Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Muzika në shtatëzani dhe në lindje

E kemi shijuar dhe e dimë të gjithë, se të dëgjosh muzikë ndjen kënaqësi. Studime të ndryshme, kanë vlerësuar pozitivitetet e muzikës edhe për nënat e ardhshme si dhe të atyre qytetarëve të rinj që priten të vijnë në jetë.

A duhet të ndigjohet muzika gjatë shtatëzënisë? Po, duhet të ndëgjohet muzikë gjatë shtatëzënisë, sepse muzika është relaksuese dhe kontribuon në zhdukjen e disa shqetësimeve tipike, që sjell pritja në shtatëzëni. Qetësimi i realizuar nga ndigjimi i melodive, faktikisht ul tensionet dhe rregullon edhe rrahjet e zëmrës dhe tensionin e gjakut të nënës. Gjatë dëgjimit të muzikës, organizmi prodhon endorfina, substanca natyrale që kundërshtojnë gjendjen jo të mirë të humorit dhe lodhjes, duke krijuar mundësinë për të jetuar qetë periudhën që shoqërohet me prokupacione dhe ankthe dhe që lidhen me shëndetin e fëmijës dhe momentin e lindjes. Gjithmonë gjatë shtatëzënisë, kënga ose përdorimi i zërit me vokalica të lehta, ndihmon nënën të lëshojë tensionet e grumbulluara dhe njëkohësisht të rimbledh në veten e saj, energji jetësore.

Kënga, paralindjes nuk është gjetje e shekujve modern. Ajo në fakt i takon kulturave të lashta. Në disa popuj është nëna ajo që këndon, në disa të tjerë një ose disa gra të tjera këndojnë, ndërsa në të tjerë popuj, janë muzikantët që krijojnë melodi dhe këndojnë për nënën e ardhshme. E gjitha kjo ndodh që nga muaji i pestë i shtatëzënisë e më pas. Mundet që në përcaktimin e kohës për t’u kënduar, ka ndikuar dallimi vizual i shtatëzënisë.

Nënat në shtatëzëni me të folurat e lehta, me nina-nanat apo edhe me këngë qetësojnë fetusit dhe fëmijën, gjatë shtatëzënisë. Ato kthehen të domosdoshme për ta vënë të porsalindurin në gjumë, por në fakt të folurat e lehta, nina-nanat dhe këngët e qetësojnë dhe e sigurojnë atë se njeriu i parë që njohin, është aty. Është vërejtur se meloditë e dëgjuara në mënyrë të përsëritur nga fetusi apo fëmija, do të jenë të njohura më pas nga i porsalinduri, duke demonstruar shenja gëzimi me buzëqeshje dhe përplasje duarsh kur i ndigjojnë këto melodi.

Çfarë ritmi, melodi apo këngë duhet të ndëgjohet gjatë shtatëzënisë? Në përgjithësi, është mirë që gratë në prije të lindjes të dëgjojnë muzikë harmonike. Kryesisht të preferuara janë meloditë harmonike që edhe në kulturën e popullit tonë nuk mungojnë. Repertori klasik është i pasur me shumë e shumë pjesë qetësuese. Referohet se të gjitha kompozimet e Bahut kanë efekte harmonizuese. Por pas nuk mbeten edhe shumë kompozitorë të tjerë të huaj si dhe shqiptarë.

Megjithatë, kriteri themelor për zgjedhjen e ritmeve, melodive apo këngëve është reagimi i fetusit apo fëmijës. Nëna, është përzgjedhësja më e mirë e tyre.

Sa normale është të lindësh me muzikë? Aplikimi i muzikës në fusha të ndryshme të mjekësisë apo dhe në kontrollin e lindjeve, është i njohur edhe për shkak të efektit analgjezik të muzikës edhe përgjatë lindjes. Vetëm kohët e fundit, muzika si terapi është bërë pjesë integrale në disa sektor të mjekësisë si psh. gjatë lindjes së fëmijës për të ndihmuar nënën e ardhshme.

Muzikoterapia, është ajo disiplinë që përdoret për të përmirësuar cilësinë e jetës. Muzikoterapia pasive, konsiston në dëgjimin e pjesëve muzikore dhe lihet që të reagojë në një nivel të caktuar të pa drejtuar. Muzikoterapia aktive, konsiston në krijimin e tingujve, ritmeve dhe melodive me ndihmën e instrumenteve, duke bërë goditje të lehta edhe me gishta, të një ritmi muzikor ose duke kënduar një pjesë muzikore.

Është vërtetuar se muzika është e domosdoshme në momentin e lindjes. Të lindësh duke dëgjuar nën tingujt e muzikës, është një nga metodat e autoanalgjezisë. Në këto momente, gjatë ndigjimit trupi rrit prodhimin e endofinave, substanca natyrore që prodhohen nga truri për të qetësuar dhimbjet psiko-fizike gjatë lindjes.

Muzika gjithashtu, nëse është e zgjedhur në bazë të shijeve muzikore të nënës dhe reagimeve nga fetusi apo fëmija, mund të riforcojë ritmet respiratore. Ndëgjimi i një melodie të preferuar, indukton gjendje të përgjithshme relaksuese dhe ndihmon gruan për të spostuar vëmendjen mbi një gjë tjetër, jashtë lindjes, duke koordinuar sa më mirë të jetë e mundur, frymëmarrjen e saj.

Virtualisht në mendjen e gruas dalin imazhe të pëlqyeshme, si pejsazhe që lidhen me ujin apo bregun e detit, imazhe që lidhet me lulet dhe pemët pranë një liqeni apo pranë rrjedhjes së ndonjë lumi. Ky realitet të shpie në një koncentrim të domosdoshëm për të lehtësuar dhimbjen e shkaktuar nga kontraksionet uterine.

Gjithashtu muzika, sjell sjellje dhe reagim pozitiv edhe tek mjekët, tek infermierët apo tek personat të cilat gruaja shtatëzënë ka zgjedhur t’i ketë pranë vetes së saj përgjatë lindjes.

Në sallat e lindjes preferohet ndëgjimi i melodive qetësuese si ajo klasike ose ato bashkëkohore të frymëzuar nga tingujt e qetë të natyrës dhe që karakterizohen me ritëm të qetë harmonik dhe relaksues. Megjithatë nuk ka rregulla fikse për zgjedhjen e melodisë në sallat e lindjes, pasi zgjedhja e tyre varet nga shijet personale dhe nga gjendja shpirtërore e gruas.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Qershor 2010

Botuar në nr.6 të Revistës Shëndeti Riprodhues, organ i Institutit të Shëndetit Publik Shqiptar

/komuniteti