëherë edhe nuk mund t'i izolojmë. Sëmundja paraqitet gjatë gjithë vitit por më së shumti nga muaji nëntor deri në shkurt. Përhapet me rrugë ajrore nga vet i sëmuri. Mundësia e përhapjes është shumë e madhe. Periudha pa shenja klinike (inkubacioni) zakonisht zgjat 4-5 ditë, por fëmijët mund ta përhapin sëmundjen edhe një javë pas paraqitjes së shenjave të para të sëmundjes.

Gjatë bronhiolitit akut kemi të bëjmë me ngushtimin e rrugëve më të vogla të frymëmarrjes (bronhioleve) nga ana e sekreteve dhe nga edema (fryerrja) e mukozës në këto rruge.

Në shumicën e rasteve bronhioliti akut i përcjellë infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Shenjat kryesore klinike janë: kollitja, frymëmarrja e shpeshtë dhe e vështirësuar e me zë, pirja jo e mjaftueshme dhe shenjat e përgjithme ku përfshihen: temperatura e lartë, të vjellat, etj. Në rastet më të rënda cianoza ( kur rreth gojës shihet maviosja), gjendja pa frymë (apnea) etj.

Në rastet e lehta sëmundja kalon në mënyre spontane. Por në të shumtën e rasteve foshnjet duhet të mjekohen në spital. Pse? Arsyet janë disa: foshnjet e vogla marrin frymë vetëm me hundë e nëse kanë shumë sekrete frymëmarrja është e vështirësuar, nuk mund ta kombinojnë frymëmarrjen edhe gëlltitjen prandaj pijnë pak, shpesh herë kanë nevojë për oksigjen.

Mjekimi: në qoftë se koncentrimi i oksigjenit në gjak është i vogël atëherë menjëherë jepet oksigjeni, ndonjëherë mund të ndihmojnë inhalimet me tretje fiziologjike (0.9 % NaCl). Në praktikën e përgjithshme përdoren edhe inhalimet me β-agonsitë (salbutamoli) që veprojnë për kohë të shkurtër. Përveç kësaj ndonjëherë japim edhe kontikosteroide.

Një nga pyetjet e shpeshta të prindërve është edhe ajo se sa kohë do të jetë në spital? Aq kohë sa ka nevojë për oksigjen.

Në vendet më të zhvilluara si masë parandaluese përdoren edhe kundërtrupat monoklonal (psh palivizumab), aplikimi i së cilës bëhet gjatë sezonës së infeksioneve. Ky kundërtrup ndihmon që sëmundja të kaloj më lehtë e edhe hospitalimet të jenë më të shkurtëra.

Përparësi për këtë medikament parandalues kanë fëmijët që lindin para kohe, fëmijët që kanë sëmundje kronike të mushkërive, të zemrës ose sëmundje neurologjike.

KUJDES: prindërve u këshillohet që me fëmijë të mos qëndrojnë në ambiente të mbyllura (qendra tregtare) sepse nëpër këto mjedise viruset mund të jetojnë gjatë. Gjithashtu ndalohet që fëmijët të qëndrojnë në ambient të tymosur.

 

Shpresa PULA, mjeke pediatre