Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Lindja

Bebi lindi, po tani?

Fëmiu dëgjon zërin e nënës qysh nga java e 28-të e shtatëzanisë

Sapo fëmija lind, ai duhet të fshihet me një pelenë të ngrohtë, derisa të pihen krejtësisht ujrat dhe gjaku. Ndërkaq është prerë kordoni i kërthizës, pastaj fëmija mbulohet me një pelenë tjetër të ngrohtë dhe vendoset mbi bark të nënës.

Sipas rastit, mundet që fëmija të vendoset mbi një tavolinë ngrohëse të posaçme dhe pasi janë kryer veprimet e mësipërme, i jepet nënës. Ndonjëherë mundet që të pastrohen me anë të thithjes lëngjet e gojës dhe të hundës të fëmijës.

Fëmija kërkon menjëherë nënën. Pak minuta pas lindjes, fëmija fillon të hapë gojën, sikur kërkon diçka dhe hap sytë. Njëkohësisht fillon të drejtohet për nga nëna dhe vepron kështu sepse instiktivisht kërkon nënën e vet. Kjo do të thotë që fëmija ndihet më mirë kur është afër nënës. Për këtë arsye, kërkojini personelit që t`jua sjellë fëmijën pranë, sapo ka lindur. Kjo është një mënyrë për ta filluar jetën ashtu si duhet!

Fëmija duhet të mbrohet nga të ftohtit. Që nga momenti që ka lindur dhe në vazhdim, fëmija duhet të mbrohet nga të ftohtit. Në fakt, duke qenë ende i paformuar, i porsalinduri mund të humbasë shpejt temperaturën trupore. Temperatura e ulët trupore, në se nuk trajtohet, bëhet shkak jo vetëm për sëmundjeje, por edhe për dëmtimin e fëmijës. Për këtë arsye është thelbësore ruajtja e një temperature normale trupore.

 

Temperatura trupore mund të ruhet:

(1) duke e mbajtur ngrohtë fëmijën (kontakt të drejtëpërdrejtë lëkurë me lëkurë të nënës me fëmijën, temperaturë të përshtatshme të mjedisit, veshje të ngrohta, inkubator, ngrohës etj.).

(2) duke e ushqyer, domethënë duke e vënë sa më herët që të jetë e mundur në gji,

(3) duke shmangur rrymat e ajrit (hapjet dhe mbylljet e shpeshta të dyerve dhe dritareve). Kujdesuni që bebi të mos të fuse në gojë vetëm thithin, por dhe një pjesë të të zezës së gjirit (aureolës).

Kërthiza. Një nga veprimet që bëhen në sallë të lindjes, është prerja e kordonit dhe kujdesi për të. Kërthiza pritet rreth 3 cm larg nga lëkura dhe pastrohet me alkol 70°. Kërthiza duhet të mbahet e thatë.

Pikat në sy. Pasi ka kaluar rreth 1 orë nga lindja, fëmijës i hidhen në sy pika të eritromicinës (kolir 1-2%), ose të tretësirës ujore të betadinës (2.5%). Mund të përdoret edhe pomada e teranit ose koliri i nitratit të argjentit. Pikat në sy janë një veprim që duhet të kryhet domosdoshmërisht pas lindjes së një fëmije, për të parandaluar infeksionin e syve.

Temperatura e përshtatshme e mjedisit. Menjëherë pas lindjes, duhet të ruhet një temperature e mjedisit rreth 24° C, kurse në shtëpi është e mjaftueshme një temperaturë rreth 20° C.

Fëmija me nënën nuk duhet të ndahet. Kur nuk ka ndonjë arsye të fortë, gjithmonë kërkoni ta keni fëmijën pranë.

 

Ja se cilat janë përparësitë kryesore të këtij veprimi:

• Nëna shijon (sheh dhe prek) frutet e mundit të saj.

• Krijohet menjëherë një lidhje midis nënës dhe fëmijës.

• Nëna ngroh me trupin e vet edhe atë të fëmijës.

