Kam parë me dhjetëra fëmijë që luajnë me ushqimin dhe e përmbysin pjatën sapo mamaja ia vendos përpara. Për mua, por edhe për ata prindër që gjenden në situata te tillë, kjo është një përvojë aspak e këndshme.
Kur vendosni fëmijën tuaj në tavolinë për ta ushqyer, ju mundoheni që ta mbani pjatën larg prej tij, sepse keni frikë se ai do t’jua derdhë. Në fakt ai e ka bërë zakon që të luaje me ushqimin e ta derdhë në vend që ta hajë atë.
Cila është zgjidhja?
Vendosjani pjatën me ushqim pranë dhe kur ai ta afrojë dorën për të luajtur me ushqimin dhe ta derdhë atë, thuajini “jo” dhe largojani dorën nga pjata/tasi me ushqim.
Përsëriteni këtë gjë pa u lodhur, derisa të merrni rezultatin e dëshiruar. Më pas e gjithë familja do të hajë në paqe.
Mbani parasysh:
Fëmijët do të përpiqen të bëjnë rezistencë dhe ju do të habiteni me shkallën e kokëfortësisë së engjëllushit tuaj.
Sikundër ju, ashtu edhe fëmija do të përpiqet që të zgjerojë “territorin” e tij në familje.
Mos ulërini dhe mos i shfryni fëmijëve lodhjen, inatin e zemërimin tuaj!
Mos u shkurajoni!
Mos përtoni që ta përsëritni të njëjtën kërkesë me dhjetra e qindra herë!
Mos harroni që po përpiqeni për të mirën e fëmijëve tuaj dhe për tuajën!
Mos u shkurajoni, sepse investimi që po bëni do t’ju kthehet në bekim!
I lutem perëndisë që t’ju japë hir dhe urtësi në ushtrimin e rolit të rëndësishëm të prindit. 11/2012