Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

PRP | Armë e fortë kundër plakjes së lëkurës dhe rënies së flokëve

PRP (vampire face lift; terapia “Drakula”) | Armë e fortë kundër plakjes së lëkurës dhe rënies së flokëve

Me kalimin e viteve, lëkura jonë humbet volumin, integritetin, shkëlqimin e dikurshëm, fytyra humbet simetrinë dhe rrumbullakësinë e saj. Fillojmë të ankohemi për rrudhat rreth syve, rreth buzëve, rrudhat në ballë, dehidrimin e lëkurës, njollat , humbjen e elasticitetit dhe njëtrajtshmërisë së tonit të lëkurës.

Kyproces natyral plakjeje, është një proces progresiv multifaktorial dhe mund të përshpejtohet nga predispozicioni ynë gjenetik, mimika e zhvilluar e fytyrës, pirja e duhanit, dietat e varfëra, ekspozimi në diell, lodhja fizike dhe stresi i akumuluar ndër vite. Por mund edhe të ngadalësohet nëpërmjet ndjekjes së këshillave të dermatologut dhe falë procedurave të ndryshme dermo-estetike që e ndihmojnë lëkurën  të mbetet e re. Këto procedura variojnë nga ato më natyralet, tek ato më invazivet.

Jo gjithmonë duhet të shohim larg, pasi burimi natyral i rinisë, fuqia e rigjenerimit  është shumë pranë nesh, brenda trupit tonë. PRP (platelet rich plasma - plazma e pasur me pllakëza gjaku) është një ndër mënyrat më natyrale dhe njëkohësisht më efektive për rinimin e lëkurës. PRP është përdorur prej vitesh në trajtimin e dëmtimeve të tendinave tek sportistët dhe në kirurgjinë maksilo-faciale, por vitet e fundit po përdoret gjithnjë e më shumë, edhe në fushën e dermatologjisë, jo vetëm me qëllim rinimin dhe biorigjenerimin e lëkurës, por edhe në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, sic janë ulcerat e lëkurës apo rënia e flokeve (alopecia).

Terapia me PRP, e njohur për disa si “vampire facelift” ose terapia “Drakula”, është një trajtim kundër plakjes së lëkurës, që në thelb ka të bëjë me injektimin e një pjese të gjakut (plazma e pasur me trombocite) të pacientit në lëkurën e vetë pacientit, me qëllim trajtimin kozmetik të rrudhave, njollave, shenjave të lëkurës së fytyrës, duarve, qafës, dekoltesë si dhe striave të shtatzanisë apo adoleshencës.

Pllakëzat e gjakut (trombocitet) janë komponentë të rëndësishëm të sistemit të mpiksjes së gjakut, por gjithashtu shërbejnë edhe si magazina biokimike të molekulave rregullatore dhe faktorëve të rritjes që marrin pjesë në procesin e shërimit të indeve nga dëmtimet. Duke injektuar në lëkurë serumin e përgatitur nga gjaku i pacientit (plazma dhe pllakëza gjaku), e “mashtrojmë” organizmin i cili “mendon” se në lëkurë ka ndodhur një dëmtim dhe përpiqet “ta shërojë” duke stimuluar zinxhirin e rigjenerimit dhe ndër të tjera, prodhimin e kolagjenit. PRP gjithashtu ripërtërin folikujt e fjetur të flokut dhe stimulon rritje të flokëve të rinj. Me pak fjalë, PRP e stimulon organizmin të përdorë potencialin e tij rigjenerues në mënyrë sa më efektive në ato zona që kanë nevojë për ndihmë.

Procedura është e sigurt dhe zgjat rreth 60 minuta. Merret një sasi e vogël gjaku nga pacienti (rreth 10 ml), e cila centrifugohet në një shpejtësi dhe kohëzgjatje të caktuar dhe në përfundim të procesit con në ndarjen e komponenteve të gjakut (rruazat e kuqe, të bardha dhe pllakëzat e gjakut) në nivele të ndryshme të tubit. Plazma e gjakut e pasur me pllakëza gjaku merret me shiringë, aktivizohet (me klorid kalciumi) dhe injektohet në lëkurë, në ato zona që kemi qëllim të trajtojmë. Në cdo hap të përgatitjes dhe aplikimit të PRP përdoren teknika sterile. PRP është “autologe” që do të thotë “vjen nga trupi i vetë pacientit”, ndaj nuk përbën rrezik për alergji, hipersensitivitet apo reaksione të “trupave të huaj”.

Rezultati?

Lëkurë më e shëndetshme, më e pastër, më e tendosur dhe pamje më e re brenda 3-7 javëve. Efekt që zgjat deri në 18 muaj.

 

Spitali Bahceci

* Artikull i sponzoruar nga Spitali Bahceci

/komuniteti