• Duke e vendosur në gji, nxit prodhimin e qumështit të vet.

• Fëmija ndihet mirë sepse dëgjon një zë që e njeh (fëmija dëgjon zërin e nënës qysh nga java e 28-të e shtatëzanisë), paçka se pak më ndryshe.

Në orët e para pas lindjes, megjithëse fëmija duket pak si i përgjumur, në fakt është mjaft i vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth tij. Ky raport me mjedisin është shumë i rëndësishëm, sepse krijon dhe bazat e para të marrëdhënieve në vijim me nënën dhe babain e vet. Fëmija i porsalindur i kushton shumë më tepër vëmendje fytyrës njerëzore, ajo e tërheq më shumë.

Mos mendoni se fëmija i vogël nuk sheh, nuk dëgjon, ose nuk ndjen. Ai është në gjendje të shijojë dhe të ndiejë dhimbje, aq sa pakujdesia jonë në këtë drejtim mund të ndikojë jo mirë në rritjen e tij dhe mënyrën sesi do ta përballojë stresin në të ardhmen. Por mos u fusni në siklet nga kjo: nuk është nevoja të sforcoheni apo të bëni ndonjë gjë të veçantë: shumë thjesht merreni fëmijën në krahë, përkëdheleni dhe mos lejoni të tjerët të kujdesen për të, kur keni mundësi. Edhe kur nuk mundeni, asnjëherë larg syve tuaj (jo për dyshim, por sepse me siguri, fëmija juaj, ndihet më mirë vetëm pranë jush).

A ka nevojë i porsalinduri për të atin?

Kur një fëmijë lind, vëmendja e të gjithëve është e përqëndruar tek ai dhe nëna. Zakonisht babai ndihet i lënë pas dore ose i përjashtuar. Aq sa është e rëndësishme lidhja nënë-fëmijë, po aq është edhe lidhja me babain. Shumë shpejt pas lindjes edhe babai duhet të sigurojë kontaktin fizik me fëmijën, domethënë kontaktin lëkurë me lëkurë.

Në këtë mënyrë fëmija do të njohë erën e trupit të të atit dhe pas disa javësh kjo erë do t’I ndjellë një gjendje qetësie dhe sigurie. Babai gjithashtu duhet t’I flasë fëmijës, në mënyrë që ai të njohë dhe të dallojë zërin e tij. Në fakt, kur ai i ka folur fëmijës që në bark të nënës, fëmija është në gjendje t’ia njohë zërin menjëherë pas lindjes.

Babai duhet të përfshihet edhe në kujdesin e përditshëm të fëmijës; ai duhet ta mbajë atë në krahë, ta ndërrojë dhe të marrë pjesë në bërjen e banjës. Nëse fëmija ushqehet me gji, ai mund ta ushqejë me qumësht gjiri të shtrydhur, të futur në një shishe të pastruar me kujdes.

Vlerësimi me pikë sipas Apgar-it

Apgar-i, është një tregues, në bazë të disa “pikëve” që i jepen fëmijës tuaj në lindje. Kjo u përcaktohet të gjithë fëmijëve në minutën e pare dhe të pestë pas lindjes. Pikësohen disa shenja të rëndësishme si frymëmarrjet, rrahjet e zemrës etj.

Pikët që merr fëmija janë nga 0 deri në 10; pak a shumë si puna e notave të shkollës. Sa më e lartë nota, aq më e mirë është gjendja e fëmijës në lindje.

Pamja e të posalindurit

Thuhet se të porsalindurit janë të gjithë njëlloj. Kjo nuk është e vërtetë. Kjo bindje krijohet për faktin sepse ata kanë disa tipare të përbashkëta dhe krejt të ndryshme nga një fëmijë më i madh.

Pesha mesatare e fëmijëve është rreth 3300 g, por meshkujt peshojnë diçka më shumë se femrat. Normalisht, një fëmijë që lind në kohë të vet dhe mbi 2500 g dhe afërsisht nën 4000 g, konsiderohet i lindur me një peshë normale.

