Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kujdesi për dhëmbë të shëndetshëm

Dhëmbët, si pjesë e rëndësishme e buzëqeshjes në tërësi, kërkojnë kujdes të domosdoshëm dhe të vazhdueshëm

Buzëqeshja, luan rol të rëndësishëm në komunikimin midis njerëzve. Për ta arritur sa më mirë këtë komunikim vajzat, djemtë, gratë, burrat dhe pse jo edhe fëmijët kërkojnë që goja e tyre të jetë e shëndetshme me buzëqeshje të hapur dhe të parfumosur.

Dhëmbët, si pjesë e rëndësishme e buzëqeshjes në tërrësi, kërkojnë kujdes të domosdoshëm dhe të vazhdueshëm. Ato janë shumë të bukur kur janë të bardhë, të rregullt dhe simetrik.

Është e kuptueshme se për të arritur në maksimunin e dëshirave për një gojë të bukur, vetë individët si dhe mjekët stomatolog kanë role bashkëvepruese dhe bashkëpunuese.

Në vetëvete, dhëmbët e shëndetshëm nuk përmirësojnë vetëm paraqitjen estetike. Ato kontribuojnë edhe në mirëqenien e përgjithshme të organizmit.

Shkaktarët themelorë të problemeve të gojës dhe të dhëmbëve janë;

• Higjena jo e mirë e saj,

• Ushqimi jo i përshtatshëm,

• Streset, dhe

• Ulja e imunitetit të organizmit.

Fatkeqësisht konstatohet, se njerzit i nënvlerësojnë këto aspekte gjatë jetës së tyre të përditëshme. Ndoshta kjo ndodh për shkak të nxitimit për në shkollë, mxitimit për në punë, ngarkesës së punëve shtëpiake dhe familjare por, edhe mund të ndodhë për arsye të mosnjohjes apo mosdijes të faktorve që ndikojnë negativisht në shëndetin e dhëmbëve tanë. Për më tepër, përgjegjësia e çdo personi rritet kur kontrolli periodik tek stomatologu mungon për shkak të neglizhencës së pa kuptueshme.

Higjena e gojës parandalon problemet e dhëmbëve, për shkak të formimin të pllakës dentare dhe gurrëzave. Pllakat dentare apo si njihen ndryshe, shtresat e mbeturinave ushqimore e shoqëruar me mikroorganizmat e grumbulluara aty së bashku me gurrëzat, janë arsyerja kryesore e prishjes së dhëmbëve dhe e sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve. Pllakat dentare, formohen nga bashkimi i bakterieve me pështymën dhe ushqimin. Nëse ato arrijnë të formohen, e vetmja mundësi për t’i hequr është paraqitja tek mjeku stomatolog. Për shkak të mbledhjes së pllakës dentale, fillon prishja e dhëmbëve dhe e dhëmballëve. Aciditeti i formuar nga bakteriet me sheqerin e ushqimeve, shkatërojnë smalitin dhe dentinën e dhëmbit. Pllaka dentare është shkaku infektimit të mishrave të dhëmbëve, duke shkaktuar sëmundjet e mishit të dhëmbëve të cilat janë shkaktarët kryesorë në humbjen e dhëmbëve sidomos në moshat e vjetra. Infeksionet e mishrave të dhëmbëve, janë edhe shkaktari kryesor i erës së keqe të gojës që i vë njerzit në gjendje jo të favorshme përballë njëri tjetrit.

Parandalimi i sëmundjeve të gojës, dhëmbëve dhe mishrave të tyre duhet të bëhen shprehi e higjenës së përditshme dhe të vazhdueshme personale. Ajo fillon me;

• Me rregjimin e të ushqyerit,

• Pastrimin e dhëmbëve me furçë dhëmbësh dhe pastë,

• Me përdorimin e fijes dentare dhe shplarsin dentar,

• Me kontrollin periodik tek mjeku stomatolog, dhe përfundon

• Me ndërhyrjen e tij sa herë është i domosdoshëm trajtimi i dhëmbëve.

Pastërtia e dhëmbëve dhe furça për larjen e tyre

Shumë kohë përpara, njerzimi ka kuptuar se duke pastruar gojën dhe në veçanti dhëmbët me furçë, ruanin një shëndet dhe cilësi më të mirë të tyre. Eksperiencat tregojnë se pastrimi dhe larja e gojës e në veçanti larja e dhëmbëve me furçë, duhet të bëhen mbas ngrënies së ushqimeve. Efektiviteti i kujdesit, është i arritur edhe kur ato kryhen minimalisht dy herë në ditë.

