Të gjitha gratë duhet ta bëjnë mamografinë?
Të gjitha gratë nga mosha 35-40 vjeç e lart, duhet të bëjnë mamografinë çdo 1-3 vjet. Rreziqet për kancer të gjirit rriten me rritjen e moshës. Megjithatë, pavarësisht nga mosha juaj, nëse keni ndonjë shqetësim në gji, paraqituni menjëherë te mjeku. Ai do tju sqarojë ju se çfarë duhet të bëni dhe sa herë duhet të bëni mamografinë.
Kur duhet bërë mamografia?
Mamografia mund të bëhet në çdo kohë, por është mirë që femrat në moshën riprodhuese ta kryejnë mamografinë në fund të periodave. Në periudhën e menopauzës kryhet në çdo moment.
A duhet të bëj ndonjë përgatitje përpara mamografisë?
Jo. Vetëm nuk duhet të përdorni deodorant, pudër, ose të lyheni me ndonjë solucion tjetër trupor, ditën që ju do të shkoni për të bërë mamografinë, sepse kjo ndikon në rezultatin e saj. Ju duhet të zhvisheni nga mesi e lart, kështu që është mirë të vishni rroba të veçuara, bluza me fund ose pantallona.
A është e dhimbshme mamografia?
Jo, por disa gra ndiejnë një shtypje dhe dhimbje të lehtë të gjinjve gjatë mamografisë. Për pjesën më të madhe kjo është e durueshme. Disa prej tyre pinë kokrra që përdoren për dhimbje koke, 1 orë përpara mamografisë, e cila lehtëson dhimbjen. Një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë, është të mos shkoni për të bërë mamografinë 1 javë para ose gjatë periodave mbasi në këtë periudhë gjinjtë janë të tendosur dhe të dhimbshëm. Planifikoni një periudhë tjetër për të bërë mamografinë.
Sa shpesh duhet bërë mamografia?
Kjo varet nga mosha që ju keni. Megjithatë, mamografia rekomandohet të bëhet një herë në 1-3 vjet, sidomos për moshat mbi 35-40 vjeç e lart. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi te tjetra. Kështu që mamografia duhet bërë rregullisht. Bazuar në rezultatet e mamografisë së parë, ju mund ta përsërisni atë, nëse mjeku jua kërkon këtë. Mamografia nuk duhet bërë vetëm 1 herë në jetë, por në mënyrë të vazhdueshme çdo 1-3 vjet, dhe për gjatë gjithë jetës.
Po ekoja e gjirit çfarë është?
Ekoja e gjirit është një lloj tjetër kontrolli i gjirit që kryhet nga mjeku radiolog/onkolog. Të gjitha femrat e moshës 20 deri 40 vjeç duhet të bëjnë një eko çdo vit. Nëse 3 eko rresht dalin normale, atëherë ato duhet të vazhdojnë ta kryejnë rregullisht ekon çdo 3 deri 5 vjet. Një femër duhet të mbajë mend që “kanceri i gjirit mund të kurohet e për këtë mjafton të diagnostikohet në kohë. Në këtë mënyrë mund të shpëtojnë edhe jetën e tyre. 06/2012

