Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Si mund të kem dhe unë një fëmijë?

Pershendetje! Jam shume e shqetesuar pasi u bene gati 2 vjet qe tentoj per te mbetur shtatzene por e kote. Fillimisht bashkeshorti im kishte probleme me spermen, e kishte te dobet si cilesi, pas beri nje kure me pro fertil dhe tani eshte mire ne parametra normale, por edhe pas kesaj eshte e njejta situate. I kemi bere analizat e ribere disa here dhe cdo gje eshte mire. Ju lutem me rekomandoni dicka sepse jam shume e shqetesuar ne lidhje me kete gje? Ju faleminderit.

Delisia Delis (14 vite më parë)

Dr. Mr. Sci Memli Morina - obstetër - gjinekolog
Gjinekologja përgjigjet
Dr. Mr. Sci Memli Morina

Pershendetje Delisia,

Problemi qe keni ju eshte mjaft i shpeshte dhe po shpeshtohet cdo dite e me teper. Pamundesia per te mbetur shtatzene (qe quhet sterilitet) duhet te mjekohet nese kane kaluar 12 muaj kur partneret kane marrredhenie te rregullta seksuale dhe te pambrojtura (pa kontraceptive). Po perpiqem t'ju sqaroj shkaqet me te shpeshta te sterilitetit dhe pastaj ju do te me kontaktoni per te gjetur zgjidhje. Është llogaritur se 1 nga 7 çifte kërkon ndihmë mjekësore, për të pasur fëmijë. Në shumicën e rasteve është vetëm një shkak i sterilitetit i cili zbulohet dhe mjekohet. Ka raste kur ka më tepër se një shkaktar që pamundëson çfitit të kenë fëmijë. Është një bindje e gabuar se steriliteti është problem i cili lidhet vetëm me gruan. Faktikisht, prek në përqindje të njëjtë si gratë ashtu edhe burrat. Në rreth 32% të rasteve problemi lidhet me burrin, poashtu në 32% problemi është tek gratë, kurse në 17% të rasteve ekzistojnë disa faktorë të cilët lidhen edhe me të dy partnerët. Mbetet edhe 19% i rasteve në të cilat infertiliteti mbetet i pasqaruar.

Në 90% të rasteve janë tri probleme që shkaktojnë sterilitetin:

(1). ovulacioni dhe cilësia e qelizës vezë;

(2). tubat e bllokuara; dhe

(3). problemet tek mashkulli.

 

(1). Ovulacioni dhe cilësia e qelizës vezë

Në këtë kategori futen PCOS (sindromi i vezoreve policistike), cilësia jo e mirë e qelizës vezë, ovulacioni i çrregullt ose mungesa e ovulacionit (për shkak të mungesës ose disbalansit të hormoneve). Shpesh këto probleme lidhen me moshën e gruas dhe shfaqen më shpesh pas moshës 37 vjeçare (kjo vlen sidomos për cilësinë e qelizës vezë). Zgjidhjet e mundshme: Para se të fillohet me terapi, duhet bërë një ekzaminim i hollësishëm (përfshirë edhe caktimin e vlerës së hormoneve) për të gjetur se ku është problemi. Mënyrat e trajtimit janë barnat për mjekimin e sterilitetit, IVF dhe shfrytëzimi i qelizave vezë të dhuruara.

(2). Tubat e mitrës janë të bllokuara

Tubat duhet të jenë të kalueshme, sepse nëpër to kalon qeliza vezë prej vezoreve deri te mitra. Bllokimi i tubave mund të vie për shkak të sëmundjes inflamatore të pelvikut (pelvic inflammatory disease PID), endometriozës, cikatrikseve, adhezioneve dhe për shkak të dëmtimit të fimbrieve. Edhe nëse keni ovulacione të rregullta, shtatzënia është e pamundur. Shtatzënia është e pamundur sepse qeliza vezë nuk mund të arrijë deri në mitër, por edhe spermatozoidet nuk mund të takohen me qelizën vezë. Mjekimi i mundshëm: Trajtimi kryesor është IVF. Në disa raste nëse zbulohet se bllokimi është në një pjesë të vogël të tubës, mund të provohet që të lirohet tuba me laparoskopi ose me kirurgji të hapur. Zakonisht laparoskopia bëhet për të determinuar se cili është mjekimi më i përshtatshëm. Infeksioni, sidomos infeksioni me klamidia, e bllokon tubën në tërë gjatësinë e saj dhe në këtë rast nuk ka kuptim që të provohet intervenimi kirurgjik.

(3). Problemet te mashkulli

Steriliteti te burrat mund të jetë pasojë e bllokimit të epididimisit (vendi ku ruhen spermatozoidet) ose të vas deferens (gypat që bartin spermën prej epididimisit gjatë ejakulacionit). Shkaqe tjera janë cilësa e dobët e spermatozoideve, lëvizshmëria e ulët ose mungesa e spermatozoideve (nuk ka në sasi të mjaftueshme ose mund të mos ketë fare). Mjekimet e mundshme: Ashtu si edhe te gratë që me operacion provohet që të lirohen tubat, edhe te burrat bëhet operacioni për të liruar tubat e bllokuara (para operacionit duhet bërë testet hormonale dhe vlerësimi i lëvizshmërisë së spermatozoideve). Nëse problemi qëndron diku tjetër, atëherë nuk ka nevojë që të kryhet operacioni. Në këto raste jepen barnat për mjekimin e sterilitetit të cilat e rrisin prodhimin e spermatozoideve. Një mostër e spermës mund të përdoret për inseminim artificial (IUI). Një opcion tjetër për trajtimin e sterilitetit mashkullor është ICSI (intracytoplasmatic sperm injection). Gjatë kësaj procedure injektohet spermatozoide direkt në qelizën vezë. Nëse faktori që shkakton sterilitetin te mashkulli është I pamjekueshëm, opcioni i vetëm mbetet shfrytëzimi i spermës së donuar.

(4). Shkaqet tjera

Në këtë kategori futen faktorët që shkaktojnë aborte habituale, endometrioza dhe disa raste me sterilitet të pasqaruar.

Delisia Delis (14 vite më parë)
Shume faleminderit doktor, me sqaruat plotesisht, ju uroj gjithe te mirat!

/komuniteti