Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Ushqyerja me gji e binjakëve

Një nënë që ushqen me gji binjakët mund të prodhojë edhe 2 litra qumësht në ditë!

Po të mendojmë se rreth 1/100 shtatzani janë binjake, atëherë është e kuptueshme që problem i ushqyerjes me gji merr përmasa të mëdha. Ushqyerja e një fëmije vetëm dhe krijon kaq vështirësi, sidomos tek një nënë e re dhe pa përvojë. Atëherë kur fëmijët janë dy, nëna të shumtën e herëve mendon se nuk është e zonja që të ketë qumësht të mjaftueshëm për të ushqyer njëkohësisht të dy fëmijët.

Vërtet fëmijët janë dy, por thithin dyfish, kështu që stimulimi që i bëhet gjirit është dyfish; atëherë dhe prodhimi i qumështit është dyfish. Nuk ka arsye që të brengosemi.

Një nënë që ushqen me gji binjakët mund të prodhojë edhe 2 litra qumësht në ditë: sasi kjo më se e mjaftueshme! Problemi kryesor në këtë rast, është koha që i kushton nëna ushqyerjes së fëmijëve; shpesh asaj i duhet të merret me ushqyerjen e fëmijëve edhe 10 - 12 orë në ditë.

Por nëqoftëse nëna arrin që t`i ushqejë njëkohësisht binjakët, atëherë problemi kohë bëhet më pak i rëndësishëm. Në fillim nëna përpiqet t`i ushqejë ata veç e veç, ose sepse i duket e vështirë që t`i ushqejë ata së bashku, ose sepse dëshiron që të ketë një kontakt të veçantë me secilin prej tyre, ose ngaqë shpesh herë nuk di se çfarë të bëjë (është e hutuar).

Por kjo nuk përcaktohet vetëm nga vullneti i nënës, sepse siç kemi thënë edhe më parë, varet edhe nga dëshira e momenti i secilit nga binjakët : oraret e binjakëve mund të jenë të ndryshme; në fund të fundit, secili prej tyre është individ i veçantë.

Në fakt shumica e nënave e konsiderojnë një ndërmarrje akrobatike të ushqyerin e njëkohshëm të të dy binjakëve. Nëna parapëlqen të ushqejë njërin, ndërkaq që tjetrin e qetëson me biberon, ose e përkund në pritje për ta vënë në gji. Sidoqoftë, nuk është e pamundur që binjakët të ushqehen njëkohësisht, por edhe në këtë rast merr rol të veçantë pozicioni i vendosjes në gji të fëmijëve.

/komuniteti