Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Lehonia: Planifikimi familjar pas lindjes

Metodat e kontracepsionit paslindjes

Shtatzënia e padëshiruar e nënave të reja në ditët e paslindjes, është një nga problemet që kërkojnë zgjidhje, megjithëse shumë nëna besojnë se nuk mund të mbesin shtatzënë deri sa t’u rikthehen menstruacionet. Por është vërejtur se gratë që nuk ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri mund të bëhen fertile brënda 45 ditë pas lindjes. Ka patur raste që kanë mbetur shtatzënë edhe 25 ditë pas lindjes.

Gratë që ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri, kanë vonesa në ardhjen e menstruacioneve. Shkaku është pasojë e ushqyerjes së fëmijës me qumësht gjiri, e cila ndikon në mekanizmin e ovulacionit. Në këtë konteks, mund të thuhet se ushqyerja me gji është metodë kontracepsioni e përkohshme gjithmonë nëse plotsohen kushtet si :

• ushqyerja e fëmijës vetëm me qumësht gjiri,

• intervalet e ushqyerjes nuk duhet të jenë më të gjata se 6-të orë si ditën ashtu dhe natën,

• nuk janë kthyer menstruacionet, dhe

• fëmija i lindur nuk ka kaluar 6-të muaj.

Kjo metodë quhet ndryshe edhe Metoda e Amenoresë të Laktacionit. Nëse njëri nga kushtet e mësipërme nuk plotsohet, atëherë nëna që ushqen fëmijën me gji, këshillohet për të përdorur metodat e kontracepsionit për të parandaluar një shtatzëni të padëshiruar apo shtyrë një shtatzëninë e rradhës.

Gratë që ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri por njëkohësisht japin ushqim shtesë, nuk përfitojnë nga metoda e amenorresë së laktacionit. Ndaj në çdo kohë, ato janë të afta të mbeten shtatzënë edhe disa javë përpara se t’u kenë ardhur menstruacionet.

Në këto situata është e domosdoshme që pas lindjes, gruaja të përdorë një metodë të planifikimit familjar për të parandaluar shtatzëni të padëshiruar. Planifikimi familjar, ka hyrë si koncept dhe praktikë prej shumë vitesh. Metodat dhe teknikat e ofruara, janë po ato që përdoren në shoqëritë me përkujdesje shëndetsore të përparuar. Shumë çifte që dëshirojnë të kalojnë jetën familjare duke kontrolluar shtimin e familjes së tyre, i përdorin metodat e planifikimit familjar. Mjafton dëshira për t’i përdorur dhe vullneti për t’i zbatuar me rigorozitet. Metodat e planifikimit familjar, janë rezultative kur përdoren me korrektësi. Është e kuptueshme se çiftet mund të përdorin atë metodë që dëshirojnë dhe që ndihen komod në jetën e tyre seksuale.

Në shtesë të metodës së amenorresë së laktacionit, metodat e tjera të kontracepsionit që mund të përdoret nga nënat që ushqejnë fëmijët më qumësht gjiri janë; perzevativi, aparati intrauterine prej bakri, pilulat vetëm me progestin dhe injeksionet, terheqja apo metoda tradicionale dhe nëse çifti nuk dëshiron fëmijë të tjerë në familjen e tyre mund të përdorin metoda të përhershme të planifikimit familjar si mbyllja e tubave të nënës.

 

Aparati kontraceptiv intrauterine me bakër

Përdorimi i IUD-së, është metodë kontracepsioni shumë e sigurtë dhe efektive dhe ka përqindjen më të ulët të komplikacioneve. IUD-ja afron mbrojtje nga shtatzënia deri në 99%. Aparati është i vogël, plastik i veshur me bakër. Disa prodhime në vënd të bakrit kanë depozita të vogla me hormone. Vetëm aparatet që përmbajnë bakër mund të përdoren nga gratë në çdo kohë paslindjes, menjëherë pas daljen së placentës. Ndërkohë që aparati hormonal vendoset vetëm 4 javë pas lindjes. Aparati hormonal redukton gjakrrjedhjen mujore tek gratë, ndërsa aparati me bakër mund të rrisë pak gjakrrjedhjen në 3-6 muajt e parë të vendosjes.

