Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Si të kujdeseni për foshnjen e ftohur

Kur është fjala për kujdesin ndaj foshnjeve, shumë prindër janë në mëdyshje nëse e mirëmbajnë higjienën e foshnjes në mënyrë të rregullt apo se si të veprojnë në raste të ftohjeve.

Dhënia e ilaçeve

Ilaçet në formë sirupi mund të jepen me anë të lugëzës, pipetës apo shishes. Sido që të jepet, duhet respektuar doza e përshkruar. Ilaçe të caktuara, nëse jepen madje edhe në doza më të vogla se sa për të rritur, mund të jenë toksike për foshnjen.

Veprimi i drejtë: Vendosni fëmijën në pozitën gjysmëulur. Mbushni pipetën me sirup, fusni me kujdes pipetën në gojën e foshnjes, dhe lëshoni lëngun e sirupit anash gojës së foshnjes por jo shumë thellë. Foshnja ka refleks të thithes dhe shpesh hedh jashtë përmbajtjen përmes pështymës. Pas marrjes së ilaçit jepini foshnjes për të pirë ujë apo qumësht, në mënyrë që të gëlltisë më mirë ilaçin.

Këshilla e mjekut: Të njejtin veprim mund ta zëvendësoni edhe me shiringën e injeksioneve. Nëse pediatri ua rekomandon gjysëm lugëze të kafesë me ilaç, ju mund ti jepni foshnjes me anë të shiringës 2,5 ml ilaç, ndërsa nëse ua rekomandon një lugëz të tërë kafeje, kjo nënkupton ti jepni foshnjes 5 ml ilaç.

Hedhnja e pikave në sy

Konjuktivi, pezmatimi mukozalës e cila njomë pjesën e mbrendshme të kapakëve të syve dhe të bardhës së syrit, shpesh lajmërohet tek të posalindurit. Mjeku do t`ua përshkruajë pikat apo kremin për sy, të cilat sipas udhëzimit duhet ti përdorni tek fëmija juaj.

Veprimi i drejtë: Para se ti hidhni pikat apo lyeni kremin, së pari duhet ti pastroni sytë e foshnjes me një gazë me tretje fiziologjike, duke filluar nga cepi i mbrendshëm nga ana e hundës, deri në cepin e jashtëm të syrit. Mbani kokën e foshnjes me një dorë dhe kthejeni në një anë, të kundërt me atë në të cilën do ti hedhni pikat. Me anë të gishtit të madh dhe gishtit tregues ndani kapakun e epërm me atë të poshtëm. Hidhni pikën në cepin e mbrendshëm të syrit, duke patur kujdes që maja e shishes apo pipeta të mos e prek syrin.

Këshilla e mjekut: Nëse vendosni krem antibiotik, vendoseni në gishtin tregues paraprakisht të pastruar mirë, dhe me një lëvizje të shpejtë, nga cepi i mbrendshëm gjer në atë të jashtëm, në nivel të qerpikëve të kapakut të epërm, lyeni kremin në syrin e foshnjes. E dobishme është që paraprakisht syrin ta pastroni me tretje fiziologjike dhe ta masazhoni lehtë gjendrrën e lotëve e cila ndodhet në cepin e mbrendshëm të syrit.

Matja e temperaturës

Matjen e temperaturës më së lehti mund ta bëni me anë të termometrit elektronik, të cilin mund ta bleni në secilën farmaci. Mos përdorni termometër me merkur, të cilët janë të ndaluar në treg.

Veprimi i drejtë: Pastroni termometrin me ndihmën e vatës me ndonjë dezinfektues. Kapni shputat e foshnjes, ngritini këmbët lehtësisht dhe vendoseni termometrin me shumë kujdes në anus. Me të ndëgjuar sinjalin, hiqeni termometrin dhe kontrolloni në ekran se sa është temperatura. Kjo mënyrë e matjes quhet rektale, ndërkaq krahas kësaj mënyre egziston edhe ajo aksilare (nën sqetull), ndërsa më të rralla janë matjet në vesh, në gojë dhe në ballë. Temperatura normale aksilare është 37 gradë, ndërsa ajo rektale është 37,5 gradë. Temperatura e lartë kërkon përdorim të ilaçeve për të zbritur temperaturën.

Këshilla e mjekut: Temperatura e lartë zbret së pari duke i hequr foshnjes rrobat e tepërta. Kontrolloni temperaturën në hapsirë, e cila nuk duhet të jetë më e madhe se 24 – 25 gradë. Nga rreziku i dehidrimit, duhet ti jepni foshnjes sa më shumë ujë dhe çajra, të cilat nuk duhet të jenë të ngrohtë, por të temperaturës së dhomës. E rëndësishme është që disa herë gjatë ditës ta lani foshnjen me ujë të vakët, me kohëzgjatje prej 10 minutash. Nëse temperatura nuk zbret duhet ti jepen ilaçe si paracetamoli (eferalgan) apo ibuprofeni (brufen) nga 6 gjer në 8 orë.

Çfarë duhet të bëni para se ti jepni foshnjes ilaçin

Gjithmonë lexoni udhëzimin para se ti jepni foshnjes ilaçe. Poashtu, kontrolloni afatin e skadimit dhe mënyrën e përdorimit të ilaçit. Më e sigurtë është që foshnjes ti jepni ilaç me ndihmën e shiringës, sepse ashtu nuk do të gaboni në dozën – gjysmë lugëze është 2,5 mililitra.

Para se ti hidhni pika në sy, kaloni përmes syrit të foshnjes me një tretje fiziologjike duke filluar nga ana e mbrendshme nga hunda. Atëherë mund ti hidhni pikat. Keni kujdes në afatin e skadimit të pikave.

/komuniteti