Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Verdhëza tek i porsalinduri

Bilirubina

Verdhëza ndodh shumë shpesh tek i porsalinduri (në 50% të të porsalindurve). Përndryshe quhet edhe ikteri fiziologjik i fëmijës. Arsyet e saj janë krejt të ndryshme nga ato të të rriturit.

Tek fëmija më i madh dhe tek i rrituri, shfaqja e verdhëzës do të thotë sëmundje, kurse tek i porsalinduri nuk është gjithmonë kështu. Tek i porsalinduri, organet ende nuk kanë arritur pjekurinë e tyre të plotë, prandaj dhe nuk funksionojnë me maksimumin e tyre. Në lindje, për shkak të disa cilësive të rruazave të kuqe, ato shkatërrohen me shumicë. Nga shkatërrimi i tyre, prodhohet një lëndë që quhet bilirubinë.

Bilirubina e prodhuar në këtë mënyrë nuk arrin të përpunohet tërësisht nga mëlçia e bebit.

Grumbullimi i bilirubinës shoqërohet me shfaqjen e verdhëzës tek i porsalinduri.

• Ikteri fiziologjik shfaqet nga dita e 2 – 3-të e jetës dhe asnjëherë para orës së 36-të të jetës; për-ndryshe shkaku është një sëmundje.

• Verdhëza fiziologjike zhduket nga dita e 3 – 8-të e jetës, ndryshe shkaku është një sëmundje.

• Bilirubina që gjejmë me shumicë në këtë rast, është ajo indirekte. Nëse bilirubina kalon disa kufij të caktuar, ajo mund të bëhet e dëmshme për organizmin. Ikteri trajtohet me sukses me anë të një mjekimi që quhet fototerapi (është një llambë speciale që lëshon një dritë vjollcë dhe që e kthen bilirubinën në një produkt të padëmshëm). Në rast se fototerapia është e pasuksesshme, atëherë mund të kryhet një procedurë që quhet (eksanguino- transfuzion) shkëmbim i gjakut.

Kini parasysh:

• një verdhëz shumë e fortë.

• ndryshimi i sjelljes tek një fëmijë që ka verdhëz si përgjumësi, apo ngacmueshmëri e theksuar, humbja e oreksit, dobësimi i të qarit, të dalat jashtë pa ngjyrë etj.

• një verdhëz që zgjat mbi 2 javë edhe kur nuk është shumë e theksuar, janë arsye të forta për ta drejtuar fëmijën tek mjeku.

/komuniteti