Shumë i rëndësishëm është pastrimi me imtësi, duke i fërkuar dhëmbët me furçën e dhëmbëve dhe me pastë dhëmbësh. Shpesh njerzit mendojnë se një “lucidim” i sipërfaqes së dhëmbëve është i mjaftueshëm. Në të vërtetë nuk është kështu. Dhëmbët duhet të lahen si në sipërfaqen e jashtme të tyre, ashtu dhe në pjesën e sipërme dhe të brëndshme, duke e lëvizur furçën majtas-djathtas si dhe lartë-poshtë. Pozicioni i furçës, i fijeve të saj mbi dhëmbët, vendoset nga 90° deri në 45°. Këshillohet që proçedura të zgjas nga dy deri në pesë minuta.

Furçat më të përshtatshme, janë ato me fije të buta. Koka e furçës duhet të preferohet aq e vogël, sa të futet në të gjithë pjesët e gojës pa vështërsi dhe pa shkaktuar ndjenjën e të vjellit. Shumë e rëndësishme është që ato të ndrohen çdo 3-4 muaj, dhe sa herë personi përdorues kalon një grip apo infeksion kudo në organizmin e tij, sepse mundësia e prishjes së dhëmbëve mund të përsëritet për shkakt të furçës të mbushur me bakterie.

Pastat e dhëmbëve

Funksioni i furçës së dhëmbëve rritet, me përdorimin e pastës së dhëmbëve.

Cilësia e dhëmbëve dhe e dhëmballëve ndahen në disa kategori me veçori specifike të përcaktuara, të cilat mund të ndryshojnë nga një individ tek tjetri. Në këtë mënyrë është bërë e mundur që të krijohen pasta dhëmbësh të kategorive të ndryshme, për t’u përshtatur dhe ndihmuar në shëndetin e dhëmbëve në bazë të këtyre veçorive. Kjo sjell domosdoshmërinë e kontrollit tek mjeku stomatolog, për të patur parasysh veçoritë e dhëmbëve në zgjedhjen e duhur të pastës si p.sh. pastë kundër kariesit, pastë për dhëmbë të ndjeshëm, pastë për zbardhjen e dhëmbëve etj.

Në mënyrë të përgjithshme, është e këshillueshme të përdoren pastë dhëmbësh që përmbajnë flor, sepse ndihmon në parandalimin e kariesit.

Rregjimi ushqimor

Ushqyerja me dietë të shëndetshme dhe evitimi i ushqimeve dhe lëngjet me përmbajtje të madhe sheqeri, kanë rëndësi në ruajtjen e cilësisë së gojës dhe dhëmbëve. Sheqernat janë ushqim i mirë për bakteriet, që kthehen në acide duke shkaktuar karies/prishjen e dhëmbëve. Rregjimi ushqimor ka rol domethënës në shëndetin e dhëmbëve, jo thjeshtë për shkak të cilësisë dhe asortimenteve që konsumohen. E rëndësishme mbetet pastrimi i gojës dhe dhëmbëve pas konsumit ushqimor. Në kohën kur konsumatori ndodhet në shtëpinë e vet, problemi merr zgjidhje të përshtatshme. Në rastet kur konsumatori i ushqimit ndodhet jashtë shtëpisë, dhe nuk ka mundësi për pastrimin dhe larjen e dhëmbëve, atëherë rekomandohet evitimi i ushqimeve të rënda për dhëmbët si dhe përdorimi i fijes dentare dhe çimçakëzave pa sheqer.

Fija dentare është pak e përdorur edhe në shoqëritë e zhvilluara. Vihet re, se përdorim më të gjërë kanë kunjat e drurit të cilat pothuajse ndodhen në çdo tavolinë të konsumit ushqimor publik. Në rekomandimet e sotme, kunjat e drurit duhet të mos përdoren sepse janë shkaktar të dëmtimit të mishrave të dhëmbëve dhe të dhëmbëve. Duhet kuptuar se fija dentare është e shëndetëshme për ambjentin e gojës, dhe eleminon mbetjet ushqimore midis dhëmbëve si shkaktar të formimit të shtresave të verdha mbi dhëmbë. Filli dentar duhet të përdoret edhe në kushte shtëpie, si pjesë e kujdesit të gojës. Tek përdoruesit fillestar të fillit të dhëmbëve, mundet të dalë pak gjak nga mishi i dhëmbëve. Nëqoftëse gjakrrjedhja nuk ndalon pas disa ditë përdorimi të fillit dentar, kontrolli tek mjeku stomatolog është i rëndësishëm për të kontrolluar mundësinë e fillimit të sëmundjeve të mishit të dhëmbëve.