Gjatësia mesatare e një fëmije të lindur në kohë të vet, është mesatarisht rreth 50 cm. Kjo gjatësi lëkundet nga 46 – 55 cm, qoftë për femrat dhe qoftë për meshkujt.

Koka është e madhe. Nëse e vështrojmë me vëmendje të porsalindurin, bie në sy që koka duket më e madhe në raport me trupin. Në lindje, gjatësia e kokës është sa ¼ e trupit, kurse tek i rrituri ajo është sa 1/8.

Rrethi i kokës. Matja e rrethit të kokës mund të bëhet me një meter të thjeshtë rrobaqepësi. Përmasat normale të rrethit të kokës lëkunden midis 32 – 38 cm për fëmijën e lindur në kohë të vet, por kjo varet nga pesha trupore dhe përmasat e tjera trupore, si rrethi i barkut etj.

Fontanela. Në majë të kokës fëmija ka një të zonë të pambuluar nga kockat e kafkës, që quhet fontanela e përparshme. Fontanela e përparshme ka formën e një rombi dhe është me një madhësi rreth 2x2 cm. Në pjesën e pasme të kokës mund të gjendet edhe fontanela e pasme, por madhësia e saj zakonisht është tepër e vogël.

Cefalhematoma. Disa orë pas lindjes, në disa raste, në pjesën paraqitëse të kokës formohet një gungë (fryrje), ndonjëherë me përmasa të konsiderueshme, shkaktuar nga dalja e gjakut jashtë enëve, që mund të jenë çarë gjatë procesit të lindjes. Gjaku i derdhur në këtë rast, nuk derdhet jashtë, siç ndodh rëndom kur për shembull presim gishtin, por grumbullohet midis kockës së kafkës dhe indeve që veshin kafkën.

Duke qenë se gjaku derdhet gradualisht, për disa orë, edhe masa fillon e bëhet e dukshme pas disa orësh. Më pas gjaku pushon së rrjedhuri, por masa përthithet shumë më ngadalë. Për t`u përthithur duhet të kalojnë nga disa ditë, në disa javë.

Kjo gjë ndodh vetvetiu, prandaj dhe nuk ka arsye të frikësohemi dhe të alarmohemi, edhe pse përmasat e cefalhematomës janë ndonjëherë të konsiderueshme. Nuk këshillohet kurrsesi që të ndërhyhet për ta zbrazur cefalhematomën, sepse kështu rrezikohet jeta e bebit nga infeksionet dhe ndërlikime të tjera, ndonjëherë vdekjeprurëse.

Faqet përmbajnë shumë ind dhjamor që i jep rrumbullakësi fytyrës së të porsalindurit.

Goja

• Gjuha: mbush pothuaj të gjithë gojën dhe duket më e madhe; mos u shqetësoni, sepse është normale të jetë kështu.

• Frenulumi i gjuhës: kjo është një ”lidhëse” që lidh gjuhën me qiellzën. Shpesh herë duket më e shkurtër. Shumë mjekë këshillojnë prerjen e kësaj “lidhëseje”. Nuk duhet prerë, sepse mund të shkaktojë probleme me të folurin.

• Pështyma: ende nuk prodhohet.

Fytyra është e rrumbullakët dhe nofulla e poshtme është e vogël.

Qafa është e shkurtër, si në raport me kokën, ashtu edhe me trungun.

Gjoksi është më i rrumbullakët se tek të rriturit. Perimetri i gjoksit lëviz midis 31 -35 cm. Meqenëse nga fundi i shtatëzanisë, në gjakun e frutit mbërrijnë të njëjtat hormone, përgjegjëse për prodhimin e qumështit tek nëna, ndodh që gjinjtë e të porsalindurit të jenë të fryra. Kjo dukuri është më e shpeshtë tek femrat, por ndodh edhe tek meshkujt.

