Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Rëndësia e bukës në ushqim të fëmijëve

Buka në ushqimin e fëmijëve, ka rëndësi të madhe për funksionimin e rregullt të sistemit tretës si dhe përtypja e bukës, e cila ndihmon në përforcimin e dhëmballëve.

Buka është një nga drithërat kryesore, e cila përmbanë celulozë, e cila është shumë e shëndetshme dhe e nevojshme në ushqim të fëmijëve. Celuloza lehtëson funksionimin e zorrëve, sepse parandalon bllokimin dhe mirëmbanë florën e zorrëve. Ky ndikim i celulozës është posaçërisht i rëndësishëm në vitet e para të jetës së fëmijës sepse sistemi tretës njeh sa më shumë lloje ushqimesh dhe duhet të mësohet me sa më shumë kërkesa.

Sa bukë gjatë ditës?

Në moshën një gjer në dy vjeç, fëmijës i mjafton, që të konsumojë 40 – 60 g bukë të bardhë në ditë. Ndonjëherë duhet ti jepni edhe ndonjë copëz buke të zezë apo bukë thekre.

Pas vitit të dytë të jetës, fëmijës mund ti jepni bukë nga mielli i bluar më trashë, psh bukë misri apo bukë krundesh. Një copë buke e lyer me gjalpë, është një mëngjes i përkryer për fëmijët e kësaj moshe, ndërsa kubet e thata të bukës së zezë, përdorini në supë, në vend të shirijeve për supë.

Në moshën tre vjeç, fëmija mund të konsumoje gjer në 100 g bukë të bardhë apo të zezë, gjatë tërë ditës. Kjo bazohet edhe në bukë të shtëpisë dhe pjekurina.

Mos e teproni me pjekurina dhe bukë

Ndani dozat e pjekurinave dhe bukës në mes të shujtave sepse fëmija shumë lehtë mund të shtojë në peshë. Nëse është i uritur, më mirë jepini mollë apo ndonjë lloj peme tjetër, e cila nuk është shumë e ëmbël. Pemët krijojnë ndjenjën e ngopjes përkohësisht dhe nuk përmbajnë shumë kalori.

Buka dhe pjekurinat aromatike

Në ditët e sotme, mund të gjeni nëpër furra të bukës, lloje të ndryshme të bukës, nga ato të pregatitura në mënyrë tradicionale, gjer tek ato të pasura me farra nga më të ndryshmet. Këto lloje bukësh janë shumë të shijshme dhe janë të pasura me materie ushqyese, më shumë se sa buka e bardhë, e thjeshtë.