Edhe shplarsit e dhëmbëve janë mundësi për të mbajtur higjenë të lartë të gojës, për të eleminuar pllakat dentale dhe krijuar ambjent të freskët në gojë. Tek individët që nuk përdorin furçën e dhëmbëve, gargarat antiseptike/kundër infeksioneve kanë rol në pastrimin e dhëmbëve. Përdorimi i tyre është i mundur, gjithënjë nëse janë të përshtatshëm dhe nuk krijojnë alergji apo shqetësime të tjera shëndetsore. Edhe përdorimi i çimçakëzave, largon mbetjet ushqimore nga vëndet e vështira midis dhëmbëve. Ndërsa përdorimi çimçakëzave pa sheqer, rit rrjedhjen e sekrecioneve të gojës duke pastruar dhe disinfektuar hapsirën e gojës.

Kontrolli tek stomatologu

Kontrolli periodik tek mjeku stomatolog është shumë i rëndësishëm për shëndetin e dhëmbëve dhe higjenën e gojëse. Rekomandohet që një kontroll vjetor, është i mjaftueshëm për të realizuar qëllimin. Gjatë kontrollit, mjeku stomatolog bën edhe pastrimin e dhëmbëve dhe nëse konstaton probleme tek dhëmbët, i riparon ato duke përcaktuar dhe shpeshtësinë e trajtimit të tyre.

Kujdesi për dhëmbët në shtatzëni

Higjena orale në shtatzëni, është shumë e rëndësishme për ecurinë dhe zhvillimin sa më normal të saj. Prandaj në këshillimet parakoncepsional, ekziston edhe rekomandimi për rregullimin e dhëmbëve përpara se të vendoset për të filluar një shtatzëni. Për shkak të kërkesave të fetusit për kripra dhe minerale si dhe ndryshimeve hormonale në organizmin e nënës, ritet mundësia e dëmtimit të smaltit të dhëmbëve dhe prishjes së higjenës së gojës. Përveç ritjes së konsumit të tyre e në veçanti të kalciumit nga shtatzënat, në konsultim me gjinekologun, mund të përdoren preparate fluori me doza të përshtatshme të cilat sigurojnë ndërtimin e substancës së smaltit kualitativ tek foshnjat. Pastrimi i gojës dhe i dhëmbëve nuk duhet të ndërpritet por, duhet të jetë i përditshëm. Përdorimi i furçave të dhëmbëve më të buta, por edhe pastrimi i dhëmbëve me anë të fillit dentar vazhdon të mbetet i rëndësishëm.

E ënjtura dhe gjakderdhja nga dhëmbët, është e shpeshtë në shtatzani si shkak i ndryshimeve intensive hormonale të cilat shkaktojnë ndryshime të mëdha në indet paradontale, sidomos në dhëmballa. Në këto raste, veçanërisht nëse nuk ka higjenë të mirëfilltë të gojës, sëmundshmëria e mishrave të dhëmballëve është evidente. Sapo shtatzënat të konstatojnë një problem të tillë, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku stomatolog për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Natyrisht që edhe gjatë shtatzënisë është e mundur të rregullohen dhëmbët, pa kurrfarë pasojash negative mbi ecurinë e shtatzënisë apo fetusit. Rekomandohet që gjatë tremujorit të parë duhen shmangur ndërhyrjet stomatologjike, kur është e nevojshme përdorimi i anestezive/mpirjeve lokale apo përdorimi i medikamenteve që influencojnë në shtatzëni. Pas kësaj periudhe, nëse shtatzënia është normale, mund të bëhen ndërhyrje tek dhëmbët pa asnjë problem.

Edhe heqja e dhëmbëve në shtatzwni duhet shmangur në tremujorin e parë, nëse bëhen me mpirje. Në periudhat e tjera të shtatzënisë mund të bëhet heqja e dhëmbëve, përveç rasteve kur ka probleme me mpiksjen e gjakut. Në këto raste, para heqjes duhet konsulta me me mjekun gjinekolog dhe stomatolog.

Edhe pse për fotografimin me rreze Rontgen në stomatologji nevojiten doza minimale të rrezatimit, preferohet mos ekzpozimi ndaj tyre, sidomos në 12 javët e parë të shtatzënisë. Nëse fotografimi është i domosdoshëm, mund të bëhet duke përdorur të gjitha masat mbrojtëse për nënën dhe fetusin. Fotografimi i dhëmbëve me aparate digitale Rontgen (radioviziografia), është më i pranuar për shkak se rrezatimi është rreth 80% më i vogël se sa tek aparatet klasikë.

 

Mjeke Stomatologe,

Renata Pulja

Maj 2013

/komuniteti