Pëlqeje në
E pelqej BebaIme.com në Facebook

Vogëlush #Udhëzues shëndeti - sëmundjet > Infeksionet respiratore, fëmijët më të prekur nga problemet me frymëmarrjen


Përmbajtja


Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes janë njëri nga shkaqet e vdekshmërisë së foshnjave si pasojë e pneumonive që ato shkaktojnë. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri shprehen të shqetësuar për shifrat e larta që raportohen në zonat rurale në krahasim me ato urbane.

Sipas të dhënave më të fundit që u publikuan në studimin demografik, rezultoi se fëmijët në fshat janë më të prekur nga infeksionet respiratore dhe gastroenteritet çka tregoi një nivel të lartë pabarazie mes fshatit dhe qytetit.

Çdo fëmijë shqiptar është prekur më shumë se një herë nga infeksionet në aparatin tretës dhe infeksionet respiratore. Studimi i fundit demografik tregoi se 5 për qind e nënave kishin pranuar se fëmijët e tyre kanë raportuar se fëmijët e tyre janë prekur nga këto dy sëmundje.

Specialistët e shëndetit publik thonë se do të fokusojnë punën e tyre në reduktimin e këtyre shifrave për të rritur shkallën e informimit tek nënat e reja, duke sensibilizuar fëmijët në shkolla për rritjen e higjienës personale, duke futur në institucionet parashkollore programe të reja me qëllim mbrojtjen nga këto infeksione.


Infeksionet

Infeksionet virale të traktit respirator janë shkaku më i zakonshëm i sëmundjeve te njeriu, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit. Këto infeksione mund të shfaqen si një variant i gjerë sëmundjeje nga rrufa e thjeshtë e deri te pneumonia e rëndë. Bartja e tyre bëhet nga personi i sëmurë te i shëndoshi, me anë të spërklave të ajrit ku gjendet virusi. Nga infeksionet e traktit respirator rrezikohen të gjitha grupmoshat.

Megjithatë rreziku kryesor ekziston te të sëmurët me sëmundje kronike, në radhë të parë të mushkërive, pastaj me sëmundje të rënda të zemrës, sëmundje të gjakut dhe të sëmurët me sëmundje të tjera kronike si dhe me imunodeficiencë. Pra, trajta e shfaqjes së sëmundjes te këta persona është shumë më e rëndë se te personat e tjerë. Këto infeksione mund të jenë të lehta, të mesme ose të rënda.

Mund të shfaqen pneumonitë e ndryshme virale te fëmijët, të cilët mund të jenë si komplikime të gripit ose parainfluencës, bronkiti, bronkioliti, format e rënda të pneumonisë të cilat mund të shkaktojë pamjaftueshmëri respiratore. Pasqyra klinike tek infeksionet virale karakterizohet me shkuarje të hundëve, dhimbje ne fyt, kollitje, plogështi, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, ethe, temperaturë etj., ndërsa në rastet më të rënda edhe vështirësi në frymëmarrje.


Transmetimi

Infeksionet respiratore janë mjaft ngjitëse. Transmetimi i tyre bëhet nga personi i sëmurë tek një tjetër i shëndoshë, nëpërmjet spërklave të ajrit të kontaminuar me virus dhe periudha e shfaqjes është 1-5 ditë pas ekspozimit.

Infeksionet variojnë nga të lehta deri në të rrezikshme për jetën, siç janë laringotrakeobronkiti (croupi) ose bronkioliti, ndërsa në pacientët me imunosupresion jep pneumoni me rrezik për jetën dhe insuficiencë respiratore. Viruse të tjerë janë virusi i influencës dhe ai respirator syncytial, të cilët shkaktojnë pneumoni.

Shkaku kryesor i pneumonisë virale tek të rriturit janë virusi i influencës A dhe B, adenovruset, parainfluenca virus dhe virusi respirator sincytial. Këto viruse shkaktojnë 8% të pneumonive të fituara që kërkojnë shtrim në spital. Virusi i influencës shkakton më tepër se 50% të pneumonive virale, ndërsa 15% të këtyre pneumonive. Pacientët me imunodeficiencë pneumonitë virale shkaktohen nga citomegaloviruse, herpes simplex virus dhe adenoviruset.


Shenjat

Shenjat më të zakonshme janë rhinitis, (rrjedhje hundësh) dhimbje fyti, ethe, kollë e thatë, dhimbje gjoksi, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e kyçesh dhe debulesë. Këto shenja zakonisht zgjasin 3-5 ditë. Kjo përsa i përket formës së lehtë të sëmundjes.

Në pacientët e moshuar që kanë sëmundje të tjera, si p.sh. sëmundje kardiovaskulare ose pulmonare si SPOK etj., dhe në veçanti imunosupresion, këto infeksione shfaqen në formë shumë të rënda të pneumonisë me ethe, ulje të oksigjenit në gjak dhe bllokim frymëmarrjeje. Kurse në rastet që bëhet laringit, është kolla e thatë dhe e fortë dhe kjo më e theksuar gjatë orëve të natës.

