javë pas jave
Përshëndetje Rita.
Gratë me diabet, duhet të kontrollojnë në mënyrë rigoroze glukozën në gjak përpara, gjatë dhe pas shtatzënisë. Ky është rregull i domosdoshëm për një grua me diabet, e cila është shtatzënë ose planifikon të jetë shtatzënë.
Rita e fillova me këtë rregull për të të treguar se, nëse ke planifikuar të fillosh një shtatzëni duhet të ndiqesh paralelisht nga specialistët e gjinekologjisë dhe endokrinologjisë.
Paraprakisht duhet të dish se gratë me diabet të pa kontrolluar, gjatë shtatzënisë krijojnë probleme për shëndetin e tyre si dhe probleme të fetusit të cilat mund të shkojnë deri në morto-inutero. Prandaj është e rekomanduar se për nivele të pakontrolluara të glukozës në gjak, gratë me diabet të mos fillojnë një shtatzëni të re.
Me mbajtjen e kontrolluar (normale) të nivelit të glukozës në gjakut për tre-katër muajt e fundit, është e mundur të fillohet një shtatzëni. Nëse gruaja ka diabet të tipit 2, për të kontrolluar nivelin e glukozës në gjak, mjeku mund të rekomandoj të përdoret insulina vetëm gjatë kohës së shtatzënisë. Nëse gruaja ka diabet të tipit 1, duhet të ruhet nga hipoglicemia (nivel i ulët) dhe të dijë ta normalizojë atë. Megjithatë, më duhet të të them se studimet japin mendime të ndryshme mbi trajtimin e diabetit gjatë shtatzënisë si dhe efektin tek foshnja që do të lindë.
Në kohën e termit; në varësi të shëndetit të fetusit, në varësi të shëndetit të nënës si dhe në varësi të nivelit të glukozës në gjak, mjeku mund të rekomandoj që lindja të realizohet me prerje cezariane rreth javës së 38.
Ushqimi me gji i fëmijës menjëherë pas lindjes, ndihmon në parandalimin e uljes së glukozës në gjak të fëmijës. Pas lindjes, gruaja me diabet duhet të tregoj kujdes mbi përdorimin e medikamenteve sidomos kur fëmija është me gji. Kujdesi duhet të jetë maksimal edhe mbi sasinë dhe cilësinë e ushqimit.
Rita, shumë përmbledhur u mundova të të tregoj diçka mbi gruan diabetike dhe shtatzëninë. Por po e ritheksoj se nëse gruaja me diabet vendos të fillojë një shtatzëni, konsulta e vazhdueshme me mjekun endokrinolog dhe gjinekolog duhet ta shoqërojnë atë në çdo hap që tre-katër muaj para konceptimit të fëmijës e deri pas lindjes.


Pershendetje doktoreshe, me intereson te di ne lidhje me semundjen e diabetit ne shtatzeni, a mund te mbetet shtatzene nje femer qe perdore insulina dhe nese po a mund te kete pasoja ne femijen, dua te di cdo gje ne lidhje me kete ceshtje, nese mund te me pergjigjeni, falemnderit.