Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çrregullimet normale të shtatzënisë 2

Infeksionet vulvo-vaginale mykotike në shtatzëni

Infeksionet vulvo-vaginale nga myku/kandida, janë infeksione të zakonshme që prekin gratë gjatë periudhës së shtatzënisë

Infeksionet vulvo-vaginale nga myku/kandida, janë infeksione të zakonshme që prekin gratë gjatë periudhës së shtatzënisë. Ka shumë faktorë apo situata që mund të ritin rrezikun për kandidozë dhe një nga këto është edhe përdorimi i gjerë dhe pa kufi i preparateve antibiotike me përdorim të vazhdueshëm dhe pa kriter.

Faktorët e rrezikut për kandidozën vulvo-vaginale gjatë shtatzënisë apo edhe jashtë saj, mund të jenë;

Vetë shtatzënia, - terapia me antibiotikë, - intoleranca ushqimore, - mungesa e sistemit imunitar, - stresi i zgjatur, - përdorimi i letrës higjenike aromatike dhe i solucioneve jo të përshtatshme për higjenën personale, - larja në pishina të klorifikuara, - larja shumë të shpeshta të vaginës, - përdorimi i veshjeve të shtrënguar dhe që nuk ajrosin mirë trupin, - përdorimi i veshjeve intime sintetike apo prej materiali që ritin temperaturën lokale dhe perineale si dhe lagështinë vaginale, - diabetes mellitus i pakontrolluar, - përdorimi i kontraceptivëve oral me përmbajtje të lartë të estrogjenit, - trajtimi me kortizonikë, - menstruacionet etj.

Rëndomtë si shkaktar të infeksioneve vulvovaginale nga kandida përcaktohet candida albicans. Por edhe prania e specieve të tjera jo albikans si candida tropicalis apo candida glabrata, janë shkaktar të mykut vulvo-vaginal. Megjithatë, kandida albikans mbetet përgjegjëse kryesore e rreth 85-90% të infeksioneve vaginale mykotike. Kjo e dhënë është shumë e rëndësishme, sepse myku nga kandida jo albikans është më rezistent në trajtimin me terapi antimykotike.

Kur dhe pse kandida shfaqet në organizëm?

Kandida zakonisht është e pranishme në mënyrë normale, në koncentrim të ulët në zorrët e njerzve dhe nuk shfaqet me shenja klinike.

Rritja e saj mbi kufitë normal, favorizohet nga dietat e pasura me sheqer, nga konsumimi i alkoolit dhe në disa raste nga alergjitë ushqimore. Krijohet kështu një mundësi, që çon në ritjen e koncentrimit të kandidës. Nga zorrët kandida kalon nëpërmjet zonës perineale në vaginë, ku gjen kushte të favorshme te gratë e predispozuara.

Kandida mund të shfaqet në dy mënyra; me simptoma dhe pa simptoma. Infeksionet me simptoma janë më të shpehsta tek gratë shtatzëna. Gjithashtu kjo sëmundje edhe pse mund të trajtohet, shpesh herë paraqet mundësinë e përsëritjes. Gjatë shtatzënisë, një infeksion mykotik i cili ka qënë pa simptoma, ka mundësi që të shfaqet për shkak të ndryshimeve hormonale në shtatzëni. Kjo shfaqje është më e dukshme në tremujorin e tretë të shtatzënisë.

Shfaqja e vulvo-vaginitit simptomatik nga kandida, vërehet shpesh edhe gjatë përdorimit të antibiotikëve të marrë nga goja. Kjo ndodh sepse antibiotikët prishin ekuilibrin e florës normale të zorrëve dhe vaginës.

Një faktor i rëndësishëm për t'u marrë në konsideratë, për shfaqen e kandidozës, është edhe stresi. Gjendja e stresit, gjithashtu është shkak edhe për gjenerimin e infeksionve mykotike nga gjendja asimptomatike në simptomatike.

Si manifetohet infeksioni?

Infeksionet nga kandida mund të jetë të bezdisëshme, por asnjëherë të rënda. Simptomat dhe shenjat janë të njohura mirë dhe shpesh vetëm me vizitë gjinekologjike, është e mundur për të bërë një diagnozë të saktë. Mjeku vë re infeksion të mukozave vulvo-vaginale edhe zonës për rreth anusit. Këto zona paraqiten të skuqura, të fryra dhe kruarje.

Simptomat tipike të kandidozës vulvo-vaginale janë;

Paraqitja e papritur, - kruarje dhe djegie intensive rreth vaginës, vulvës, perineumit dhe ndonjëherë anusit, - shtim i sekrecioneve vaginale, të dëndura, kremoze me ngjyrë të bardhë në të verdhë, shpesh të ngjashme me qumëshin e prishur pa erë, - fryrje në zonën e vulvës, - dhimbje gjatë urinimit apo marrëdhënie seksuale.

Si diagnostikohet kandidoza vulvo-vaginale?

Nëse gruaja shtatzënë nuk ka patur infeksione vaginale të mëparshme, me shfaqen e simptomave duhet të paraqitet menjëherë te mjeku. Vulvo-vaginiti nga kandida mund të shoqërohet edhe me një vaginit të shkaktuar nga bakteriet ose organizma të tjerë. Kjo është arsyeja thelbësore që gruaja shtatzënë duhet të drejtohet sa më shpejt te mjeku dhe nuk duhet të vetë diagnostikohet dhe të vetë mjekohet. Aspekti klinik i kandidozës duhet vërtetuar me ekzaminim mikroskopik ose kulturë të sekrecioneve vaginale.

A mund të transmetohet infeksioni mykotik te bashkëshorti/partneri?

Është e mundur që transmetimi të realizohet nga gjitha llojet e marrëdhënieve seksuale. Kjo do të thotë se kur gruaja trajtohet nga kandidoza, paralelisht duhet të trajtohet edhe bashkëshorti apo partneri seksual. Raportet seksuale deri në shërim të plotë, nuk duhet të bëhen ose mund të bëhen të mbrojtura (me prezervativ).

Çfarë mjekimi mund të rekomandohet për të trajtuar kandidozën?

Trajtimi i kandidozës/mykut vaginal bëhet me antimykotikë. Duhet theksuar se terapitë lokale me antimykotikë, mund të përdoren edhe në tremujorin e parë të shtatzënisë pasi nuk ka efekte anësore. Preparatet antimykotike nga goja, nuk janë të rekomanduar të përdoren gjatë kësaj periudhe.

Problem mbetet trajtimi i kandidozave të përsëritura. Në këto raste duhen ndjekur këshillat e mjekut gjinekolog, për të përsëritur trajtimet që zgjatin një deri dy ditë.

Cilat janë disa rekomandime, për të shmangur kandidozën vulvo-vaginale gjatë shtatzënisë?

1. Mos përdorimi i veshjeve të ngushta dhe sintetike që nuk e lejojnë ajrisjen e trupit.

2. Evitimi i përdorimit të getave kur përdoren pantallona.

3. Evitimi i përdorimit të tangave.

4. Duhen përdorur vetëm veshje të brëndshme prej pambuku.

5. Veshjet e brëndshme duhet të shplahen shumë mirë me ujë të bollshëm pas larjes në lavatriçe.

6. Në rastet e hemoragjive, të përdorhen linesa të tregtuara vetëm në farmaci.

7. Të evitohet konsumi i djathrave të fermentuara dhe i domateve gjatë ushqyerjes me bukë, patate, karrotat etj, që kanë nivele të larta të karbohidrateve. Gjithashtu duhet të reduktohet përdorimi i produkteve të miellit dhe të rritet konsumi i ushqimeve me fibra.

8. Të evitohet përdorimi i laksativëve/preparateve që ndihmojnë jashtëqitjen.

9. Të bëhet në mënyrë korrekte larja e zonës vulvare (psh, gjatë larjes së zonës gjenitale dhe anusit, dora të kaloj nga gjenitalet në drejtim të anusit dhe jo e kundërta).

10. Për higjenë intime, rekomandohet përdorimi i sapunëve vetëm dy herë në ditë. Larjet e tjera të bëhen vetëm me ujë të pastër dhe të bollshëm.

11. Të mbahet sa më thatë zona gjenitale, por, duke evituar përdorimin për tharje, të letrës higjenike të parfumuar.

12. Pas banjos në det ose pishinë, kostumi i banjos duhet të ndrohet për të mbajtur sa më të thata organet gjenitale.

Cilat janë rreziqet për fëmijën gjatë shtatzënisë?

Prania e kandidozës paraqet një rrezik shumë të lehtë për lindje parakohe. Gjatë shtatzënisë nuk paraqiten probleme te bebi, përveç raste kur kandidozat janë mjaft të rënda.

Fëmija mund të infektohet kur kalon në rrugët e lindjes. Nëse infektohet, ndodh që ti dalin në gojë njolla të bardhë të ngjashme me pikat e qumështit. Në këto raste, duhet një ndërhyrje e shpejtë mjeksore, por trajtimi është mjaft i thjeshtë dhe aspak problematik.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Shkurt 2013

/komuniteti