Shpeshherë kjo kollë është aq e fuqishme sa ngjan me të lehurën e qenit dhe shoqërohet me shtim të sasisë së gëlbazës, e cila trashet dhe nxirret me vështirësi. Marrja e frymës rëndohet, frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet, duke u shoqëruar me interesim të muskujve të kraharorit. Kjo është arsyeja që shpesh pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash.

Të sëmurët janë në ankth, kanë ndjenjën sikur po mbyten. Në fytyrë, sidomos në buzë shfaqet mavijosja, që vjen si pasojë e anomalisë së shkëmbimit të gazrave, me pakësim të oksigjenit në gjak dhe shtim të gazit karbonik. Si pasojë e ajrimit të ulur, të sëmurët janë të lodhur, të përgjumur, ankohen për dhimbje koke, por herë-herë janë të shqetësuar dhe shfaqin turbullime të vetëdijes.


Komplikimet

Komplikimet janë të ndryshme, që nga bronkopneumonia e deri tek infeksionet në rrugët urinare, por dhe të veshit. Bronkopneumonitë ndodhin si pasojë e humbjes së elasticitetit të muskujve të bronkeve, për shkak të vetë moshës dhe mbylljes së bronkeve, si pasojë e grumbullimit të gëlbazës në to, duke favorizuar infeksionin.

Moshat më të favorizuara dhe që japin më shumë komplikacione janë moshat e treta dhe fëmijët. Kryesisht rekomandohet që të bëhet vaksina e gripit te fëmijët e vegjël deri pa mbushur tre vjeç edhe te të moshuarit. Po kështu, kjo këshillë do të ishte edhe për personat që, pavarësisht se nuk janë moshë e rritur, por që kanë probleme kardiake, sëmundje kronike, rekomandohet si vaksinim për të mbrojtur organizmin.

Ajo që duhet të kihet parasysh është se, nëse një person gjatë tri ditëve të para nuk ka një përmirësim dhe kur fillon një temperaturë mbi 38 gradë dhe nuk mund të ulet. Po kështu, kur fillon ajo kolla e fortë me gëlbazë, sidomos natën, por edhe gjatë ditës. Po kështu, kur ka edhe dhimbje të gjoksit edhe vështirësi në frymëmarrje, atëherë këto janë shenja të cilat na bëjnë që të mendojmë se duhet të kemi një kontakt sa më të shpejtë me mjekun. Pas vizitës është e nevojshme trajtimi me antibiotikë.

Vetëm në këto raste kur mjeku vendos se ka kaluar në bronkopneumoni, ose ka kaluar në komplikacion gripi, është e nevojshme fillimi i anabiotikëve. Në raste të tjera jo, megjithëse mund të pish antibiotikë është gjendje virale që nuk ndikohet në përmirësim dhe medikamentet krijojnë rezistenca bakteriale. Këto të fundit për personat që kanë nevojë për të marrë antibiotik krijojnë ato rezistenca, ku mikrobi fiton imunitet.


Simptomat

Rrjedhje të sekrecioneve nga pjesa e hundës.

Temperaturë subfebrile që shkon nga 37 deri në 38.

Kollë e thatë dhe e fortë e theksuar gjate orëve të natës.

Marrja e frymës rëndohet.

Frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet.

Dhimbje të muskujve të kraharorit.

Pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash.

Të sëmurët janë në ankth, kanë ndjenjën sikur po mbyten.


Këshillat

Vizitë te mjeku pas shfaqjes së simptomave.

Trajtim me antibiotikë kur vendos mjeku.

Mospërdorim të medikamenteve pa recetë mjeku.

Pirje të lëngjeve në sasi të mëdha.

Konsum të ushqimeve me proteina.

Përdorimi i supave të ndryshme.

Vaktet të përmbajnë mish edhe vezë.

Këshillohet konsumi i mjaltit i kombinuar me lëng limoni.


Frutat dhe perimet mbrojnë nga sëmundjet respiratore

Studimet e fundit të zhvilluara në 1000 gra shtatzëna kanë treguar veprimin mbrojtës të pemëve dhe perimeve, të cilat forcojnë imunitetin dhe ndihmojnë mekanizmat mbrojtës. Nevojat e shtatzënave për lëndë ushqyese edhe ashtu janë të rritura, ndërsa ato bëhen edhe më të ndjeshme kur janë të prekura nga patogjenë të ndryshëm të rrugëve respiratore (viruse dhe baktere).

Sipas hulumtimeve të fundit, konsumimi i përditshëm i shtatë pemëve dhe perimeve ul mundësinë e prekjes nga infeksione të ndryshme respiratore te shtatzënat. Statistikat tregojnë se rreziku është ulur madje deri në 26% te ato shtatzëna të cilat kanë konsumuar pemë dhe perime, krahasuar me ato që nuk kanë konsumuar.




Shto Koment

kthehu
Kontakt
© Beba Ime 2010. Kjo uebfaqe përmban informata të një natyre të përgjithshme dhe është e dedikuar vetëm për nevoja edukative. Nëse keni shqetësime për shëndetin tuaj apo për shëndetin e fëmiut tuaj, duhet gjithmonë të konsultoheni me mjekun apo me personel tjetër profesional medicinal.