Janë disa veprime që një nënë mund t’i dijë vetvetiu (i ka mësuar që e vogël, duke parë nënën e vet, apo nëna të tjera dhe duke u kujdesur për më të vegjëlit), por ka frikë se mos nuk i bën ashtu si duhet. Zakonisht, në maternitet por edhe në shtëpi lehona është e rrethuar ose nga personeli mjekësor ose nga njerëzit e afërt të vet. Shpesh herë janë këta persona që i ndërrojnë panolinën fëmijës, që e pastrojnë apo i rrijnë afër kur ajo e ushqen.
Është mirë që të gjitha këto veprime ju të mësoni t’i bëni vetë dhe ende pa dalë nga materniteti, sepse këshillat do t’i merrni nga mjeku. Atëherë kur do t`ju duhet të merrni një vendim, mbani gjithmonë në mend se jeni ju prindërit që merrni përgjegjësitë për rritjen e fëmijës suaj.
Udhëhiquni gjithmonë nga mirëkuptimi, por mos lejoni asnjë, sidomos, gjyshet e gjyshërit, hallat dhe tezet, të vendosen midis jush dhe fëmijës suaj, me pretekstin e përvojës.