IUD-ja vepron menjëherë me efektivitet dhe nuk kërkon asnjë shërbim shtesë pas vendosjes. IUD-ja me bakër siguron mbrojtje nga shtatzënia e padëshiruar për më shumë se 12 vjet, por njëkohësisht mund të hiqet lehtë përpara afatit të skadencës ose kur çifti vendos për të patur një fëmijë. IUD-ja hormonale siguron mbrojtje nga shtatzënia e padëshiruar për 5 vjet. Për të dy llojet e aparateve, aftësia për të lindur rikthehet menjëherë pas heqjes së tyre. IUD-të nuk shkaktojnë sterilitet apo formacione të deformuara qelizore.

Përdorueset e UID-së duhet të kthehen menjëherë në klinikë kur konstatojnë se:

• nuk i ndjejnë fijet e spirales,

• nuk ndjejnë fundin e spirales, gruaja apo partneri,

• mund të kenë mbetur shtatzënë,

• janë të vazhdueshme dhimbjet në fund të barkut sidomos nëse shoqërohen me shqetësime, ethe e të dridhura,

• kanë rrjedhje vaginale të pazakonshme me erë të keqe,

• gruaja apo parneri ndjen dhimbje apo njëri nga partnerët nuk ndihet komod gjatë aktit seksual,

• paraqesin ndryshime të menjëhershme të menstruacioneve mujore, dhe

• është afruar koha e skadencës, ose mendohet të hiqet sterileja apo çifti mendon të ketë një fëmijë të rradhës.

 

Këshillimi për përdorimin e kontracepsionit të paslindjes

Përiudha më e mirë për të planifikuar përdorimin e kontracepsionit paslindjes, është periudha gjatë shtatzënisë. Por edhe këshillimet për përdorimin e kontracepsionit në periudhën 2-3 javë paslindjes, kanë dhënë rezultate të mira. Ndodh, që jo çdo grua paslindjes vjen për kujdes prenatal. Prandaj këshillimi për të planifikuar përdorimin e kontracepsionit është gjatë:

• kujdesit të ecurisë së shtatzënisë,

• fazave të hershme të lindjes (faza latente),

• shtrimit në spital për komplikacione të kujdesit prenatal,

• përgatitjes për lindje cezariane të programuar, ose

• dy ditëve të para të paslindjes.

Nuk duhet lënë këshillimi gjatë proçesit të lindjes, pasi gruaja nuk ndodhet në situatën më të mirë për të kuptuar dhe për të konsideruar mundësinë që ato kanë për planifikimin familjar.

 

Përshkrim i shkurtër i disa metodave të planifikimi familjar


Kuptimi i planifikimit familjar

Me planifikim familjar duhet kuptuar e drejta e çdo familje për të vetëvendosur për numrin e fëmijëve që dëshirojnë të kenë. Ata gjithashtu kanë dhe të drejtë të zgjedhin edhe kohën se kur i duan fëmijët në jetë. Për këtë ndihmojnë metodat e planifikimit familjar. Metodat e planifikimit familjar dallohen nga mënyra se si e zgjidhin problemin. Disa prej tyre e parandalojnë shtatzëninë duke shfrytëzuar periudhën e ovulacionit, tjera me anë preparatesh ndërhyjnë në sasinë hormonale, ndërsa disa të tjerë shërbejnë si bariera penguese për të mos lejuar bashkimin e spermatozoideve me ovulin. Ekzistojnë dhe metoda të sterilizimit femëror dhe mashkullor.

Faktorët që ndikonjë në zgjedhjen e metodës së planifikimit familjar, varen nga individët si dhe marrëdhëniet që ekzistojnë midis çiftit. Rol të rëndësishëm në zgjedhjen e metodës, luan paraqitja që i bën mjeku metodave të planifikimit familjar si dhe aftësia e klientëve për t’i kuptuar ato.

 

Grupi i metodave natyrore

Prej shumë kohësh njerzit kanë kuptuar se jo pas çdo raporti seksual, lind një fëmijë. Tashmë është i vërtetuar fakti që rreth ditës së 14-të të ciklit mestrual, vezoret lëshojnë ovulin (për menstruacione me kohëzgjatje mesatare prej 28-të ditësh). Kur në këto ditë ka në qarkullim spermatozoide, atëherë është i mundshëm fekondimi. Nëse kontakti kryhet përpara ose pas këtyre ditëve, atëherë mundësia e shtatzënisë nuk ekziston.

Ditët kur vezoret lëshojnë ovulin brënda një cikli menstrual, ndryshojnë nga një grua tek tjetra por mund të ndryshojnë dhe nga një cikël tek tjetri po tek i njëjti person. Arsyet janë kohëzgjatja e ciklit mestrual, gjendja fizike dhe psikologjike si dhe ndonjë faktor tjetër patologjik ose jo.

Për të gjetur ditët e ovulacionit, ka disa metoda si;

• Metoda e temperaturës bazale trupore, që konsiston në matjen e temperaturës bazale trupore çdo ditë në mëngjes. Duke rregjistruar temperaturën në formë grafiku vërehet se rreth ditës së 14-të të ciklit mestrual, temperatura regjistron mbi 37.5°C, që është më e lartë se në ditët e tjera.

• Metoda e mukusit cervikal (Billings), që vlerëson viskozitetin e mukusit cervikal. Në ditë të zakonshme mukusi cervikal është viskoz, i trashë dhe opak. Në ditën e 14-të të ciklit mestrual kur vezoret lëshojnë ovulin, mukusi cervikal humbet viskozitetin dhe bëhet i hollë dhe i tejdukshëm.

Nga sa më sipër, duke shmangur kontaktin seksual 2-3 ditë para dhe prapa ditës së 14-të, është e mundur të evitohet shtatzënia e padëshiruar në masën 85-92%. E rëndësishme në efektivitetin e këtyre metodave, është vullneti femëror.

• Metoda me tërheqje ose coitus interruptus. Efektivitetin më të mirë kjo metodë e jep kur i bashkangjitet dy metodave të mësipërme ose kur përdoret edhe vetëm. I rëndësishëm në këtë metodë, është vullneti dhe përmbajtja mashkullore.

Metodat natyrore të planifikimit familjar, kanë përparësi se nuk paraqesin efekte anësore. Gjithashtu çiftet mësojnë rreth fiziologjisë seksuale dhe fitojnë njohuri të funksionit të tyre riprodhues. Metodat natyrore e planifikimit familjar çon në rritjen e komunikimit midis çiftit. Por këto metoda mund t’i përdorin vetëm ato çifte që janë të sigurtë në jetën e tyre seksuale, çiftet e vullnetshëm dhe të vetëpërmbajtur në jetën seksuale si dhe ata që duan një metodë kontrolli të lindjeve në mënyrë natyrale pa ndërhyrjet e metodave të tjera.

Metodat natyrore të planifikimit familjar, paraqesin edhe një seri disavantazhe, si varësi nga bashkëpunimi dhe angazhimi midis partnerëve. Efektiviteti i përdorimit të tyre, është më i ulur se tek metodat e tjera kontraceptive. Gratë të cilat nuk kanë cikle të rregullta, kanë vështërsi në përdorimin e këtyre metodave. Por këto metoda nuk duhet t’i përdorin çiftet e pavullnetshëm dhe të papërmbajtur seksualisht. Nuk duhet t’i përdorin ata që kanë së paku një IST ose HIV/AIDS, si dhe të gjithë ato çifte që janë të pasigurtë në jetën seksuale.

Metodat natyrore të planifikimit familjar, nuk paraqesin kundërindikacione.

 

Grupi i metodave hormonale

Ky grup bëjnë pjesë në metodat kontraceptive të kthyeshme si tipi i pilulave me një hormon femëror, progesteron dhe tipi i pilulave me dy hormone femërore, estrogen dhe progesteron. Metodat hormonale mund të merren në formë pilulash si injektablet dhe implantet subdermale.

• Pilulat vetëm me progesteron të cilat përdoren me injeksione intramuskulare, janë kontracepsione më popullore. Më të përhapurit janë Depo-Provera që jepet normalisht çdo 12 javë dhe Noristerat që jepet zakonisht çdo 8 javë.

• Pilula estro-progestative është kontracepiv oral i kombinuar. Këto metoda bazohen në aftësinë e estrogenit dhe progesteronit për të frenuar hormonin stimulus folikular dhe prodhimin e hormonit luteinizues, kështu që folikulat ovariale nuk piqen dhe nuk ndodh ovulacioni. Në të njëjtën kohë, progeseroni realizon trashjen e mukusit cervikal duke vështërsuar lëvizjen e spermatozoideve në drejtim të vezës. Në prani të tyre edhe endometriumi është i papërshtatshëm për implantimin e vezës.

Metodat hormonale të planifikimit familjar, mund t’i përdorin të gjithë çiftet e sigurtë në jetën seksuale si dhe të gjithë ata që duan një metodë kontrolli të lindjeve pa ndërhyrë tek raporti seksual i çdo kohshëm.

Nuk duhet t’i përdorin këto metoda gratë shtatzëna ose ato që dyshojnë për shtatzëni, me tumore të ditura apo të dyshuara të gjirit ose të organeve gjenitale, me sëmundje hipertencioni dhe zëmre ose që kanë paraqitur trombë në të shkuarën, me sëmundje të mëlçisë, ato që paraqesin hemoragji vaginale deri sa të përcaktohet diagnoza, me diabet dhe komplikacione vaskulare, gratë që pijnë cigare si dhe të gjithë çiftet e pasigurtë në jetën seksuale.

Përdorimi i metodave hormonale paraqesin avantazh, si kryerjen e raporteve seksuale në çdo kohë. Estro-progestativet e përdorur me korrektësi, bëjnë të mundur të evitohet shtatzënia e padëshiruar në masën 99%. Cikli menstrual, mund të bëhet më i regullt dhe mund të përmirësohen sindromat premestruale. Sëmundjet inflamatore, kistet dhe gjendjet tumorale të aparatit riprodhues të gruas dhe shtatzënitë jashtë mitre, mund të ndodhin më rrallë.

 

Përdorimi i pilulave hormonale

Injeksioni progestativ bëhet një herë në tre muaj nga specialisti, ditën e dytë të ciklit menstrual.

Përdorimi i pilulës estro-progestative ndodhet i shkruar në çdo paketë. E rëndësishme është të dihet se si duhet vepruar kur harrohen të pihen pilulat. Në këto raste veprohet:

o në rast se harrohet të pihet një pilulë, ajo duhet të merret porsa të kujtohet. Nuk duhet harruar orari i zakonshëm për pilulën pasardhëse.

o në rast se harrohet të pihen dy pilula rrjesht në dy javët e para, atëherë duhet të mirren në dy ditët e ardhshme nga dy pilula në ditë.

o në rast se harrohen të pihen dy pilula rrjesht në javën e tretë ose në se harrohen të pihen më shumë se tre pilula rrjesht në çdo kohë të muajit, atëherë duhet të fillohet një paketë e re.

 

Grupi i metodave barrierë

Në këtë grup bëjnë pjesë kondomi mashkullor, diafragma dhe spiralja (IUD). Këto metoda bazohen në vendosjen e një “pengese” fizike, midis vezës dhe spermatozoidit. Grupi i metodave barrierë, kanë siguri kur përdoren me korrektësi. Në disa raste kanë efekte anësore por nuk ka kundërindikacione për përdorimin e tyre. Si disavantazh themelor ky grup i metodave të kontracepsionit ka efektivitetin e ulët krahasuar me metodat hormonale dhe sterilizimi.

Mund të përdorin kondomin mashkullor dhe diafragmën të gjithë çiftet që nuk preferojnë metodat e tjera kontraceptive, gratë që IUD-ja i del nga vëndi si ata që nuk kryejnë shpeh marrëdhënie seksuale. Diafragmën mund ta përdorin të gjithë çiftet e sigurtë në jetën seksuale. Spiralen mund ta përdorin të gjithë çiftet e sigurtë në jetën seksuale, të gjithë ata që duan një metodë kontrolli të lindjeve pa ndërhyrë tek raporti seksual i çdo kohshëm, çiftet që nuk preferojnë metodat hormonale si dhe çiftet që nuk durojnë kondomët mashkullor, diafragmat apo spërmicidet.

Nuk mund ta përdorin diafragmën ata persona që janë të ndjeshëm ndaj spërmicideve si dhe të gjithë çiftet e pa sigurtë në jetën seksuale. Ndërsa spiralen nuk duhet ta përdorin gratë shtatzëna ose që dyshojnë për shtatzëni, gratë me tumore të ditura apo të dyshuara të organeve gjenitale, gratë që kanë paraqitur infeksione gjenitale, gratë që paraqesin hemoragji vaginale deri sa të përcaktohet diagnoza, gratë që paraqesin alergji ndaj bakrit si dhe të gjithë çiftet e pasigurtë në jetën seksuale.

Kondomët mashkullor, janë mbrojtës shumë i mirë ndaj IST-ve dhe HIV/AIDS-it kur përdoret me korrektësi. Kondomi mashkullor dhe diafragma të përdoruara me korrektësi, evitojnë shtatzëninë e padëshiruar në masën 85-95%. Ndërsa me spiralen, është e mundur të kryhen marrëdhënieve seksuale në çdo kohë. Vendosja me korrektësi e spirales nga specialisti, eviton shtatzëninë e padëshëruar në masën 97-99%.

Disavantazhet e përdorimit të metodave barrierë si kondomët mashkullor dhe diafragmat, është se janë një përdorimshme. Prandaj ato vendosen sa herë bëhet kontakt seksual. Mos përdorimi me korrektësi i kondomit mashkullor dhe diafragmës nuk mbron nga shtatzënia e padëshiruar. Diafragma, nuk është mbrojtës ndaj IST-ve dhe HIV/AIDS-it. Spiralja për disa mund të paraqitet e bezdishme në vendosje, por ajo nuk është mbrojtës ndaj IST-ve dhe HIV/AIDS-it. Mestruacionet vijnë më të rënda dhe hemorragjia mund të zgjasë më shumë. Mund të ndodhë dhe hemorragji e vogël në mes të ciklit mestrual. E vendosur në kushte jo korrekte, spiralja mund të bëhet portë hyrje për një infeksion.

Për të patur rezultat pozitiv në mbrojtjen nga shtatzënitë e padëshiruara, e rëndësishme që metodat barrierë të përdoren me korrektesi. Spiralja është aparat që vendoset nga specialisti, ndërsa teknika e përdorimit të kondomit mashkullor dhe diafragmës shpjegohet me poshtë:

• Kondomët mashkullor, hapet amballazhi në shenjën e caktuar. Vendoset kondomi i pahapur në kokën e penisit (organit mashkullor) kur ai është në ereksion. Me njerën dorë mbahet rezervuari që mbledh spermën, ndërsa me dorën tjetër hapet me ngadalë kondomi në gjatësinë e penisit. Duhet siguruar që rezervuari të mos ketë ajër. Arsyeja qëndron në mos çarjen e tij. Pas kontaktit seksual, kur penisi është në ereksion, kapet kondomi me dorë dhe hiqet penisi ngadalë nga vagina duke u ruajtur të mos rrjedhë qeliza mashkullore.

