Miratuar nga Ansambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20.11.1989.
Shtetet Palë në këtë Konventë,
Në përputhje me parimet e shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, njohja e dinjitetit të lindur dhe të drejtave të barabarta të të gjithë njerëzve është baza e lirisë, drejtësisë dhe e paqes në botë. Duke pranuar se fëmija, për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit të tij, duhet të rritet në mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi. Fëmija duhet të përgatitet plotësisht për të bërë një jetë individuale në shoqëri dhe të edukohet në frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë, barazisë dhe solidaritetit.
Duke pranuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve në të gjitha vendet dhe veçanërisht në vendet në zhvillim, shtetet palë ranë dakord:
Neni 1
Në këtë Konventë, me fëmijë kuptohet çdo njeri nën moshën 18 vjeç.
Neni 2
Të drejtat e përmendura në këtë Konventë përfshijnë çdo fëmijë, pa asnjë lloj dallimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, feja, opinioni politik ose çdo opinion tjetër, nga origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, pasuria, paaftësia, prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijës ose prindërve të tij.
Neni 3
Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën të marra qoftë nga institucionet publike ose private, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi i fëmijës duhet të jetë prioritet.
Neni 4
Shtetet Palë angazhohen të marrin të gjitha masat legjislative, administrative të nevojshme, për të vënë në jetë të drejtat e fëmijëve të njohura në këtë Konventë.
Neni 5
Prindërit ose anëtarët e familjes kanë përgjegjësi dhe detyra për fëmijën, për ti dhënë atij drejtimin dhe udhëheqjen e duhur për ushtrimin e të drejtave që i njeh atij kjo Konventë.
Neni 6
Shtetet Palë njohin se çdo fëmijë ka të drejtën e pamohueshme për të jetuar dhe marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës.
Neni 7
Fëmija ka të drejtën të ketë një emër, të drejtën për të fituar një shtetësi dhe kombësi.
Neni 8
Shtetet Palë marrin përsipër të respektojnë të drejtën e fëmijës për të ruajtur identitetin e tij, përfshirë këtu shtetësinë, mbiemrin dhe lidhjet familjare, sipas ligjit, pa ndërhyrje të paligjshme.
Neni 9
Fëmijët kanë të drejtë që të jetojnë me prindërit (prindin) me përjashtim të rastit kur është e pamundur që të jetojnë me ta. Çdo fëmijë ka të drejtën që të jetojë me një familje që kujdeset për të.
Neni 10
Një fëmijë, prindërit e të cilit banojnë në shtete të ndryshme, ka të drejtë të mbajë marrëdhënie personale dhe takime të rregullta të drejtperdrejta me të dy prindërit etij, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme.
Neni 11
Shtetet Palë marrin masa për të luftuar rrëmbimin dhe trafikimin të fëmijëve në vend të huaj.
Neni 12
Shtetet Palë i garantojnë fëmijëve, të drejtën për t`i shprehur lirisht mendimet dhe opinionet e tyre për çdo çështje.
Neni 13
Fëmija ka të drejtën e lirisë së shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë për të kërkuar, për të marrë dhe për të përcjellë informacione dhe ide, në formë gojore, të shkruar ose artistike, ose me çdo mjet tjetër të zgjedhur nga fëmija. Fëmijët mundet ti ushtrojnë këto të drejta gjithmonë duke respektuar dhe mos shkelur të drejtat e të tjerëve.
Neni 14
Shtetet Palë, respektojnë të drejtën e fëmijës për lirinë e mendimit, në lidhje me besimin fetar. Prindërit e kanë për detyrë për të drejtuar fëmijët në ushtrimin e të drejtës së tyre në lidhje me besimin fetar.
Neni 15
Fëmijët kanë të drejtë që të zgjedhin shokët/shoqet e tyre dhe të bashkohen ose të krijojnë grupe deri aty ku nuk përbënë rrezik për të tjerët.
Neni 16
Çdo fëmijë ka të drejtën e një jetë private. Fëmija ka të drejtën e mbrojtjes me ligj kundër ndërhyrjeve ose cenimeve të privatësisë së tij.
Neni 17
Fëmijët kanë të drejtë për të marrë informacione dhe material që vijnë nga burime të ndryshime kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos ato që synojnë të rrisin mirëqënien e tyre shoqërore, shpirtërore e morale, si dhe shëndetin e tyre fizik dhe mendor.
Neni 18
Përgjegjësinë kryesore për edukimin dhe zhvillimin e fëmijës e kanë prindërit, ose sipas rastit, përfaqësuesit e tij ligjor. Ata duhet të udhëhiqen, në radhë të parë, nga interesi më i lartë i fëmijës.
Neni 19
Shtetet Palë marrin pjesë të gjitha masat legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, fyerja ose keqtrajtimi, braktisja apo mospërfillja, nëpërkëmbja ose shfrytëzimi, përfshirë abuzimin seksual.
Neni 20
Shteti siguron mbrojtje dhe një ndihmë të posaçme për fëmijët që nuk kanë familje.
Neni 21
Shtetet Palë sigurojnë që birësimi i fëmijës të autorizohet vetëm nga autoritetet kompetente, të cilët përcaktojnë, në përputhje me ligjin dhe procedurat e zbatueshme dhe mbi bazën e të gjitha të dhënave përkatëse. Interesi më i lartë i fëmijës është gjithmonë prioritet.
