Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-pediatrin

A po veproj drejtë rreth ushqyerjes?

Pershendetje Dr! A mund te me thoni a po veproj drejt me dhenien e ketij ushqimi femijes tim? Ne mengjes i jap qumesht H Milch 3.5 %, me biskota. (Meqe jam te qumeshti, a duhet zier apo i jepet femijes sic eshte sepse une ja jap dhe naten, theksoj se femija im eshte 13 muajshe). Ne dreke i jap supe te cilen e pregatis me leng perimesh, mishi dhe peshku (me radhe) dhe brenda i hedh makarona te imta, perime te homogjenizuara, vaj ulliri, djathe Grana Padano dhe me pak se 1 gr kripe (perimet qe fus jane patatja, brokoli, qepa, kungulli, selinoja, spinaqi, karrota). Ne oren 16 i jap kos frutash, ne oren 18 i jap perimet e homogjenizuara dhe ne darke prap supe ose miell orizi me qumesht. Ju lutem shume me keshilloni drejt se jam shume e shqetesuar, mos po e merzis femijen tim me te njejtin ushqim apo duhet tja nderroj? Me falni qe u zgjata, ju uroj gjithe te mirat.

Albana Cami (14 vite më parë)

Dr. Daniela Nika - pediatre - neonatologe
Pediatri përgjigjet
Dr. Daniela Nika

E dashur Albana

Ju përgëzoj për ushqyerjen e fëmijës tuaj.

Ju më shkruani se fëmija juaj është 13 muajsh dhe ushqehet 5 herë në ditë. Mendoj se numri i vakteve është i përshtatshëm, pasi një fëmijë e kësaj moshe duhet të marrë 3 vakte kryesore dhe 2 vakte të vogla/zëmra. Edhe ushqimet që ju përdorni, duket se janë kombinuar drejt dhe përbëhen nga të gjitha grupet ushqimore. E vemja gjë qe nuk mora dot informacion është sasia e tyre, por meqë ju nuk përshkruani për mbipeshë tek fëmija, supozoj se edhe këtu nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Më pëlqen edhe kombinimi i drekës, është tamam ai i duhuri, pasi përmban:

- proteinat (mishi, peshku), por tani mund tja variosh edhe me vezë (2 herë në javë) apo gatime me fasule, thjerrëza dhe bishtajore, të cilat janë gjithashtu një burim shumë i mirë proteinash. Proteinat e ndihmojnë fëmijën të rritet dhe të krijojë strukturën muskulore

- karbohidratet (makaronat që mund ti alternoni me oriz apo thërrime buke). Karbohidratet i japin fëmijës energjinë e duhur për të jetuar

- yndyrnat (vaji i ullirit është më i këshilluari, por ndonjëherë mund të alternohet me pak gjalpë, duke evituar margarinën). Yndyrnat ofrojnë gjithashtu energji dhe në këtë moshë ndikojnë edhe në zhvillimin e mirë të trurit, pasi ai harxhon një sasi të konsiderueshme energjish.

- perimet (është mirë që çdo ditë të përdorësh një apo maksimumi dy perime, me qëllim që shija të jetë e ndryshme dhe jo gjithnjë njësoj). Perimet janë burim i shkëlqyer vitaminash dhe kripërash minerale, aq të nevojshme për organizmin.

- pak djathë Grana apo Parmigiano, janë gjithashtu burim shumë i mirë i kalciumit.

Mendoj se në lidhje me kripën, mjafton kripa që ka djathi dhe vetë përbërësit e tjerë, por nëse tashmë është mësuar me pak kripë, mund të mos e pëlqejë ushqimit, po tja hiqni. Gjithsesi provojani ushqimet pa kripë. Nëse do t'ja shtoni, sigurohuni që të jetë kripë e jodizuar.

Mendoj se do të ishte me më pak kosto dhe me më shumë vlera ushqimore, nëse i përdorni perime të freskëta, të stinës dhe të vendit, të ziera në avull ose ujë. Megjithatë, nëse ju punoni dhe nuk keni mundësi kohore, atëherë mund të vazhdoni ti jepni perimet e homogjenizuara.

Kosin e frutave, mund ta alternoni me fruta të freskëta apo të shtrydhura, duke evituar ato të gatshmet që në shumicën e rasteve janë të sheqerosura dhe me esenca, pa fruta të freskëta.

Gjithë të mirat.

Albana Cami (14 vite më parë)
Shume faleminderit Dr, me keni lehtesuar shume. Keshillat qe ju dhate me siper un vazhdoj i ndjek persa i perket supes me oriz dhe therrime buke. kurse perimet e homogjenizuara ja bej vet nuk i blej te gatshme. Nese me lejoni dhe nje pyetje tjeter, persa i perket kosit mund te blihet ky i fundit i gatshem pa fruta dhe frutat tja hedhesh vete, sepse kam provuar ta ze vete por nuk me del mire. dhe nje here shume faleminderit per pergjigjen tuaj.

/komuniteti