Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Llogaritja e moshës së shtatzënisë

Miredita doktoreshe. Kam nje pyetje, a duhet konsideruar si shtatzeni prej asaj dite qe e ke pas ciklin e fundit apo prej asaj dite qe ke marredhenie seksuale, ju lutem mu pergjigjni sepse si konsiderohet prej asaj dite qe ke pasur ciklin qe je shtatzene nese nuk ke marredhenie deri ne fund te muajit, ma spjegoni ju lutem pse llogaritet keshtu? Ju faliminderit.

Sabina (15 vite më parë)

MD Mimoza Keta - obstetre - gjinekologe
Gjinekologja përgjigjet
MD Mimoza Keta

Përshëndetje Sabina. Interesante pyetja që bën mbi metodën e llogaritjes së moshës së shtatzënisë. Po shpjegoj në mënyrë të kuptueshme për jo profesionistët, fiziologjinë e aparatit gjinor femëror.

E konsiderojmë të filluar ciklin menstrual, me ditën e parë të gjakrrjedhjes. Kohëzgjatja e gjakrrjedhjes, mund të jetë deri në 3,4 ose 5 ditë. Shkaku i saj është dalja jashtë e shtresës funksionale të endometrit në trajtën e menstruacionit, kur nuk ndodh fekondimi i vezës. Nga dita e përfundimit të gjakrrjedhjes e deri rreth ditës së 12-13, veza në vezore piqet për t’u bërë e aftë për fekondim. Nga dita e 12-13 e deri rreth ditës së 15-16, veza qarkullon në mitër. Nëse në mitër qarkullojnë edhe spermatozoidë, atëherë veza fekondohet. Nëse në mitër nuk ka në qarkullimin spermatozoidë, atëherë veza nuk fekondohet. Nga dita e 15-16 e deri rreth ditës së 28 (varet nga gjatësia e ciklit menstrual), nëse veza është fekonduar, ajo lidhet me endometrin duke vazhduar formimin e fetusit e më tej. Nëse veza nuk është fekonduar, atëherë mukoza e endometrit nga dita e parë e deri në 3, 4 ose 5 ditë, del në formë gjakrrjedhje.

Në këtë përshkrim të shkurtër të ciklit menstrual, vihet re se fazat e ndryshme nuk kanë ditë fikse të aktivitetit të tyre. Por edhe kohëzgjatja e gjithë ciklit menstrual nuk është gjithnjë e përcaktuar në ditë e për më tepër e barasvlefshme nga një grua tek tjetra.

Pra, e vetmja ditë e saktë e ditur, është dita e parë e fillimit të gjakrrjedhjes. Por, për më tepër se kaq, dita e parë e fillimit të ciklit menstrual tregon se organizmi po largon atë që ka mbetur nga tentativa e dështuar për konceptim, dhe fillon përgatitjen për një tentativë të re për shtatzëni. Në fakt, konceptimi mund të ndodhë me siguri të lartë nga dita e 12-13 e deri tek dita e 15-16 por, mund të ndodhë edhe rreth këtyre ditëve. Nëse çifti kryen raporte seksuale me mendimin për të konceptuar fëmijë, të themi çdo ditë, atëherë nuk do të ishte e mundur të llogaritej mosha e shtatzënisë. Kjo do ishte e mundur vetëm nëse çifti gjatë një cikli menstrual kryen vetëm një raport seksual dhe ditën e seksit e ka të rregjistruar. Në këtë rast saktësia e moshës së shtatzanisë, është e madhe. Prandaj fillimi i matjes së kohës së shtatzënisë, konsiderohet dita e parë e fillimit të gjakrrjedhjes për shkak të saktësisë. Dhe duke u nisur nga kjo ditë, shkenca mjeksore llogarit që lindja normale ndodh në javën e 40.

E thënë thjeshtë, fillimi i llogaritjes së shtatzënisë në ditën e parë të menstruacionit të fundit, është marrëveshje mjeksore për të mundësuar ndjekjen sa më lehtë të ecurisë së saj.

/komuniteti