Neni 22
Shtetet Palë marrin masat e duhura për të siguruar që një fëmijë, i cili kërkon të marrë statusin e refugjatit të përfitojë nga mbrojtja dhe përkrahja humanitare e duhur, për t`i lejuar atij të gëzojë të drejtat e tij.
Neni 23
Fëmija me aftësi të kufizuara duhet të bëjë një jetë normale dhe të përshtatshme, në kushte që garantojnë dinjitetin e tij, që nxisin autonominë dhe lehtësojnë pjesëmarrjen e tij aktive.
Neni 24
Asnjë fëmije nuk duhet ti mohohet e drejta për të pasur shërbime sa më të mira të kujdesit shëndetsorë.
Neni 25
Nëse fëmija jeton nën përkujdesje apo në situata të tjera, larg nga shtëpia, ka të drejtën për të qenë nën kujdesje, mbrojtje dhe kushtet e jetesës të kontrollohen rregullisht për të parë nqs janë të përshtatshme.
Neni 26
Shtetet Palë i njohin çdo fëmije të drejtën për të përfituar përkrahje shoqërore, përfshirë sigurime shoqërore dhe marrin masat e nevojshme për të arritur realizimin e plotë të kësaj të drejte, në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtarë.
Neni 27
Shtetet Palë njohin të drejtën e çdo fëmije për një nivel jetese të mjaftueshëm për zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtërorë, moral dhe shoqërorë.
Neni 28
Fëmija ka të drejtën për arsimim, me qëllim që të arrihet kjo e drejtë arsimimi fillorë është i detyrueshëm dhe falas për të gjithë. Shtetet Palë nxisin dhe inkurajojnë bashkëpunimin ndërkombëtarë në fushën e arsimit, për të kontribuar, në mënyrë të veçantë, në zhdukjen e padijes dhe të analfabetizmit kudo në botë.
Neni 29
Arsimimi i fëmijës ka për synim: Të zhvillojë potencialin e plotë të personalitetit, dhuntive dhe aftësive mendore e fizike të fëmijës; Ta përgatisë fëmijën për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë, në frymën e mirëkuptimit, paqes, tolerimit, barazisë midis të gjithë popujve, grupeve etnike, grupeve kombëtare e fetare.
Neni 30
Një fëmijë që i përket një minoriteti ose është autokton, ka të drejtën për pasur kulturën e vet, të ushtrojë dhe praktikojë fenë e vet ose të përdorë gjuhën e vet.
Neni 31
Fëmija ka të drejtën të pushojë dhe argëtohet, të praktikojë lojëra dhe veprimtari çlodhëse, në përshtatje me moshën, si dhe të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore dhe artistike.
Neni 32
Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për t`u mbrojtur nga shfrytëzimi ekonomik dhe nga kryerja e çdo pune që paraqet rreziqe ose që cenon edukimin e tij ose dëmton shëndetin apo zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtërorë,moral dhe shoqërorë.
Neni 33
Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura, duke përfshirë ato legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative, për të mbrojtur fëmijët nga përdorimi i paligjshëm i drogave narkotike dhe lëndëve psikotrope, dhe nuk lejon që fëmijët të përdoren për prodhimin dhe trafikun e paligjshëm të këtyre lëndëve.
Neni 34
Shtetet Palë marrin përsipër të mbrojnë fëmijën nga çdo lloj forme e shfrytëzimit seksual dhe keqtrajtimit seksual.
Neni 35
Shtetet Palë marrin të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar rrëmbimin, shitjen, ose trafikimin e fëmijëve për çdo qëllim dhe në çfarëdo forme qoftë.
Neni 36
Shtetet Palë mbrojnë fëmijën nga çdo forme tjetër shfrytëzimi, që dëmton në çfarëdo aspekti mirëqënien e tij.
Neni 37
Asnjë fëmijë nuk lejohet t`i nënshtrohet torturës, as trajtimeve ose dënimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. As dënimi me vdekje, as burgimi i përjetshëm nuk duhet të jepen për shkelje të ligjit; të kryera nga persona nën 18 vjeç.
Neni 38
Shtetet Palë marrin të gjitha masat e mundshme, për të siguruar mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët e prekur nga konflikti armatosur si dhe personat, të cilët nuk kanë mbushur moshën 15 vjeç nuk lejohet të marrin pjesë drejtpërdrejt në veprimet luftarake.
Neni 39
Çdo fëmijë i shfrytëzuar ose i keqtrajtuar, ka të drejtën e një përkujdesjeje të veçantë.
Neni 40
Çdo fëmijë i dyshuar ose i akuzuar për shkelje të ligjit penal ka të drejtën e një trajtimi që zhvillon ndjenjën e dinjitetit dhe të vlerës së personit, si dhe ka të drejtën e mbrojtjes ligjore.
Neni 41
Nëqoftëse ligjet e një shteti sigurojnë mbrojtje më të mirë të të drejtave të fëmijës sesa artikujt në këtë Konventë, atëherë ato ligje duhen zbatuar.
Neni 42
Shtetet Palë marrin përsipër t`ua bëjnë gjërësisht të njohura parimet dhe dispozitat e kësaj Konvente, si të rriturve ashtu edhe fëmijëve.
Neni 43 deri në 45
Këta arikuj shpjegojnë se si qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare do të punojnë që të sigurojnë se fëmijët janë të mbrojtur nga të drejtat e tyre.