Qëllon që nga gjinjtë edhe të rrjedhë një lëng që të kujton qumështin. Sidoqoftë, gjinjtë nuk duhet të shtrydhen dhe as të ndërhyhet, sepse mund të infektohen. Janë të panevojshme dhe kompresat e ndryshme, aq më tepër ato me alkol, sepse mund “ta dehin” bebin.

Barku del mbi gjoksin dhe ështëi madh.

Organet seksuale (vagina) tek femra janë zakonisht mishtore dhe mund të paraqesin një lloj lëngu të bardhë, ndonjëherë të ngjyrosur në rozë, që të kujtojnë menstruacionet (quhen menstruacionet e rreme). Janë një dukuri krejt normale dhe ashtu si dhe fryrja e gjinjve shkaktohet prej kalimit të hormoneve të nënës edhe tek fëmija.

Tek meshkujt, lafsha është e madhe dhe nuk lejon që gjatë tërheqjes të duket koka e organit seksual të mashkullit. Mund të vërehen ereksione (forcim i penisit) herë pas here dhe kjo është diçka normale.

• Madhësia e penisit (organit seksual mashkullor) në lindje është rreth 2 – 4 cm.

• Testikujt (kokrrat) duhet të kenë zbritur dhe duken në qesen skrotale. Në ndonjë rast ato nuk duken. Për këtë rast është mirë të komunikoni me mjekun tuaj. Duhet thënë se madhësia e penisit ose e testikujve në lindje, nuk ka lidhje me të ardhmen si mashkull të fëmijës.

Krahët dhe këmbët fëmija i mban të mbledhura. Pozicioni që mban fëmija, të kujton atë që mban në bark të nënës, ose atë që të rriturit mbajnë kur kanë dhimbje.

Lëkura

• Verniksi është një lëndë e bardhë që vesh fëmijën kur lind. Në bark të nënës fëmija rri në një mjedis ujor (noton në lëngun amnial). Qëndrimi për një kohë të gjatë në një mjedis ujor shoqërohet me rrudhjen dhe rrjepjen e fëmijës. Pikërisht verniksi, shërben si mburojë dhe nuk lejon që fëmija të rrudhet dhe të ripet gjatë kohës që është në bark të nënës.

Pas lindjes, nuk këshillohet që të largohet verniksi, të paktën për 24 orët e para pas lindjes, sepse ai mbron ndaj mikrobeve dhe shërben si mbrojtës i lëkurës dhe organizmit të bebit ndaj infeksioneve. Verniksi duhet të pastrohet vetëm kur lëngu amnial ka qenë i ndotur me mekonium (jashtëqitjet e fëmijës), ose me shumë gjak.

• Rreth ditës së dytë të jetës, në lëkurën e të porsalindurit mund të shfaqen disa puçrra të vogla të kuqe, që e skuqin të gjithë lëkurën. Kjo është eritema toksike. Nuk ka ndonjë rëndësi dhe është diçka normale. Nuk ka pse të frikësohemi, sepse nuk është vërtet një infeksion I lëkurës.

• Një rrjepje e lehtë e lëkurës është normale tek i porsalinduri në ditët e para të jetës.

• Ndryshimet e ngjyrës ndodhin shpesh tek i porsalinduri. Lëkura normalisht është rozë, por mundet edhe të duket e zbehtë. Në duart dhe këmbët jo rrallë ngjyra është si vjollcë.

• Njolla me ngjyrë blu të zbehtë, ose gri. Quhen edhe “njollat mongoloide”, pasi gjenden shumë më shpesh në racën aziatike. (Nuk kanë të bëjnë fare me Sindromën Down.) Mund të jenë pak a shumë të shtrira dhe të mëdha. Normalisht i gjejmë në kërbishte dhe në të pasmet e bebit. Në shumicën e rasteve ato zhduken vetvetiu, deri në moshën 2 vjeçare.

• Shpesh në lëkurën e të porsalindurit shfaqen disa pika të bardha sa një majë gjilpëre, që duken si perla të vogla. Zhduken vetvetiu.