Kontrollohet kondomi dhe nëse është i çare, në vaginë vendoset spërmicid. Hiqet kondomi nga penisi jo duke u rrotulluar, dhe lidhet nyje. Këshillohet që pas përdorimit, ai të digjet dhe jo të hidhet në koshin e plerave.

Duhet patur kujdes që kondomët të ruhen në vënde të thata dhe të freskta, si dhe të mos përdoren preparate të yndyrshme për ta lyer gjatë përdorimit. Kondomi përdoret vetëm një herë. Pas çdo marrëdhënie seksuale, këshillohet larja mirë e organeve seksuale.

• Diafragma pasi nxirret nga amballazhi, lyhet me xhelin spërmicid. Paloset me dy gishta, dhe vendoset thellë në vaginë deri sa të arrijë në qafën e mitrës. Diafragma, pas kontaktit seksual duhet të qëndrojë e pa hequr deri në 6 orë. Pas përdorimit, diafragma hiqet dhe këshillohet të digjet dhe jo të hidhet në koshin e plerave.

Duhet patur kujdes që diafragma nuk duhet mbajtur më shumë se 24 orë pas vendosjes. Kur seksi përsëritet duhet të vendoset në vaginë përsëri spërmicid.

 

Metoda e sterilizimit vullnetar mashkullor dhe femëror

Sterilizimi mashkullor bazohet në bllokimin e tubave ku kalon sperma nga testikujt në penis. Sterilizimi femëror bazohet në bllokimin e tubave ku kalon veza nga vezoret në mitër. Të dy sterilizimet realizohen me rrugë kirurgjikale. Si të tilla janë teknika të specialistit gjinekolog dhe realizohen vetëm në qëndra të specializuara shëndetsore.

Këto metoda mund t’i përdorin të gjithë çiftet që arrijnë në vlerësimin se familja e tyre nuk do fëmijë të tjerë ose është e kompletuar me fëmijë, çiftet që paraqesin sëmundje gjenetike të trashëguara dhe nuk duan t’i përcjellin ato në brezat pasardhës, gratë me gjendje shëndetsore të atillë që nuk u lejohet të mbeten shtatzënë, të gjithë çiftet e sigurtë në jetën seksuale si dhe çiftet që nuk dëshirojnë të përdorin as një nga metodat kontraceptive të përshkruar sa më sipër.

Nuk mund t’i përdorin këto metoda çiftet që nuk janë të sigurtë në vlerësimin se familja e tyre nuk do fëmijë ose është e kompletuar me fëmijë si dhe të gjithë çiftet e pasigurtë në jetën seksuale.

Avantazhe të sterilizimit mashkullor dhe femëror është evitimi i shtatzënisë së padëshiruar në masën 100%. Disavantazhe të sterilizimit mashkullor dhe femëror për parandalimin e shtatzënisë së padëshiruar është se nuk të mbron nga IST-të dhe HIV/AIDS. Gjatë ndërhyrjes operatore mund të lindin komplikacione të ndryshme dhe tek meshkujt mund të fryhen testikujt ose të zbuten ato.

 

Kontracepsioni i urgjencës

Kontracepsioni i urgjencës parandalon një shtatzëni të padëshëruar që mund të vijë nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Ai përdoret brënda 3 ditë kur është pilulë dhe 5 ditë kur është IUD. Mendohet se kontracepsioni i urgjencës parandalon ovulacionin, fertilizimin dhe/ose implantimin dhe nuk karakterizohet si metodë e abortit.

Pilulat e kontracepsionit të urgjencës, janë kombinime të estrogenit dhe progesteronit dhe mund të merren sipas një regjimi të përcaktuar në fletë shoqëruese.

Nauze, të vjellat, hemorragji të ç’rregullta intra-uterine, gjinj të butë, dhimbje koke dhe marrje mëndsh mund të jenë efekte anësore të përdorimit të pilulës kontraceptive të urgjencës.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Tetor 2010

/komuniteti

/tema e javës

Java: Komente: