Gjatë shtatzënisë, me rritjen e peshës së barkut, krijohet një hark më i theksuar i kolonës vertebrale, që quhet lordozë. Rritja e peshës së barkut dhe pesha e rritur e trupit të shtatzënës, shkakton shtypje të disqeve midis vertebrave, që ndajnë një vertebër nga tjetra, duke shkaktuar dhimbje. Në fillim të ditës, dhimbjet ndodhin në pjesën e poshtme të shpinës, dhimbje në muskujt gluteal (e poshtë shpinës) e mbi të gjitha në pjesën e poshtme të këmbëve ku kalon nervi ishiatik.
Në periudha të ndryshme të shtatzënisë, por, sidomos në periudhën e fundit të saj, dhimbjet e shpinës mund të shkaktohen nga edhe nga pozicioni apo qëndrimi i keq i trupit. Muskujt dhe ligamentet, ngarkohen jo vetëm për shkak të shtimit në peshë nga shtatzënia, por edhe nga qëndrimet jo korrekte të trupit.
Çfarë duhet bërë në rastet e pranisë së dhimbjeve të shpinës?
• Nëse nuk është ruajtur shtimi normal i peshës trupore, duhet rritur kujdesi për ta kontrolluar atë.
• Duhen evituar qëndrimet e gjata dhe të lodhshme ulur apo në këmbë. Nëse qëndrimi ulur duhet të zgjasë, atëherë duhet lëvizur herë pas here duke ndruar pozicion ose duke u gritur për të bërë disa hapa.
• Duhen mbathur/veshur këpucë të sheshta, për të shpërndarë në mënyrë të barabartë peshën e trupit.
• Duhen shmangur plotësisht, ngritja dhe mbajtja e peshave të rënda. Peshat e lehta mund të ngrihen nga dyshemeja jo duke u përkulur, por duke u ulur galiç dhe duke e mbajtur objektin ngjitur me trupin.
• Duhen ballancuar peshat midis dy shportave apo qeseve, në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet e barabartë në kolonën vertebrale.
• Duhet shmangur plotësisht, mbajtja e fëmijëve në krahë.
• Në qëndrimet ulur apo shtrirë, duhet kërkuar një pozicion i përshtatshëm që të evitohet presioni i fëmijës në kolonën vertebrale. Gjatë udhëtimit me automjet, rekomandohet të përdoret jastëku anatomik.
• Dysheku i drejtë dhe i fortë, ndihmon në lehtësimin e e dhëmbjeve të shpinës. Nëse krevati është me sustë, duhet të zëvëndësohet me dërrasë.
• Për të lehtësuar dhimbjen e shpinës, mund të përdoret terapia mjeksore në rastet kur rekomandimet e mësipërme nuk japin efektin e dëshiruar.