• Në hundë, në ballë, në faqe dhe në buzën e sipërme shfaqen disa pika me ngjyrë të bardhë- të verdhë, që ikin e vijnë. Këto quhen ndryshe dhe “njollat e qumështit”. Nuk ka pse të shqetësohemi. Janë vetëm gjendra dhjamore më të fryra. Zhduken vetvetiu brenda disa javëve.

• Njolla me ngjyrë të kuqe, rozë apo portokalli: janë disa njolla që shfaqen në fytyrë (ballë, qepalla), ose në qafë. Për shkak të ngjyrës quhen edhe “njollat e salmonit”, pasi ngjajnë me lëkurën e peshkut me të njëjtin emër. Nuk përbëjnë problem, sepse me kohë zhduken. Sidoqoftë, këshillohuni me mjekun tuaj.

Të dalat jashtë

Mekoniumi. Të dalat jashtë për herë të parë të fëmijës, quhen me emrin mekonium: janë me ngjyrë jeshile të errët, viskoze, pa erë. Normalisht zorra e fëmijës duhet të zbrazet në 24 orët e para pas lindjes.

Feçet kalimtare. Me fillimin e ushqyerjes, ngjyra jeshile e errët e të dalave jashtë fillon të bëhet jeshile e çelët. Këto janë të dalat jashtë të periudhës kalimtare. Fillojnë që nga dita e 3-të e jetës dhe ndonjëherë deri në ditën e 7-të. Më tej, të dalat jashtë ndryshojnë dhe do të shoqërojnë fëmijën përsa kohë ushqehet me qumësht.

Verdhëza ndodh shumë shpesh tek i porsalinduri (në 50% të të porsalindurve). Përndryshe quhet edhe ikteri fiziologjik, domethënë normal i fëmijës. Arsyet e saj janë krejt të ndryshme nga ato të të rriturit. Tek fëmija më i madh dhe tek i rrituri, shfaqja e verdhëzës do të thotë sëmundje, kurse tek i porsalinduri nuk është gjithmonë kështu.

Tek i porsalinduri, organet ende nuk kanë arritur pjekurinë e tyre të plotë, prandaj dhe nuk funksionojnë me maksimumin e tyre. Në lindje, për shkak të disa cilësive të rruazave të kuqe, ato shkatërrohen me shumicë. Nga shkatërrimi i tyre, prodhohet një lëndë që quhet bilirubinë. Bilirubina e prodhuar në këtë mënyrë nuk arrin të përpunohet tërësisht nga mëlçia e bebit. Grumbullimi i bilirubinës shoqërohet me shfaqjen e verdhëzës tek i porsalinduri.

Ikteri fiziologjik shfaqet nga dita e 2 – 3-të e jetës dhe asnjëherë para orës së 36-të të jetës; për ndryshe shkaku është një sëmundje.

Verdhëza fiziologjike zhduket nga dita e 3 – 8-të e jetës, ndryshe shkaku është një sëmundje.

Bilirubina që gjejmë me shumicë në këtë rast, është ajo indirekte. Nëse bilirubina kalon disa kufij të caktuar, ajo mund të bëhet e dëmshme për organizmin. Ikteri trajtohet me sukses me anë të një mjekimi që quhet fototerapi (është një llambë speciale që lëshon një dritë vjollcë dhe që e kthen bilirubinën në një produkt të padëmshëm). Në rast se fototerapia është e pasuksesshme, atëherë mund të kryhet një procedurë që quhet (eksanguino- transfuzion) shkëmbim i gjakut.

 

Kini parasysh:

• një verdhëz shumë e fortë

• ndryshimi i sjelljes tek një fëmijë që ka verdhëz si përgjumësi, apo ngacmueshmëri e theksuar, humbja e oreksit, dobësimi i të qarit, të dalat jashtë pa ngjyrë etj

• një verdhëz që zgjat mbi 2 javë edhe kur nuk është shumë e theksuar, janë arsye të forta për ta drejtuar fëmijën tek mjeku.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti