Komuna e Suharekës do të organizojë për herë të parë në Kosovë shkollën verore për diasporën.
Qëllim i shkollës verore është të angazhojë të rinjtë nga diaspora dhe Kosova në aktivitete të ndryshme duke inkurajuar bashkëpunimin ndërmjet tyre, thuhet në një njoftim të Komunës së Suharekës.
Qëllimet themelore të shkolles verore:
• Zhvillimi dhe ruajtja e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar;
• Ngritja e vetëdijes për origjinën dhe përkatësinë kombëtare (etnicitetin). Edukimi dhe ngjallja e interesit për njohjen dhe përdorimin e gjuhës e të letërsisë shqipe në të gjitha rrethanat dhe ambientet e komunikimit;
• Zhvillimi i vazhdueshëm i kompetencave të domosdoshme gjuhësore e kulturore etnike, si bazë për integrim më të lehtë dhe të natyrshëm në shoqërinë vendore /të shtetit ku jetojnë/;
• Zhvillimi i vazhdueshëm i kompetencave gjuhësore e kulturore kombëtare, si nevojë, “kusht” e përparësi për kthim e integrim më të lehtë në Atdhe.
Planprogrami për nxënësit:
• Aftësohen të komunikojnë në gjuhën shqipe në kontekste të ndryshme dhe përmes formave e mjeteve te ndryshme,
• njohin, kuptojnë dhe çmojnë traditën, vlerat dhe të arriturat kombëtare në letërsi, në arte tjera dhe në fusha e veprimtari të tjera të trashëgimisë kulturore/identitare materiale dhe shpirtërore,
• njohin, kuptojnë dhe analizojnë në mënyrë kritike zhvillimet historike dhe shijojnë e ‘prekin” historinë në përmasat dhe realitetet e mundshme (vizitat dhe ekskursionet mësimore-njohëse),
• njohin, kuptojnë, analizojnë dhe reflektojnë mbi veçoritë themelore gjuhësore, kulturore, historike, gjeografike e shoqërore të hapësirave ku jeton kombi shqiptar,
• njohin për së afërmi gjeografinë e hapësirës etnike shqiptare, në përgjithësi, dhe të Kosovës, në veçanti. Për më tepër ata do të zhvillojnë vlera, pikëpamje e qëndrime pozitive ndaj të arriturave kombëtare e shtetërore. Dallimet ekzistuese etnike, kulturore, religjioze etj. do t’i perceptojnë si vlera të qytetërimit në raport me përkatësitë e tyre të dyfishta . Do të jenë në gjendje të dëshmojnë nivele optimale të një drejtpeshimi ndërkulturor , ku primatin e posedon gjuha amtare dhe kultura e origjinës.
Ndikimi i projektit:
Ky projekt do të ndikoj në imazhin e Komunës me shërbimet që ofron për Diasporën e saj. Me organizime të kësaj natyre dhe interesin që shfaq Komuna ndaj Diasporës, Komuna ndërton besimin e humbur, dhe në të njëjtën kohë promovon shërbimet dhe stimulimin/subvencionet që ofron për Diasporën.
Komuna me iniciativa të tilla synon angazhimin e diasporës në jetën socio-ekonomike përmes angazhimit të ekspertëve të Diasporës në shpërndarjen e përvojave të tyre si dhe stimulimin e investimeve të mundshme të diasporës në vendlindje.
Fëmijët e diasporës me pjesëmarrje në projektin “Shkolla Verore”do të kenë mundësinë e përshkrimit dhe ndarjen e përvojave me bashkëmoshatarët e tyre në Shtetin ku jetojnë.
Lokacionet ku zhvillohen aktivitetet:
Orët mësimore do të mbahen në Shkollën fillore “7 marsi” – Suharekë
Ekspozita e trashëgimisë kulturore dhe historike në shtëpinë e Felbahut
Ekskursion në vendet me rëndësi kulturore: Kalaja e Prizrenit, Hamami i Prizrenit, vizita në Prekaz, Rugovë etj.
Bashkëfinancimi:
Shkolla verore në Suharekë organizohet në bashkëfinancim me Komunën e Suharekës, Ministrinë e Diasporës dhe Projektin “Diaspora për Zhvillim”, e cila financohet nga DEZA dhe zbatohet nga Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim – IMD. 06/2012
Sara - Gjermani

