Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Mbrohu nga kanceri i qafës së mitrës

Çfarë është kanceri i qafë së mitrës?

Vaksinimi dhe bërja rregullisht e Pap-testit ju mbrojnë ju nga kanceri i qafës së mitrës

Kanceri i qafës së mitrës, është një tumor që formohet në qafën e mitrës. Qafa e mitrës ndodhet në fundin e mitrës dhe e lidh atë me vaginën. Kanceri i qafës së mitrës ndodh kur qelizat e qafës së mitrës, fillojnë të rriten në mënyrë jo normale dhe të pakontrolluar.

Sa i shpeshtë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës, është një nga kanceret më të shpeshta tek femrat dhe takohet sidomos tek femrat rreth moshës 40 vjeç. Kanceri i qafës së mitrës, është i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në pjesën më të madhe të rasteve, kanceri i qafës së mitrës kapet në faza shume të avancuara.

- Çdo vit rreth 500.00 gra në botë preken nga kanceri i qafës së mitrës dhe gjysma e tyre vdesin nga kjo sëmundje.

- Në Botë çdo 2 minuta një gra vdes nga kanceri i qafës së mitrës.

- Në Europë çdo 18 minuta një gra vdes nga kanceri i qafës së mitrës

- Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës është kanceri që haset më shpesh tek femrat mbas kancerit të gjirit

- Në Shqipëri rastet me kancer të qafës së mitrës kanë ardhur duke u rritur, ndërsa vdekshmeria prej tij është dyfishuar

Cili është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës?

Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është Virusi i Papilomës Njerëzore ose HPV. Ka më shumë 100 tipe të virusit HPV, por një pjesë prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV-ja është një virus që mbetet i fshehur në organizëm pa dhënë asnjë shënjë sëmundjeje. HPV-ja përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale. Infeksioni nga HPV është më i zakonshëm në grup moshat e reja, të cilat janë seksualisht aktive.

Sa kohë do kanceri i qafës së mitrës rë zhvillohet?

Nga moment i shfaqes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet. Fatmirësisht koha e gjatë e zhvillimit të këtij lloj kanceri i jep mundësinë një femre ta kapi atë në kohë, nëse kontrollohet rregullisht.

Cilat femra rrezikohen prej kancerit të qafës së mitrës?

Çdo femër mund të preket nga kanceri i qafës së mitrës.

Por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse:

• Ka filluar herët aktivitetin seksual.

• Ka partner seksual të shumtë.

• Ka partner të cilët kanë patur shumë partnere seksuale.

• Ka infeksion nga virusi i papilomës njerzore – HPV

• Nëna, motra apo gjyshja e tyre ka patur kancer të qafës së mitrës.

• Ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm përfshi HIV/AIDS.

• Pi duhan/cigare.

• Ka patur shtatzëni të shumta.

• Ka imunitet të ulët.

Si mund të mbrohem unë nga kanceri i qafës së mitrës?

Rreziku për kancerin e qafës së mitrës zvoglohet nëse ju:

- VAKSINOHENI me vaksinën kundër virusit, HPV që shkakton kancerin e qafës së mitrës.

- Bëni rregullisht PAP TESTIN.

Të dyja së bashku, vaksinimi dhe bërja e Pap-testit rregullisht ju mbrojnë ju nga kanceri i qafës së mitrës.

Ç’farë është vaksina kundër HPV-së?

Falë arritjeve të shkencës, sot është prodhuar një vaksinë e cila të mbron nga infektimi me virusin HPV. Vaksina siguron një mbrojtje të lartë për dy tipet e virusit, që janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës.

A ka vaksinë në Shqipëri?

Vaksina gjendet edhe në Shqipëri.

Në çfarë moshë rekomandohet vaksina?

Vaksina rekomandohet të bëhet përpara fillimit të aktivitetit seksual, pra përpara infektimit me virusin HPV. Mosha e rekomanduar është ajo midis moshës 9-26 vjeç.

Por edhe të gjitha femrat mbi këtë moshë, mund të vaksinohen nëse janë akoma të painfektuara në momentin e bërjes së vaksinës.

Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës, por nuk eliminon nevojën e bërjes së pap-testit.

Të dyja së bashku, vaksinimi dhe bërja rregullisht e Pap-testit ju mbrojnë ju nga kanceri i qafës së mitrës.

Çfarë është Pap-testi?

Pap-testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë, që bëhet për të parë qelizat e qafës së mitrës. Ky test mund të tregoj nëse ju keni një infeksion në qafën e mitrës, qeliza jo normale apo kancer të qafës së mitrës.

Si bëhet një Pap-test?

Ndërkohë që gruaja shtrihet tek shtrati i vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël që është posaçërisht për këtë.

Materiali më pas dëgohet në laborator për t’u parë.

Pap-testi është një test i thjeshtë, i shpejtë, dhe që zgjat vetëm pak minuta. Pap-testi është i padhimbshëm, prandaj nuk ka nevojë për asnjë ilaç qetësues. Pap-testi mund të kryhet në një klinikë apo spital.

Përse është kaq i rëndësishëm Pap-testi?

Sepse bërja e rregullt e Pap-testit, zbulon qelizat jo normale në fazat e hershme pa dhënë akoma kancer të qafës së mitrës.

Pjesa më e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të kapen në kohë, atëherë kur trajtimi është më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha.

Të gjitha gratë duhet ta bëjnë Pap-testin?

Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap-testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin. Rekomandohet që të gjitha femrat, tre vjet pasi kanë filluar aktivitetin seksual duhet të kryejë Pap-testin rregullisht.

Gratë që kanë hequr mitrën, duhet të konsultohen me mjekun nëse mund të kryejnë rregullshit Pap-testin.

Sa shpesh duhet bërë Pap-testi?

Rekomandimet për kryerjen e Pap-testit janë të ndryshme. Disa rekomandojnë kryerjen e pap-testit çdo 1 deri 3 vjet.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rekomandohet:

- Të gjitha femrat e moshave nga 25 deri 65 vjeç duhet të kryejnë pap-tetsin.

- Femrat e moshave 25 deri 49 vjeç duhet të kryejnë Pap-testin çdo tre vjet.

- Femrat e moshave 50-64 vjeç duhet ta kryejnë pap-testin çdo pesë vjet.

- Në moshën 65 vjeç ju mund të ndaloni kryejen e pap-testit vetëm nëse e keni kryer rregullisht atë që në moshën 50 vjeç dhe keni patur rezultate normale.

Kërkohet ndonjë gjë e veçantë para se të shkosh të kryesh Pap-testin?

Rreth dy ditë para testit shmangni dushet vaginale, përdorimin e suposteve vaginale, kremrave spermicid, sprajtit deodorant vaginal.

Nuk duhet të kryeni mardhënie seksuale 2 ditë përpara Pap-testit.

Një grua duhet ta kryej Pap-testin jo në periudhën menstruale, por disa ditë larg menstruacioneve.

Kur merret përgjigja e Pap-testit?

Përgjigja merret pas disa ditësh. Është e rëndësishme për një grua të diskutoj rezultatet e Pap-testit të saj me mjekun.

Nëse rezultati i Pap-tetsit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët.

Por edhe nëse rezultati i Pap-tetstit është normal, ju duhet të vazhdoni rregullisht bërjen e pap-testit.

PAP TESTI ËSHTË TEST I THJESHTË, I SHPEJTË, I PADHIMBSHËM, QË ZGJAT VETËM PAK MINUTA DHE QË JU SHPËTON JETËN!

Po nëse rezultati i Pap-testit është jo normal?

Nëse rezultati i Pap testit del jo normal, do të thotë që disa qeliza jo normale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë qeliza kanceroze. Është e rëndësishme të mbajmë mend se qelizat jo normale jo gjithnjë bëhen kanceroze. Në disa raste pjesët jo normale duhen hequr që të mos kthehen në kancer. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë në spitalin gjinekologjik dhe nuk kërkon që ju të shtroheni. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të patur fëmijë.

Ç’duhet duhet bërë nëse rezultati i Pap testit është jo normal?

Nëse Pap-tetsi tregon një dyshim apo gjendje normale, mjeku do t’ju kërkojë të përsërisni testin pas 6-të muajsh, apo t’u kërkojë të kryeni një ekzaminim të quajtur kolposkopi. Gjatë kolposkopisë shikohet nga afër qafa e mitrës, nëpërmjet një instrumenti që vepron si mikroskop i cili quhet kolposkop.

Gjithashtu mjeku duhet të marrë një material të vogël nga indet e qafës së mitrës për t’i ekzaminuar në laborator. Kjo proçedurë është quajtur biopsi.

Biopsia është vetmja mënyrë e sigurtë për të përcaktuar nëse qelizat jo normale kanë lidhje me kancerin.

Ndihmoni në zhdukjen e kancerit të qafës së mitrës.

VAKSINIMI DHE BËRJA RREGULLISHT E PAP-TESTIT JU MBROJNË JU NGA KANCERI I QAFËS SË MITRËS

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Shtator 2013

/komuniteti