Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Këshilla për larje të sigurtë

Këshilla për larje

Koha e larjes mund të jetë kohë qejfi dhe speciale për t’u ndarë bashkë me vogëlushin tuaj. Mirëpo është edhe kohë për kujdes. Mbajini parasysh këto këshilla për larje në mënyrë që të voglin tuaj ta keni të sigurt ndërkohë që e bëni të pastër si drita:

• Rregulli i parë dhe më i rëndësishëm është: Kurrë, kurrë mos e lini të voglin pa mbikëqyrje, as edhe një çast. Fëmijët mund të mbyten edhe në më pak se 2-3 cm ujë. Bëjini gati më parë të gjitha pajisjet që ju nevojiten (sapun, peshqirë, etj.). Nëse zilja e derës bie apo telefoni nuk ndalet dhe mendoni se duhet patjetër të përgjigjeni, mbështilleni vogëlushin me një peshqir dhe merreni me vete.

• Mos e lini vogëlushin në vaskë ndërsa uji ende rrjedh (temperatura e ujit mund të ndryshojë ose uji mund të bëhet shumë i thellë).

• Bëjeni të sigurt vaskën familjare: vaskat janë shumë të rrëshqitshme, kështu që shtrojini tuajës një shtrojë gome që të rrini të sigurtë. Një shtrojë e butë mund ta mbrojë kokën e të voglit tuaj nga përplasje të dhimbshme. Gjithashtu, sigurohuni që dyert e lëvizshme prej qelqi janë prodhuar me qelq të sigurtë.

• Ujin për larje bëjeni me nxehtësi të këndëshme (32-37 gradë celsius). Bebet dhe vogëlushët kryesisht parapëlqejnë vaskë më të ftohtë nga sa ju pëlqen ju.

• Mos mbushni shumë ujë në vaskë — asnjëherë më shumë se deri tek beli (në pozicion të ulur) për vogëlushët dhe fëmijë më të rritur.

• Për fëmijët që mund të rrinë ulur, një rreth-banjoje me plastikë thithëse në fund të vaskës mund t’ju “japë një dorë". Por mos lejoni që prej këtij sendi të ndjeheni tepër të sigurta — asgjë nuk e zëvendëson syrin e prindit tek fëmija.

• Mësojini fëmijës tuaj të rrijë ulur (jo në këmbë) në vaskë.

• Sapunët, shampot dhe banjat me flluska mund ta thajnë lëkurën e fëmijës tuaj dhe të shkaktojnë acarime, ndaj përdorini rrallë. Ato mund të irritojnë edhe uretrën, që rrit pastaj rrezikun e infeksioneve në kanalet urinare. Që vogëlushi juaj të mos qëndrojë gjatë në ujë që mund të jetë përplot sapun irritues, luani me të në fillim të larjes dhe ruajeni sapunin dhe shampon për në fund.

• Ngrohësinë e ujit kurdiseni në 48 gradë celsius. Duhen vetëm dy sekonda që një fëmijë të pësojë djegie të shkallës së tretë nga uji me temperaturë 65 gradë dhe pesë sekonda nëse është 60 gradë, temperatura këto në të cilat ngrohësit zakonisht kurdisen në fabrikë.

• Mos e lejoni fëmijën të prekë dorezat e çesmës. Edhe nëse tani nuk mundet që t’i lëvizë eventualisht do të jetë i fuqishëm për ta bërë këtë — gjë që mund t’i shkaktojë lëndime të rënda. (Përpiquni ta fusni fëmijën në vaske dhe ta ktheni me shpinë nga çesma.)

• Pajisjet elektrike (si tharëset e flokëve dhe hekurin për flokë) mbajini larg vaskës.

/komuniteti