14.04.2013 - Ylberi dhe Vjoleta janë ende të rinj në moshë, por jetën ia kanë kushtuar 2 vajzave të tyre të vogla, Xhesikës dhe Xhoanës. Më shumë se kushdo tjetër janë ato që kanë nevojë për përkujdesjen dhe përkushtimin e prindërve që asnjëherë nuk kanë mundur t’i thërrasin: nënë e baba!
“Cdo nënë gëzohet për fëmijën kur lind dhe ka qenë e vështirë kur vajzave i ra sëmundja. Është e tmerrshme të shohësh fëmijën që të dridhet në krahë”, thotë nëna e vajzave.
Janë 24 orë në 24 në shërbimin e tyre dhe në asnjë moment nuk janë gjunjëzuar para sëmundjes së vajzave, përkundrazi kanë luftuar e vazhdojnë të luftojnë për të zbuluar sëmundjen dhe çfarë e ka shkaktuar atë.
“Doktorët nuk e kanë zbuluar ende se çfarë kanë. Epilepsinë e kanë zbuluar, por jo në çfarë grade. Ne jetojmë më shumë në spital sepse mund t'i dalë sonda dhe duhet të bëjmë 4 orë rrugë deri në Tiranë pastaj.”
I ushqejnë 6 herë në ditë, i lajnë dhëmbët, i ndërrojnë, i japin ilaçin, i flasin e i këndojnë. Jetojnë me shpresën se një ditë vogëlushet e tyre do të munden të ngrihen në këmbë e të jenë normale si të gjithë njerëzit e tjerë.
“Do doja t'i shihja në këmbë, të jenë si të tjerët. Dua të bëj edhe analizat e mia dhe të burrit në mënyrë që të kemi një fëmijë të shëndoshë”, shprehet gruaja.
Jeta e tyre është si një segment i kufizuar mes shtëpisë e spitalit ku të gjithë i ndihmojnë me sa munden. Rruga është gjithmonë e hapur, dimër e verë, kanë jetuar në një shtëpi së bashku me familjarët e tjerë të Ylberit, por murgeshat kanë mbledhur fonde dhe i kanë ndërtuar një shtëpi ku vajzat të jetojnë në kushte më të mira.
Xhesika është 8 vjeç, shtatori i 2012-ës duhej ta kishte gjetur në bankat e shkollës, por mesa duket vendi i saj kishte mbetur bosh, edhe pse babain ia kishin ftuar në ditën e parë të këtij viti shkollor.
“Sivjet më ftuan të shkolla, tek klasa e parë ku do të ishte edhe Xhesika. Kisha djalin e vëllait dhe se si u ndjeva... nuk kisha vajzën time”, thotë babai.
Nuk duan ta pranojnë dhe të dorëzohen para realitetit të hidhur sepse edhe ata duan të kenë fëmijë të shëndetshëm: “Më kanë adresuar tek një spital në Paris dhe një në Londër. Ka mundësi që me trajtimet atje vajzat të ecin.”
Ata nuk kanë mundësi të punojnë apo të dalin si të gjithë njerëzit e tjerë. Edhe natën kujdesen me turne për vajzat, por nuk janë lodhur asnjëherë: “Për fëmijët tonë nuk është sakrificë, do t'i përkushtohemi gjithë jetën.”/tch/

